Intervistë ekskluzive/ We Love Emina!

Nga Ilda Lumani
Fotografia: Artan Korenica
Vendndodhja: Tuz, Mali i Zi

Eminën e takova në një event në Tiranë ditëve të nxehta të Korrikut. E ftova të ishte pjesë e Bordo! Nuk e prisja që të thoshte menjëherë Po! Ndodhej në Tuz, vendin e saj të lindjes, ku edhe kalon në mënyrë të përhershme pushimet e Verës, ndaj më ftoi në shtëpinë e saj. Udhëtuam në ditët e fundit të Gushtit. Tuzi shtrihet në një fushë të gjelbërt rrethuar me male, brigjet e liqenit të Shkodrës janë pak minuta larg, e përkarshi ngrihet madhështor Mali i Helmit. Është orë dreke dhe Emina është gati për sesionin fotografik. Nuk ishte hera e parë që takoheshim bashkë, por kur e takon në një set fotografik, modelja e vetme shqiptare që ka shkelur pasarelat ndërkombëtare është krejt tjetër. Përfshihet tërësisht në rolin e saj. Ella vajza e madhe e saj, vjen rrotull dhe sheh më kërshëri të ëmën, i thërret herë pas here dhe Emina, pa ndryshuar asnjë grimasë nga fytyra dhe gjestikulacionet e trupit, përgjigjet: Mbaroj për pak mama! Prej kohësh e fokusuar në nismat me qëllime bamirësie dhe ndërgjegjësimit qytetar, ky rikthim në setin fotografik për modelen është një ndjesi që po e përjeton pas një kohë pauze. Tani i është dedikuar totalisht familjes, ndaj kjo kopertinë për Bordo, e para për një revistë shqiptare gjatë gjithë karrierës së saj, e ka rrëmbyer tërësisht. Ndërkaq, në një intervistë për Bordo ajo vendos të rrëfejë ndjesitë jo vetëm të modeles, por edhe të qënit nënë e tre fëmijëve, dashurinë e pakushtëzuar që e lidh me vendlindjen e saj dhe projektet që e presin në të ardhmen…!

Emina, cili është kujtimi më i bukur sa herë kthehesh në vendlindjen tënde, në Tuz?

Në përgjithësi janë kujtime shumë të bukura. Që kur kam dalë prej këtij vendi kam menduar se ndoshta kurrë nuk do të kthehem… Por jeta bën të vetën edhe shumë shpejt e kam kuptuar se sa më shumë jam larguar prej vendit tim, aq më shumë më ka munduar malli, kështu që dëshira ime është dhe ka qenë gjithmonë ta ndërtoj një shtëpi dhe të vija në Tuz. Mendimi im ishte gjithmonë këtu. Që kur isha fëmijë dhe kur i sillnim lopët në livadhe, një ndër ndër gjërat më të bukura që bënim ishte kur shtriheshim dhe shikonim qiellin. Gjithmonë paramendonim gjëra të ndryshme, retë i përpunonim e ëndërronim. Mendoja që do të vijë dita kur fëmijët e mi të shtrihen në oborr para shtëpisë time dhe do të paramendojnë pothuajse të njëjtin mendim, të njëjtën ngjarje vetëm se do të jetë në truallin e vet..
Shtrihen ata tani?

Posi!! Gjithë kohën. Ne ecim shumë livadheve. Babai im e ka një ullishte edhe shumë shpesh shkojmë. Edhe vajzat kanë qejf shumë, ndoshta sepse më kanë parë edhe mua kështu që veprojnë sikur nana, por unë shpesh herë shtrihem në tokë edhe kam qejf shumë. Nuk e di kam një qetësi që gjithë trupi dhe mendja më lëshohet, kështu që edhe ato e bëjnë me mua si një relaks trupi dhe shpirti!
Përtej ndjesisë që ti ke, fëmijët e tu a vijnë me dëshirë këtu?

Kënaqen, e ndjejnë veten sikur janë në shtëpi dhe besoj që në përgjithësi kjo fillon edhe del nga prindërit. Fëmija e ndjen energjinë tënde, edhe kur ti si prind ke një energji pozitive, një energji të mirë dhe fëmija e kupton.


Po Sem, bashkëshorti juaj vjen këtu, si i duket atij?

Po, ai kënaqet disa ditë këtu, pastaj i duket si aventurë edhe thotë okay, unë s’mund të rri këtu një muaj ditë, po disa ditë i kalon dhe kalon një pushim shumë të mirë. Ne vijmë rrimë në fshat disa ditë, pastaj ikim në bregdet me burrin, unë kthehem përsëri me fëmijët në fshat, dhe ai vazhdon rrugën e tij (qesh)

E ke kthyer në rutinë, vjen çdo vit?

Po çdo vit vij, dhe tani që kam shtëpinë time rri pothuajse gjithë verën këtu.

Nga një super modele, nga pasarelat, tani një super mama e angazhuar. Këtë ndryshim si e ke përjetuar?

Po mirë, të them të vërtetën. Gjithë jetën time kam menduar që momenti kur të këpus karrierën do të jetë momenti më i vështirë që do të më ndodhë, mirëpo përsëritet ajo që thamë se jeta e bën të vetën, disa gjëra kanë ndodhur shumë organike, shtatzënia e parë, e me rradhë. Unë kam punuar pothuajse deri kur kam qenë 8-mujashe shtatzanë edhe kur thohet kështu malësorshe U NGINA, edhe pashë se nuk kisha dëshirë më, nuk kisha vullnet, nuk kisha atë zjarr që e kisha më përpara  edhe thjesht mu largu dëshira… Kështu që i falenderohem zotit që më ka ardhur dita që me të vërtetë atë mendimin që e kam pasur më përpara  që e mendoja si gjënë më të vështirë se kisha gati 20 vjet karrierë, më ndodhi në një mënyrë shumë organike.

Të tundon dëshira për të qenë edhe një herë në pasarelë tani?

Jo të them të vërtetën, sepse njeriu mendon se kur e mbyll një kapitull të librit e ka mbyllur. Nganjëherë mendoj me vete a të kthehem mbrapa dhe ta lexoj edhe njëherë se ndoshta kuptimi do ta ndryshojë, mendimin e asaj që kam lexu më përpara, por shpeshherë mendoj në qoftëse ka ndodhur për një arsye që të përfundojë, ndoshta ta lë rehat, kështu që mos të gënjehemi unë dhe ti, të them të vërtetën nuk e di…

Cila është rutina jote në Amerikë, dita jote si është?

Në përgjithësi dita ime në Amerikë, zgjohem në mëngjes herët, çoj vajzat në shkollë, pastaj shkoj bëj palestër, kthehem në shtëpi, jam me djalin disa orë, bëj disa punë që më duhen rreth shtëpisë, pothuajse gjërat që kanë të bëjnë me shtëpi, biznes, pastaj shkoj mbaj fëmijën. Kthehem prapë dhe bëhem mami, nga ora 3 deri në 6-7 në mbrëmje jam me fëmijët.


Je e përfshirë në bizneset e bashkëshortit?

Pak të bashkëshortit por disa gjëra të miat. Unë kam përfunduar shkollën për Interior design dhe 3 vitet e  fundit kam qenë shumë shumë e ngarkuar me interiorin dhe eksterierin e shtëpisë këtu në Mal të Zi që kam punuar së largu edhe shtëpinë që e kemi punuar në Miami, kështu që kam vënë në jetë atë që kisha mësuar ekzaktësisht.

Jeta jote në sytë e njerëzve duket si një histori përrallash, për ty është e tillë jeta jote?

Nganjëherë njeriu mendon kështu… Edhe unë kur e shoh nga e jashtmja më duket sikur të jetë përrallë, por kur mendoj dhe vërtet e ul kokën në mbrëmje para se të shkoj të fle, janë të shumta gjërat që kam hequr për të mbërritur ku kam mbërritur sot! Kurrgjë nuk më është dhënë në një tepsi, ku futa lugën dhe pirunin dhe nisa të ha!

Jo! Unë e kam bërë gati, e kam përgatitur, e kam vendosur vetë në tavolinë, e kam blerë pirunin, lugën, tepsinë edhe pastaj kam nis me hongër! Kështu që besoj se kurrgjo në jetë nuk më është dhënë falas. Kam punuar shumë për të, mirëpo shumë njerëz ndoshta edhe thonë sot, Emina ka burrin multimiliarder, e bla bla. Po, patjetër e gjitha kjo është e kuptuar ama Emina ka dalë nga fshati në moshën 15 vjeçe edhe para se të njihja burrin, unë kam pasur një jetë shumë të mirë edhe shumë luksoze vetëm se nuk kanë ekzistuar rrjetet sociale… Gjithçka që shihet në rrjete sociale nuk është e tërë e vërteta, ne si njerëz publikë, që ndiqemi nga syri i publikut, vetëm tregojmë atë që duam të tregojmë. Besomë në jetën time unë nuk i tregoj gjërat që më ndodhin në familjen time… Ndonjëherë njeriu është mirë të largohet edhe prej rrjeteve sociale, sepse ndoshta nuk është gjithçka siç duket!

Je natyrë që shpenzon shumë, pse shpenzon më shumë Emina? Cilat janë hobet e tua, kënaqësitë e vogla?

Ndonjëherë njeriu mendon, dhe është klishe kur e thua, por gjërat që janë më të bukura në jetë janë falas, ose që nuk kushtojnë shumë. Psh, mua gjithkush më pyet pse vjen ti në Mal të zi, tani isha me Artanin në makinë dhe më tha çfarë të sjell ty në këtë shkretëtirë, ku s’ka asnjë njeri! Nuk mundem ta shpjegoj, po ja unë rri jashtë në tarracën time edhe e pi një kafe turke vetëm dhe më ka lezet, e ka lezetin e vet, e ka diçka që kurrë nuk mundem ta përjetoj diku tjetër. 5 minuta nga shtëpia në këmbë kam liqenin e Shkodrës, kam kushërinjtë, xhaxhanë dhe ju them hajde ikim dalim me varkë dhe kënaqemi. Është një bukuri e jashtëzakonshme dhe ajo xhiro me varkë nuk kushton më shumë se 200-300 euro. Është një motorskaf krejt i vogël, por kënaqem edhe nuk di si ta shpjegoj. Psh kur dal në livadhe që eci, është një qetësi e tërë trupore, që nga mendimi, këmba, shpirti, krejt lëshohem edhe është diçka që nuk e di, është e vështirë t‘ia shpjegoj dikujt…

Cila është ekstravaganca më e madhe që ke bërë në blerje? Je ti njeriu që bën ekstravaganca të tilla?

Po ndonjëherë bëj, për këtë ndoshta duhet të pyesim burrin tim më shumë, sepse unë jam dikush që në jetë kam qejf gjërat e thjeshta por edhe gjërat që nuk janë të thjeshta, pra është ai që i bën gjërat ekstravagante për mua, kështu që nuk mund të them saktësisht!

Çfarë të duket e kotë të shpenzosh ?

E kam shumë vështirësi të shpenzoj në rroba, sepse janë të gjitha sot për nesër, dhe fashion sot është shumë vështirë, mirëpo kam problem me këpucët sepse këpucët i kam shumë qejf të shpenzoj lekët tek to edhe shpjegimi im për këpucët edhe për çantat është se kam dy vajza edhe kurrë nuk do të dalin mode dhe do të mbeten për to!

Cila është marka jote e preferuar?

Nuk e di sepse unë i përziej, mund të vesh Zara por mund të përfshij diçka Versace apo Dolce & Gabbana, Jean Paul Gaultier..

Ti ke qenë muza e tij. Si janë marrëdhëniet e tua tani me Gaultier?

Po të garantoj që po t’i them, në pasarelë do të më presi me duar hapur por…

A është ai stilisti yt i preferuar, kë ke stilistin e preferuar?

Është një ndër njerëzit e mi të afërt, që e dua dhe më do edhe si person privat. Por, e dua gjithashtu edhe si stilist sepse ka një stil crazy, si të them e tërbuar krejt, e përfshin femrën si një formë elegance, por e përfshin edhe seksi, por edhe në mënyrë mashkullore, si ta ndjesh veten me Gaultier mund të dalësh…


Ti e ke të preferuar atë ?

Besoj që po.

Po një modele ke pasur të preferuar? 

Të them të vërtetën që fëmijë, kur kam nisur karrierën nuk kam ditur shumë për modelet..!

Po kur i ke njohur, ndoshta edhe sot super modelet që dalin dhe rikthehen ç’ndjesi të japin?

E kam shumë të vështirë të përcaktoj të preferuarën, janë shumë modele… Psh Naomi Campbell ka një ecje që kurrë nuk do të ndodhi në pasarela, ndërsa si një formë të fizikut apo elegance, I love Cindy Crawford, ajo është edhe sot e mrekullueshme, edhe e kam shoqe… përgjithësisht pëlqej modelet e viteve’90 Cindy Crawford, Claudia Schiffer, Linda Evangelista…

Ke një artist të preferuar që të frymëzon, në muzikë, në art…

Jo është një gjë shumë e vështirë, kohët e fundit jam shumë e angazhuar, kështu që janë disa artistë që sapo hyjnë në Art fair më lënë përshtypje menjëherë… nuk e di se arti e ka një gjë që është shumë e vështirë të zgjedhësh, ka shumë artista, si të muzikës, filmit apo fotografisë, pikturës, është shumë e vështirë të thuash se mund të të pëlqejnë 90 përqind të gjërave por janë ato 10 përqind që nuk të pëlqejnë aspak. Në fakt është një artist i fundit, që rastësisht më ndodhi që pashë punën e tij në Firenze edhe më pas hulumtova disi për të… është Helidon Xhixha dhe dua ta njoh një ditë sepse patjetër më duhet një copë e Helidonit në shtëpinë time në Miami.

Shumë modele e kanë parë kapërcimin në krijim nga modele në stiliste, po ti?

Jo stiliste sepse prandaj kam zgjedhur interiorin, një formë e modës është edhe interior desing, është një gjë që është e lidhur  sidoqoftë, ndoshta do të vijë një ditë që do t’i bëj edhe unë interioret e mia, por tani për tani vetëm më pëlqen të bëj dekorimin, anën e arkitekturës po ashtu.

Fëmijët e tu,- vajzat se djali është i vogël, janë koshientë se kush është mami?

Jo akoma jo, sepse këtë pjesën e jetës sime nuk ua kam treguar sepse medoj se mami do të jetë vetëm mami për tani, por besoj që sidomos vajza e madhe  që ka 6 vjeç e gjysmë, e kupton pak më shumë  sepse thotë, mami ti po bën foto, dmth ti je modele, sikur sot e pa, por janë shumë gjëra që nuk i kuptojnë fëmijët dhe nuk dua t’i bëj presion për ta mësuar sepse do vijë koha kur do e kuptojnë edhe ato vetë kush është mami i tyre.

Botuar në Revistën BORDO, shtator 2022!

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article