KreuStil Jetese

Receta gatimi; freskia e frutave të verës!

Në këtë sezon më shumë se çdo recetë gatimi, nga supat deri tek ëmbëlsirat, pjatat e ftohta, me apo pa akull, sidomos të shoqëruara me frutat e stinës, janë të duhurat, jo vetëm për të na mbajtur të freskuar dhe hidratuar, por edhe sepse janë të shëndetshme. Bordo ju sugjeron disa receta që mund të përgatiten në pak minuta, janë për gjithë familjen dhe shumëëë të shijshme…!

Smoothie me mjedër, banane dhe fëstëk

Përbërësit: 1 banane e pjekur, 150 gr mjedër, 1 lugë çaji me mjaltë të lëngshëm, fara Chia, manaferra dhe 20 gr fistikë të copëtuar.  Përgatitja: Në një tas hidhni fillimisht mjaltin e shkrirë, bananet dhe fëstëkun, kalojini të gjitha në një blender derisa të krijohet një masë homogjene. Në fund shtoni mjedrën dhe kalojeni shumë pak në blender bashkë me manaferrat në mënyrë që të mos grihen plotësisht. Shtoni sërish pak mjaltë dhe kontrollojeni sipas dëshirës për ëmbëlsinë. Pas të jetë gati, shtoni farat chia dhe përziejeni në mënyrë që ato të përhapen në të gjithë masën. Shtoni sipër për dekorim, por edhe për shije fëstëkun e grirë si dhe manaferra ose mjedër për dekor. Vendoseni në frigorifer para përdorimit.

Supë e ftohtë me pjepër

Përbërësit: 2 pjepra, 1 qepë, 1 burrata, arra macadamia, kripë, vaj ulliri ekstra i virgjër, spec djegës, uthull mjedre. Përgatitja: Pritni pjeprin në feta dhe më pas në kubikë. Në një tigan, skuqni një qepë me pak ujë dhe më pas shtoni pjeprin derisa të fillojë të shkrijë. Shtojini spec djegës dhe lëreni të gatuhet edhe për disa minuta. Kalojeni pjeprin në një sitë për të shmangur kokrrizat dhe më pas shtojini arrat macadamia dhe burrata.  Përzijeni supën dhe spërkateni sipër me vaj ulliri dhe uthull mjedre për t’i dhënë akoma më shumë shije. Futeni në frigorifer dhe lëreni të ftohet për t’u shërbyer e freskët.

Pjepër me krem ​​të ftohtë kokosi

Përbërësit: 2 pjepra jo shumë të mëdhenj, 300 gr miell kokosi, 40 gr niseshte patate, 100 gr sheqer kafe, 4 lugë kos, 1 lime e madhe, 1/2 gotë rum, kripë, gjethe menteje. Përgatitja: Hiqini lëvoren lime. Në një tenxhere, hidhni miellin e kokosit, sheqerin, një majë luge kripë, lëvoren e lime dhe një litër e gjysmë ujë. Vendoseni në zjarr dhe lëreni të gatuhet në zjarr të ngadaltë për rreth gjysmë ore, hiqeni nga zjarri përzierjen dhe kalojeni përmes një site. Shtoni niseshtenë e holluar veçmas në dy lugë ujë në përzierje. Vendoseni përsëri në zjarr, spërkatni rumin, lëreni të avullojë dhe më pas lëreni kremin të trashet për një çerek orë në zjarr të ngadaltë. Në fund shtoni lëngun e lime, trazojeni dhe hiqeni nga zjarri. Pritini pjeprat në gjysmë, hiqni farat dhe përdorni lugën speciale duke e nxjerrë tulin sa më shumë në formë topash të vegjël. Shtoni kosin dhe topat në kremin e kokosit i cili është ftohur dhe lëreni aty për pak minuta për t’u aromatizuar. Merrni pjesën e mbetur të pjeprit dhe zgavrën mbusheni me topthat e vegjël të aromatizuara bashkë më kremin e kokosit. Dekorojeni me gjethe menteje dhe miell kokosi.

Tiramisu me kos dhe fruta

Përbërësit: 400 gr kos, 500 gr fruta të freskëta të përziera, 2 pjeshkë, 120 gr biskota, 2 lugë tërshërë,  30 gr bajame të grira, ½ gotë me lëng mjedre, 3 lugë sheqer Përgatitja: Për të përgatitur tiramisunë e kosit dhe frutave, fillimisht lani, pastroni dhe prisni frutat. Hidhini në një tas dhe sheqerosini, përziejini dhe lërini të pushojnë në një vend të freskët. Nëse doni që të mos ngrijë shumë, kosit shtojini pak krem pana dhe së bashku kalojini në mikser derisa të krijohet një masë homogjene. Është koha për të implementuar pjatën. Në një tas qelqi të thellë, shtroni një shtresë biskotash, pastaj vendosni një shtresë kos dhe sipër një shtresë me fruta. Sherbetoseni me lëng mjedre për ta aromatizuar. Vendosni sërish një shtresë me biskota dhe sërish kosin, pjesa e sipërme e të cilit duhet të mbulohet me fruta, ku disa që janë të vogla si boronica apo qershia, mund të lihen të paprera. Në një tigan vendosni bajamet e grira dhe tërshërën, kalojeni në zjarr për 1 minutë derisa të thekrohen dhe shtojani dekorit të frutave. Vendoseni tiramisunë në frigorifer për disa orë dhe është gati për t’u shërbyer.

Ujë i aromatizuar me kajsi dhe livando

Përbërësit: 1l ujë mineral, 200 g kajsi, 100 gr boronicë, 1 lugë çaji me lule livandoje Provence për përdorim ushqimor . Përgatitja: Lani me kujdes kajsitë dhe boronicat, brenda një kullese, bashkë me lulet e livandës. Lërini mënjanë për të kulluar dhe pritini kajsitë në copa. Në një kavanoz qelqi shtroni fillimisht boronicën, kajsitë dhe sipër lulet e livandës, shtojini lëngun mineral, mbylleni hermetikisht dhe vendoseni në frigorifer. Pas 3 orësh në frigorifer, ujin kalojeni në filtër dhe është gati për t’u shërbyer, e shoqëruar me ndonjë kajsi. Kjo është një recetë e freskët dhe shumë e shëndetshme.

Cheesecake me pjeshkë

Përbërësit; 250 gr biskota, 125 gr gjalpë i shkrirë, 750 gr djathë i freskët, 170 ml krem i freskët, 100 gr sheqer, 1/2 bustinë vanilje, 10 gr xhelatinë. 1 kavanoz komposto pjeshke, 1 nektarinë, bajame të grira. Përgatitja: Filloni me biskotat, të cilat më parë duhet t’i kaloni në një mikser që të ngrihen. Më pas shtoni gjalpin dalëngadalë derisa të krijohet një brumë i shkrifët. Masën e brumit vendoseni në një tepsi duke krijuar një petë me diametër 22 centimetra. Vendoseni në frigorifer për të pushuar për disa minuta, para se të realizoni mbushjen.  Futni qesen e xhelatinës në një enë me ujë të ftohtë, ndërsa në një tas tjetër hidhni djathin e freskët, sheqerin, krem ​​dhe vaniljen. Përziejini derisa të krijohet një masë homogjene dhe në fund shtoni xhelatinën.  Hidhni kremin sipër biskotave dhe përhapeni me anë të një spatule në mënyrë të njëtrajtshme. Vendoseni në frigorifer për të paktën 4 orë. Më pas vendoseni në enën me të cilën do ta shërbeni, dekorojeni sipër me komposton e pjeshkës si dhe nektarinën e prerë hollë, ndërsa kompostoja duhet të jetë e ndarë përgjysmë. Shtojini sipër sipas dëshirës shurup dhe bajame të grira, të cilat mund t’i keni kaluar më parë në tigan për të qenë sa më krokante.

Tortë e ftohtë me shalqi

Përbërësit: 1 shalqi, 400 ml krem pana, 30 gr sheqer pluhur, 60 gr bajame, 60 gr arra, 2 lugë boronicë, 6 luleshtrydhe, 2 kivi dhe 2 lugë pluhur kokosi. Përgatitja: Pritni fillimisht shalqinin duke eleminuar pjesën e saj të gjelbër derisa të krijoni një formë cilindrike. Kujdes, prerja duhet bërë në mënyrë të tillë që të mos mbetet pjesa e bardhë e lëvorës, por vetëm ajo e kuqe. Pasi ta keni prerë në formë cilindrike, jeni gati për montimin e ëmbëlsirës. Rrahim kremin e ftohtë me sheqerin derisa të krijohet një masë homogjene. Më anë të një spatule mbuloni të gjitha anët e shalqinit me kremin dhe lëreni në frigorifer të pushojë për 10 minuta. Copëtoni arrat dhe bajamet në forma mesatare dhe më to mbuloni të gjithë pjesën anësore të tortës, ndërsa sipër vendosni boronicat dhe kivin e prerë në kubikë. Spërkateni sipër me plohur kokosi dhe vendoseni në frigorifer për 30 minuta.

Tags:

Home bordo

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF