Intervistë/ Mythodea, simfonia e fundit e Arben Bajos

Nga Olsi Kolami 

Kuratori Ermir Hoxha rrëfen për “Bordo” projektin e pambaruar të skulptorit i cili u largua nga jeta dy vite më parë, një ekspozitë me vepra të frymëzuara nga mitologjia…

Ermir si erdhi ekspozita e skulptorit Arben Bajo, a janë vepra të pa ekspozuara më parë?

Ekspozita lindi nga dëshira e bashkëshortes së Bajos, Teutës, e cila në mungesë të një hapësire të madhe mjaftueshëm për të ngritur një ekspozitë retrospektivë, propozoi pse jo të ngrinim ekspozitën që Beni la pa bërë. Kështu që nga marsi nisëm me përgatitjet për ekspozitën “Mythodea”. Ishte një projekt lehtësisht i realizueshëm pasi Beni kishte lënë gjithçka gati. Ekspozita “Mythodea” ishte përgatur nga Arben Bajo për t’u realizuar në pranverën e vitit 2020, por ajo u shty në kohë për shkak të pandemisë, e cila më pas u bë dhe shkak i ndarjes nga jeta i vetë skulptorit në gusht të po atij viti. Të gjitha veprat ishin realizuar në 3 vitet e fundit. Ato ishin pjesë e një projekti kompleks, i cili zgjati në kohë dhe mori formë në dy linja të ndryshme, ku e para ishte ajo klasike, dedikuar mitologjisë.

Bajo kishte kohë që mendonte të ndërtonte një seri veprash me temë nga mitet e botës antike, por kjo në vetvete nuk përbënte risi, pasi tema a personazhe të kësaj kulture në krijimtarinë e tij kishin qenë gjithnjë të pranishme. Sidoqoftë ai vazhdonte t’i shtonte veprat dedikuar kësaj trashëgimie me arsyen e thjeshtë se ato ishin shtresëzimi simbolik i natyrës njerëzore në konfliktin e përjetshëm mes racionales dhe instiktives. Linja e dytë kishte po këtë tematikë, por në të personazhet e mitologjisë nisën të vetëpersonifikohen nga vetë artisti, si simbolikë e natyrës njerëzore në konfliktin e përjetshëm mes racionales dhe instiktives.

Mythodea është një ode dedikuar miteve, sepse duket që një pjesë e veprave janë mite?

Siç e kam shpjeguar edhe në tesktin kuratorial në studion e Bajos, në tavolinën mesore, qëndronte gjithnjë një libër mbi artin antik. Mbi ilustrimet e tij, ai u përvodh shpesh për të rindërtuar skenat e  mitologjisë së tij. Si të tilla, po me dimensione të vogla dekorative morën formë vepra me temë nga “Odisea dhe sirenat”, “Hektori dhe Akili”, “Herkuli dhe Hidra”, etj. Trajtimi i tyre ndryshonte shumë. Ai herë i abstragonte në kufijtë e të pakuptueshmes e herë i skiconte të ngjashme me figurat e zeza në vazot greke. Me qëllimin final të realizimit në bronz, Bajo po ndërtonte një galeri personale subjektesh klasike, të cilat në rrugëtimin e tij ishin treguar gjithnjë të suksesshme.

Aspekti kuratorial më pëlqeu, në hyrje nis me një skulpturë që ekspozon pjesën e pasme të një femre, një ftesë e pazakontë, pse? Gjithashtu më bëri përshtypje Pegaso i përmbysur, i rrëzuar, me flatra e eshtra të thyer, ka qenë koncepti i autorit, apo vepër e papërfunduar e tij?

Ishte zgjidhja kuratoriale e Ardian Kapos, mikut dhe kolegut të cilit Beni gjithnjë i besonte kurimin e ekspozitave të veta. Ai propozoi një element femëror në marrëdhënie me pegason e rënë si një dialog emblematik figurash. Në idenë fillestare Beni me versionin monumental të figurës së Pegasos kishte menduar kapërcimin e vetvetes. E derdhur në allçi apo rezinë, ajo ishte projektuar për t’u ekspozuar e përmbysur në galeri në një vend qendror. Edhe pse u realizua e fundit, kjo vepër ishte tejet e rëndësishme për ekspozitën, aq sa për një periudhë do t’i jepte asaj dhe titullin. Në fakt disa nga titujt më të diskutuar fillimisht ishin “Pegaso i Përmbysur”, “Pegaso i Rënë”, apo “Vdekja e Pegasos”. E gjithë kjo ishte e lehtë për t’u imagjinuar. Figura e kalit magjik për Bajon ishte përmbysur si asnjëherë tjetër. Hingëllues, me këmbët përpjetë dhe flatrat e mbështetur mbi dysheme, si një krijesë e nxjerrë nga filma fantastiko-shkencorë, skulptura do të ishte një nga sensacionet më të mëdha të ekspozitës. Pa dyshim që qëllimi i realizimit të saj në këtë format ishte impakti i saj spektakolar, i cili do shënonte memorien e kujtdo që do të ishte i pranishëm.

Si u konceptuan ciklet e veprave të fundit të Bajos, kemi vepra mitike, elemente si brirët, dhia, kuajt…?

Nuk është e vështirë të kuptosh që tek subjektet mitologjike Bajo kish gjetur vetveten. Ai i adhuronte ato që nga rrëfenjat e moshës së njomë, filmat hollivudianë dhe akoma më shumë nga moria e veprave të artit perëndimor në të cilat ishin projektuar në shekuj. Përtej multiformitetit të marrëdhënies mes zotave e njerëzve, nëpërmjet fantazisë së shfrenuar, ato përvidheshin në skutat më të errëta të shpirtit njerëzor. Si të tilla, materializuar në aventura e metamorfoza të shumta, për ne ato janë pasqyra tjetër e natyrës sonë. Dhe për Bajon ato nuk mund të ishin “thjesht” si interpretime ilustrative. E tregon këtë interpretimi i vazhdueshëm simbolik i tyre, ku tiparet e heronjve nuk hezitojnë që të ngjasojnë gjithnjë e më shumë me ato të vetë artistit. Ky personifikim herë mbi kryet e Uliksit, e herë të Herkulit nuk mbetet i vetëm, pasi dhe në trupat ku tiparet e heronjve fshihen, fiziciteti karakteristik i Bajos është më se i dallueshëm. Bajo e projektonte vetveten sa herë të ishte e mundur. Në tiparet e heronjve të qiellit, sa dhe në të atyre të tokës, ai personifikohej mbi to, në fatin dhe ekzistencën e tyre. Veprat e mëdha tek ky cikël janë projektim i një konflikti tipik ekzistencial. Ato herë evokojnë thirrjen primordiale e hedoniste të një artisti e herë një katarsis instiktiv. Këto dy prirje të kundërta në tërësinë e vet ndërtojnë një ambiguitet sa kompleks, aq dhe trasgresiv. Bajo vishet me brirë si pan, apo dem… në esencë një egërsirë që i bindet instinktit, jo arsyes. Është një konflikt klasik mes Idit dhe Superegos, është subkoshenca që kërcen mbi arsyen dhe logjikën.

Dallova një kontrast, vepra nga ato si në miniaturë, deri tek ato më përmasa të zakonta…?

Këto diferenca lindën si zhvillim normal brenda krijimtarisë së tij. Edhe në vitet e mëparshme Bajo kishte materializuar veprat e tij në dimension studioje, mes shtatoresh dhe figurave në dimensione të vogla. Bajo ishte një skulptor interieri. Ai aty kishte rezultatet e veta maksimale. Bajo ishte skulptori i njeriut. Ishte bashkëudhëtar dhe adhurues i figurës së tij. Aty ai gjeti ekulibrin mes bukurisë, forcës dhe elegancës, aq sa dhe thirrjen primordiale ndaj jetës, forma shënjuese e krijimtarisë së tij.

Ju keni pasur një kontakt të afërt me Bajon, a është realizuar si ai do të kishte dëshiruar?

Kjo është pamundur të arrihet pavarësisht dëshirës sonë për të respektuar sa më shumë vullnetin e tij. Gjithnjë nga ideja fillestare, në vendosjen e veprave në hapësirë ka ndryshime të përcaktuara nga perceptimi i figurës në galeri. Kështu ndodhte dhe kur artisti ishte aty bashkë me kuratorin Ardian Kapo. Kështu ndodh në çdo ekspozitë, mjaft të kuptosh që edhe sikur të vendosësh të njëjtën pjesë krijimtarie në një galeri tjetër, ajo do modifikohet për t’u përshtatur me hapësirën e re.

Bajo ka qenë shumë i dashur për publikun, por doja të dija cilat ishin përshtypjet tuaja për vizitorët, publikun kur u ritakuan me skulpturat e tij të fundit?

Bajo ishte më shumë se social. Ai dukej sikur ndriçohej nga një diell personal, pasi rrezatonte një energji pozitive që të gjithë që e kanë njohur e konstatonin lehtë. Ai ishte një kombinim fatlum i talentit, kulturës të gjithanshme, vullnetit dhe inteligjencës. Me karakterin dhe dashurinë e tij ai bëri aq shumë miq e shokë, prandaj dhe humbja e tij duket se la një boshllëk kaq të madh, jo vetëm mes miqve por edhe në realitetin artistik shqiptar. Në hapje ekspozita priti rreth 200 persona dhe qindra të tjerë po e vizitojnë atë çdo ditë. Ajo do rrijë e hapur deri me 12 nëntor, e besoj do jetë një tjetër triumf edhe pse ai nuk është vetë për ta gëzuar. E sheh qartë këtë nga reagimi mediatik, nga gëzimi i studentëve dhe dashamirësve të artit, në vështrimin e kolegëve dhe miqve. “Mythodea” edhe pse nuk ishte planifikuar si simfonia e tij e fundit, ishte projekti më kompleks i Bajos. Aty ai do të kapte frekuencën e vet maksimale, si në përqasje estetike, ashtu dhe në thellësinë filozofike të temës. Për këtë arsye ai do të kujtohet gjatë, të paktën deri sa të kemi mundësi të ngremë ekspozitën restrospektive të tij, ku do të shpaloset e plotë fuqia e jashtëzakonshme e këtij krijuesi.

 

 

Botuar në BORDO, Nëntor 2022!

 

 

 

 

easy dinner ideas
Previous ArticleNext Article