
Nga Ilda Lumani
Është kulmi i verës, i shumëprituri gusht… Blerjet, rezervimet, përgatitjet, ndryshimet e planeve, eksplorimi i destinacioneve të reja, gjithë përgatitjet duket se mbaruan me korrikun, dhe tani të gjithë janë gati për të shijuar pushimet e plota!
E aty teksa rrini nën hijen e çadrës me të kaltërin det përpara sysh, muzikën e vendosur nga DJ në sfond, veshur me tendencat më të fundit të sezonit, me syzet dhe kapelet që kompletojnë look-un veror, por edhe një must nën diellin e nxehtë, shfletimi i BORDO është momenti më relaksues në ditët e nxehta të gushtit..
Si e tillë ky numër ofron gjithë ngjyrat e trendeve, aksesorëve, risive në make up, dhe kujdes lëkure, editoriale mode e bizhush, të kuruar nga profesionistët e këtij sektori në vend, mandej personazhet që ndajnë me ne histori të veçanta, gjithaq motivuese.
Amarda Toksa, Altin Lala, Ismet Shehu, tre emra, që tashmë mbajnë edhe kompanitë përkatëse të tyre ndajnë me ne rrugën drejt biznesit, guximin për t’u larguar nga profesioni i parë drejt mundësive të reja që jeta ofron.
Një natë në Butrint, sjell një panoramë të asaj çfarë ofroi eventi më i komentuar i kësaj vere “Yje mbi Butrint” me protagonist Timo Fllokon dhe krijimtarinë e tij si poet. Ngjarje që bëri bashkë emra të mëdhenj të fjalës dhe muzikës, nga Luiza Xhuvani te Pirro Çako e tenori Saimir Pirgu.
Riktheu gjithashtu me një nga hitet më të bukura të repertorit të saj, por edhe të muzikës shqiptare Ledina Çelon, me “Të ndjej të huaj”. Rast ky, që na ngacmoi edhe për këtë kopertinë të BORDO, rrëfimin e plotë dhe një set fotografik të dedikuar do ta gjeni në faqet e këtij numri.
Ndërkaq, në Men, do të takoni kantautorin Shpat Deda si dhe Golden BOY, Ansi Agolli, në mbyllje të karrierës së tij si yll i Kombëtares shqiptare.
Faqet e kulinarisë aq të dashura jo vetëm për amvistat, por për çdo shijues të ushqimit të mirë dhe cilësor, na çojnë në një nga restorantet më të njohura në vend, siç është “Restorant Rimini”, në Durrës. Një eksperiencë ndryshe që vjen në dy faqe të dedikuara.
Udhëtojmë në gjithë botën, nga Ksamili ynë që për herë të parë u shfaq edhe në Times Square, e deri te Montreali, që vjen nga blogerja jonë e udhëtimeve, Eda Bano.
Ky numër veror do t’ua bëjë më të bukur ditën tuaj në plazh.
Shijojeni dhe nëse ju pëlqen diçka, keni sugjerime, kritika, apo doni dhe të bëni një foto me BORDO, mos hezitoni ta bëni tag te BORDO MAGAZINE në Instagram, e të na shkruani në [email protected]
Pushime të mbara miq!


Qeveria miraton fondin për aktorin Genc Fuga!

Horoskopi ditor, e mërkurë 2 gusht 2023



Horoskopi për muajin Gusht 2023













Horoskopi ditor, e hënë 31 korrik 2023
