KreuStil Jetese

Historia brilante e dantellës

E butë, femërore, joshëse dhe elegante! Dantella ka gjasa të jetë ndër të paktat punime më të vjetra dhe autentike në botë të krijuara në mënyrë identike, edhe në ditët e sotme. Mes rreshtave të Biblës, profeti Isaia në Kapitullin 19, vargu 9, e përmend dantellën, madje e klasifikon atë si një tundim. “Ata që punojnë lirin e krehur dhe endësit e pambukut do të çorientohen”. Ndoshta qysh asokohe, sado primitive, dantella ishte po aq delikate sa sot, edhe pse burrat ishin ata që kishin privilegjin të visheshin me të…

Zanafilla e dantellës daton 2500 vjet para Krishtit, nga egjiptasit e lashtë, madje është zbuluar edhe në varret e Tebës material dantelle me fije prej liri. Arkeologët kanë prekur me dorë rrjeta të vogla të stolisura me rruaza shumëngjyrëshe prej porcelani, si pjesë të veshjeve dhe dekorit të lashtë, ç’ka edhe tregon se magjia e fijeve ka joshur njerëzimin që në krye të herës. Herë e punuar me grep, e herë me rrotull, faktet tregojnë se punimi i saj ndryshon shumë pak nga ajo që fabrikohet sot. Mendohet se dantella është drita e parë e cila ka orientuar njerëzimin drejt botës moderne, madje shumë më parë sesa pëlhurat, mëndafshi apo stofi të dyndej në gardërobat tona.

Origjina e fjalës dantellë i referohet fjalës latine ‘laqueus’, në gjuhën shqipe do të thotë lak, e gjithë kjo për shkak se me anë të fijeve krijoheshin disa nyje të cilat, pasi bashkoheshin krijonin një lak. Ajo punohej me fije liri ose mëndafshi, duke u thurur përmes një metode me gjilpërë ose rrotull, ku duke u kryqëzuar fijet me njëra-tjetrën ato krijonin një endje elegante. Në fillim të shekullit 16-të shitja e dantellës ishte një luks, aq e shtrenjtë sa mund të blihej vetëm me ar, sepse u kthye në një element mjaft të rëndësishëm, i cili ndante kastat mes të pasurve dhe shtresës mesatare. Me to nisën të krijoheshin shami, jaka, shalle, dorashka, kapele, kinde, çadra, çorape, palat e fustaneve, e deri tek maskat, qoftë tek burrat edhe tek gratë. Në fillimin ishin gjykatësit ata që do ta kishin pjesë të uniformave të tyre, e më pas nisi të hapej masivisht tek rangjet e larta kudo në Evropë. Në portretet e artistokratëve mund të hasësh elementet e dantellës, kryesisht në punimet e fundit të mëngëve ose jakave të veshjeve, shpesh tek butonat apo dhe tek fustanet, duke mbuluar dekoltenë. Pikërisht në këtë periudhë, nisën të shfaqeshin punimet me forma gjeometrike, duke i bërë dantellat më kreative, ç’ka zgjoi edhe interesin ndaj tyre.

Në Venecia dantella nisi të përhapej masivisht, duke bërë që të lindnin shpejt edhe manifakturat e para, po ashtu Kina dhe Turqia kishin të njëjtën rëndësi. Po ama Venecia dallonte për modelet e rafinuara dhe shumëllojshmërinë e ngjyrave. Në shekullin e 17-të në Francë dantella u bë jashtëzakonisht e rëndësishëme në oborrin e Luigjit të 14-të, aq sa dantellëpunuesit më të mirë shkuan aty për të plotësuar kërkesat e monarkëvë dhe aristokratëve. Nga inventari i gardërobës së Madame de Pompadour, rezulton se pafundësia e veshjeve dhe aksesorëve me qëndisma dantelle ishte një arsenal i vërtetë, madje shumë i kushtueshëm, nga kapelet deri tek butonat me diamante.

Me kalimin e kohës, ashtu si shumë veshje të tjera, dantella u zhvendos nga gardërobat mashkullore, duke ‘pushtuar’ tërësisht ato femërore, kjo pasi nisi të përdorej gjerësisht nga çdo shtresë e popullsisë. Ajo mbeti një aksesor i rëndësishëm i modës deri në shekullin e 18-të, duke nisur të thjeshtohet dalëngadalë përdorimi i saj. Për fat të keq, vetëm në fillim të shekullit të 19-të, kur nisi të prodhohej në fabrika, shkëlqimi i saj thuajse ishte zbehur, duke u zëvendësuar me copat e tjera. Pikërisht në këtë moment ato nisën të prodhoheshin vetëm për rastet ceremoniale të dasmave, kur nusja zgjidhte një fustan dhe vello prej dantelle, një simbol i pastërtisë dhe dlirësisë femërore.

Në fillim të shekullit të 20-të, artistët dhe stilistët nisën të dizenjonin motive të ndryshme të dantellës. Diku rreth viteve 1920, nisën të shfaqeshin edhe punimet e para në krijimet e stilistëve si Gabriele Chanel, e cila krijoi fustane luksoze kombinuar me mëndafshin dhe datellën. Popullariteti më i madh u arrit në vitet 1950, e më pas në 1980, ku emra të kohës si Elsa Schiaparelli, Christian Dior, Cristobal Balenciaga, Pierre Cardin, Yves Saint Laurent, Emilio Pucci, e shumë të tjerë e kthyen në muzë frymëzimi këtë material.

Dolce and Gabanna dizenjoi për artisten Madona një veshje unike e cila shërbeu si imazh i fushatës publicitare, teksa ajo prezantohej me lëkurë dantelle në klipin e këngës ‘Like a virgin’ në vitin 1984. Pikërisht në këtë moment ajo u kthye fuqishëm në dizenjot e veshjeve të sugjeruara nga të gjithë stiistët. Në fillim ishte vetëm pjesë e sugjerimeve të koleksioneve Praverë/Verë, por më pas edhe në ato Vjeshtë/Dimër, dantella nisi të alternohej me çdo element të modës, nga fustanet tek të brendshmet, këpucët, sandalet dhe çantat, duke u kthyer në një aksesor frymëzues për këdo. Sezon pas sezoni, dantella në pasarelat e New York-ut, Milanos, Londrës apo Parisit, shfaqet ngado. Stilisti Alexander McQueen ndoshta nuk do të kishte pasur këtë famë që ka edhe sot, nëse nuk do të kishte përdorur dantellën në mënyrë ekstreme në veshjet e dizenjuara prej tij, duke ju referuar traditës britanike.

Përtej dizenjos unike, por edhe pamja e saj, e bëjnë dantellën të jetë një material i cili transmeton sensualitetet, ndoshta mënyra më e mirë për të nxjerrë në pah feminitetin, qofshin ato princesha apo vajza të zakonta. Ideale për festa, martesa, madje edhe në momentet e dhimbshme, ajo ka shoqëruar shumë gra, që kanë besuar se kanë gjetur tek ajo një mikeshë besnike…!

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF