Nga Olsi Kolami
Fotografia: Bekir Sozak
Mëngjes! 27 tetor 2022! Në sfond një ditë me diell, qiell të kaltër, lumi Sena dhe kulla Eifel. Klaudia e lumtur mban në duar një buqetë me tullumbace të kuqe në formë zemre. Ngjan si një vajzë tipike pariziene, e veshur me një shall të gjatë Gucci, çantë Chanel dhe një beretë të zezë, ajo gjendet në Paris për të festuar 30 vjetorin e lindjes. Ka udhëtuar nga Breshia me të dashurin e saj për të kremtuar jo thjesht ditëlindjen, por edhe dashurinë, 25 vite suksesi në balet, televizion, e së fundmi në kinema. Krejt rastësisht më erdhi në mendje një thënie e Sylvie Guillem, një ikonë franceze e baletit e cila në fund të rrugëtimit të saj në skenë e përkufizoi profesionin e saj si një varkë, e cila jo gjithmonë arrin në portin që dëshiron…!
Pikërisht kështu ka ndodhur edhe me Klaudia Pepën: ajo e nisi rrugën me baletin kur ishte vetëm 5 vjeç, pastaj talenti i saj e ngjiti në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit, ‘theu’ ekranin me performanca të cilat e gdhendën lehtësisht në sytë dhe kujtimet e publikut, derisa mjellma jonë shqiptare fluturoi në “Amici”, programi që i dha asaj edhe gjithë çfarë kishte dashur në jetë. Kur shkeli në Itali, aty jeta e saj u transformua nga një balerinë në një aktore, me disa role në 3 produksione filmike, ndërsa u kthye në një ndikuese të padiskutueshme me elegancën e saj duke përfaqësuar marka të njohura si: Chanel, Gucci, Dior dhe Calvin Klein.
Sot e rikthyer në Shqipëri në programin “Dance Albania”, vajza që na bën krenarë me talentin e saj, vendos të rrëfejë për Bordo rreth karrierës, dashurisë dhe projekteve të saj të ardhshme që e presin në dritën e prozhektorëve të skenës dhe jashtë saj…!
Në një kohë kur karriera juaj vijon të shkëlqejë në Itali çfarë ju bëri të pranoni ofertën për të qenë pjesë e panelit të gjykuesve në “Dance Albania”?
Dëshira për të qenë në kontakt me publikun shqiptar, këtë herë në një rol tjetër, ku nuk më kanë parë më parë. Unë kam qenë pjesë e jurisë në shumë raste në Itali, por në Shqipëri asnjëherë. Nuk e mohoj faktin që isha pak e ndrojtur në fillim, ndaj nuk thashë “PO” menjëherë. Edhe për shkak të impenjimeve të mia në Itali, por ai zëri i brendshëm më shtyu për të pranuar dhe spostova disa projekte për më tej.
Si po e përjetoni këtë eksperiencë?
Po shkon shumë mirë. Nuk e mendoja që do të ishte kaq pozitive. Vërtet ka impenjim, por po argëtohem edhe unë.
Duket se keni zgjedhur të jeni ‘polici i mirë’ në juri, pasi edhe kritikat i bëni me shumë elegancë…!
Faleminderit…! Unë mundohem të jem sa më e sinqertë, të jap një mendim korrekt mbi çdo perfomancë që shoh. Shpesh herë në prova jap shumë këshilla, jam mësuar të këshilloj balerinët e vegjël që aspirojnë të bëhen balerinë dhe dua të jap maksimumin për të përcjellë sadopak nga eksperiencat e mia. Ka personazhe që “i vjedhin” menjëherë këshillat e mia, por ka nga ata që duan pak më shumë kohë t’i përpunojnë. Jemi të gjithë të qartë që askush aty nuk është balerin dhe nuk kanë studiuar më parë, por kanë dëshirën dhe pasionin për të bërë diçka të mirë, për të sjellë performanca të bukura dhe dinjitoze në skenë.
E rikthyer në shtëpi, në Tv Klan aty edhe ku publiku u njoh me balerinën e talentuar vite më parë. Çfarë ndjen Klaudia sa herë futet në atë godinë?
Emocion, nostalgji. Klani është zanafilla ime si artiste. Ishte ajo foleja që pas shkolle vija me padurim të stërvitesha në studio. Ishte motivimi për të punuar çdo ditë dhe për të performuar çdo javë. Ishte një ogur edhe për rrugëtimin tim në “Amici”.
Krahas baletit dimë që keni nisur të merrni mësime aktrimi në Itali. Kjo do të thotë se pas rolit në filmin ‘Reverse’ do të kemi një Klaudia Pepa edhe aktore në të ardhmen?
Tanimë jam në eksperiencën time të tretë si aktore. Nisi çdo gjë me dëshirën për të qenë gati e për të realizuar një film baleti, një “Black swan” apo një “Honey”. Gjërat po shkojnë mirë për një aktore kaq të re dhe ku i dihet nëse shumë shpejt do të realizohet kjo ëndërr.
Në një prej netëve live të Dance Albania thatë se një profesor i juaj i aktrimit po pret që një ditë ju të aktroni njësoj siç edhe kërceni. Është në ambicien tuaj ta arrini këtë stad?
Patjetër që po. Po punoj fort për t’ja arritur. Po punoj të nxjerr grintën e duhur në aktrim. Grinta është element që më shërben edhe në jetën time personale. Vullneti i përpiktë dhe këmbëngulës për të bërë çdo hap që dua.
Na trego si është një ditë e Klaudias në Itali?
Zgjohem herët dhe ha mëngjes. Bëj një shëtitje me qenushat e mi, e pastaj rikthehem dhe stërvitem 2 deri në 3 orë. Pas dreke studioj aktrim, sipas ndarjes së ditëve të javës, ose jap leksionet e mia në shkolla të ndryshme baleti. Kjo është një ditë e thjeshtë dhe shumë e qetë e imja. Por, në bazë të projekteve ditët variojnë dhe ndryshojnë të gjitha (qesh)
Pak javë më parë gjatë spektaklit Dance Albania tërthorazi pranuat se jeni në një lidhje dashurie. A mund të ndash diçka më shumë me ne?
Jam në një lidhje prej një viti e gjysmë, jam shumë e qetë dhe e lumtur në të njëjtën kohë. Vlerësoj dhe preferoj që personi që kam në krah të transmetojë këto dy elemente.
A je penduar që je larguar nga Shqipëria, a ka momenti që thua: vendin e kam në Tiranë?
Nuk jam penduar, por një gjë është e vërtetë, unë kthehem gjithmonë për projekte të ndryshme. Kam një lidhje speciale me Shqipërinë. E kam të nevojshme të kthehem e jem në kontakt me publikun shqiptar.
Ne e pamë Klaudian kur u shfaq në “Amici”, por realisht kaq e lehtë është të jesh pjesë e ekranit Italian?
Nuk është aspak e thjeshtë. Italia ka më shumë artistë (si pasojë e popullsisë) dhe konkurrenca është edhe më e fortë.
Di që keni një raport të veçantë me motrën, cila është këshilla që i jep më shpesh?
Pamela studion për kanto dhe jam shumë e lumtur që të dyja jemi pjesë e artit. Shpresoj që talenti i saj të gjejë vendin e duhur sepse e meriton. Këshilla: Të dëgjohet zëri edhe pse je në një det të madh. Të jetojë pa paragjykime, e lirë dhe të mos harrojë kush është.
Cili ka qenë njeriu që ka parë për herë të parë tek Klaudia talentin?
Kur isha e vogël prindërit më çonin të shihja shfaqje të ndyshme, duke më ushqyer me art. Shtëpia ishte gjithmonë e shoqëruar me muzikë. Një ditë në një nga koncertet teksa shihja balerinët të performonin vendosa të bëhesha edhe unë si ata, zgjodha baletin. Mendoj se talentin duhet ta ketë parë mësuesi im i parë.
Bota e baletit ngjan e bukur, ka rivalitet, ngjan si tek “Mjellma e Zezë”, sa e vërtetë është?
Baleti është një profesion me shumë sakrificë, ditë të vështira, ushtrime të lodhshme dhe të dhimbshme, prova pa fund, por edhe shumë, e shumë zili e konkurrencë. Pra, ka një të vërtetë tek “Mjellma e zezë”.
Cilat janë ato gjëra për të cilat baleti të ka privuar në jetë?
Me siguri të gjithë fëmijërinë time, pasi në kohën e lirë i dedikohesha vetëm baletit. Por unë nuk do e quaja sakrificë sepse e dashuroj punën time.
Nëse nuk do të ishe bërë një balerinë, çfarë mendon se do të ishe sot?
Kur dëgjoj muzikë, trupi im shndërrohet në një hapësirë. Jam në raport me muzikën, hapësirën dhe energjinë. Nëse nuk do të isha balerinë do të isha patjetër një muzikante. Kam pasion edhe kuzhinën, ndoshta do t’i dedikohesha për të qenë një chef (qesh)
Botuar në BORDO, Nëntor 2022!



















