Elvis Ponari/ Investo tani, jeto i lumtur në pleqëri!

Kështu shprehet në një intervistë për Revistën Bordo, Kryetari i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve, z. Elvis Ponari, njëherazi edhe CEO i Fondit të Pensioneve Vullnetare SIGAL.
Z.Ponari komenton situatën e pensioneve në vend ndërsa flet edhe për rëndësinë që kanë pensionet private në jetën ekonomike dhe sociale të një vendi.

Ai tregon se aktualisht në Shqipëri funksionon vetëm Kolona I, që është skema e detyrueshme shtetërore dhe Kolona III, fondet private të pensioneve, të cilat po njohin një rritje vitet e fundit duke kaluar shifrën e 35 mijë anëtarëve.

Pse janë të rëndësishme skemat vullnetare të pensioneve?

Elvis Ponari: Ndërsa arrijmë moshën e pensionit, të ardhurat (kursimet) do të pësojnë ulje, prandaj ne duhet të sigurojmë mjetet tona për stabilitet financiar dhe siguri pas daljes në pension, gjë që mundëson ruajtjen e standardit të jetesës. 

Pensioni shtetëror nuk mjafton dhe skema me të cilën operon është gjithmonë në përkeqësim, prandaj është e rëndësishme të kurseni sot, në mënyrë që të keni kursimet tuaja në momentin e daljes në pension.

Ky lloj pensioni është krijuar për faktin se sistemet e zakonshme shtetërore të pensioneve nuk u sigurojnë njerëzve të ardhura të mjaftueshme kur arrijnë moshën e pensionit.

Fondi i pensionit është alternativa e vetme për t’i shtuar pensionit shtetëror një të ardhur shtesë, duke ruajtur të njëjtin standard jetese edhe në moshën e pensionit. Fondi i pensionit ndryshe nga pensioni shtetëror, është i trashëgueshëm.

 

Çfarë impakti kanë këto skema në jetën ekonomike dhe sociale të vendit?

Elvis Ponari:Së pari, në Shqipëri afro 75-80% e GDP vijnë nga sektori privat, prandaj s’ka asnjë arsye të mos vlerësohet edhe në këtë fushë.

Së dyti, Shqipëria është një vend Europian dhe përafrimi i legjislacionit edhe në fushën e sigurimeve shoqërore është kusht për t’u anëtarësuar në këtë familje.

Së treti, këto skema, për vetë konfigurimin e tyre ndihmojnë më mirë ekonominë e vendit duke mobilizuar paratë e lira të popullatës nëpërmjet investimeve të tyre në instrumenta financiarë afatgjatë 5-10 vjeçare (Obligacione Shtetërore).

Jam i bindur se zhvillimi i tregut të pensioneve private do i japë një impuls mjaft pozitiv edhe aktorëve të tjerë që veprojnë në tregun financiar”.

Z. Ponari, një mesazh për lexuesit tanë…

 

Elvis Ponari: Jo vetëm që ka ardhur koha, por me zhvillimet ekonomike e demografike, është koha t’i japim mundësinë qytetarëve shqiptarë që të kenë edhe një alternativë tjetër për ato para që paguajnë si kontribute për sigurimet shoqërore, alternativën e pensionit privat, një pension më i favorshëm, me përfitime më të larta.

Edhe njerëzit duhet të incentivohen që të vijnë te fondet e pensionit, pasi ky është produkt për pensionin e tyre për moshën e tretë. 

Qëllimi i Fondeve Vullnetare të Pensioneve është t’i sigurojë anëtarëve të tyre mundësinë e një pensioni të përshtatshëm për të ruajtur standardin e jetesës sipas kërkesave dhe nevojave të tyre, duke maksimizuar përfitimet nëpërmjet një administrimi të kujdesshëm të aseteve.

Botuar në BORDO, Nëntor 2022!

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article