Komediania e njohur Ellen DeGenere dhe bashkëshortja e saj Portia de Rossi kanë festuar këtë të mërkurë 15-vjetorin e martesës. Me rastin e këtij përvjetori prezantuesja e njohur ka bërë një postim në rrjetin e saj social Instagram, ku si gjithmonë nuk i ka kursyer fjalët e zemrës për partneren e saj.
Ajo ndau një foto të lezetshme të saj dhe Portia de Rossi, 50 vjeçe, teksa ndodheshin në një varkë në një oqean piktoresk. Të dyja duken shumë të dashuruara teksa festonin përvjetorin e martesës së tyre!
“Për gruan time prej 15 vitesh, unë dashurohem me ty çdo ditë. Jeta ime është e bekuar sepse ti je në të. Gëzuar përvjetorin”, ka shkruar ajo, teksa të shumta kanë qenë urimet për to nga ndjekësit dhe miqtë e tyre.
Që kur “Ellen DeGeneres Show” përfundoi në vitin 2022, Ellen dhe Portia kanë qenë paksa diskrete për jetën e tyre private. Megjithatë, Ellen ndau me ndjekësit një selfie të ëmbël në Instagramin e saj në qershor.
Ellen dhe Portia janë bashkë që nga viti 2004. Ato vazhdimisht shprehin publikisht dashurinë që ndjejnë për njëra-tjetren.
“Mendova se çfarë arritjeje më të madhe mund të kem ndonjëherë në jetën time sesa të jem e dashur nga dikush që është kaq madhështor dhe i pabesueshëm sa ti”, tha Portia de Rossi disa kohë më parë, “Sa me fat jam që jam me dikë që më pranon ashtu siç jam” .