KreuCelebrity

Ekskluzive/ Elva Margariti rrëfehet jashtë protokollit!

Ekskluzive/ Elva Margariti rrëfehet jashtë protokollit!

Nga Olsi Kolami

Në një nga ditët e nxehta të korrikut, para hyrjes së Bibliotekës Kombëtare, hapat e mi u përzien me ato të një grupi vajzash. Ktheva kokën, pashë mes tyre siluetën elegante të ministres së Kulturës, Elva Margariti. E veshur me një xhaketë të bardhë, pantallona të zeza dhe duart e kryqëzuara, ku spikaste një manikyr i zi, vura re kërshërinë e saj sesi me një shikim të ngrohtë dëgjonte shoqërueset e saj. Portreti, nuk i ngjan aspak atyre të ministrave autoritarë, por ka një feminitet natyral, me flokët bionde, një buzëqeshje organike, si një pikturë e Boticcelit e sjellë nga Firence në Tiranë. Kam bindjen se pesë vitet e fundit në krye të dikasterit që drejton politikat e kulturës, janë të mbushura me ngjarje që kanë shënjuar rolin e padiskutueshëm të Elva Margaritit, e cila përpos përulësisë së saj për të mos pranuar, se jo gjithçka është meritë e saj, e vërtetë është se askush nuk mund të fshijë kontributin e saj. Ndaj “Bordo” vendosi të takonte Elvën, në një profil jo vetëm si ministre, por edhe si arkitekte, grua dhe mama.

Ju rikthyet pas 8 vitesh Festivalin e Gjirokastrës, me një vëmendje të pabesueshme, ju ishit vetë aty, çfarë ndjesie ju dhuroi, pasi zgjoi trashëgiminë, por edhe prenotoi tërësisht Gjirokastrën?

Është një ndërthurje ndjesish, por e pranoj se ndihem mirë që jehona e festivalit vazhdon të jetë kaq e gjallë. Ende marr përgëzime, çka më bën të besoj se arritëm të vendosim një standard të ri në organizimin e aktiviteteve të këtyre përmasave. Festivali i Gjirokastrës 2023 tashmë është një pikë referimi për çdo aktivitet që do të zhvillohet më pas, sepse nuk kishte ndodhur ndonjëherë më parë që një qytet i tërë të kthehej në një skenë të madhe festive, ku çdo rrugicë e kalldrëmtë, çdo shtëpi-monument kulture, çdo portë e sofat ishte pjesë e një skenografie gjigante, që pa dyshim kulmoi në Kalanë e Argjirosë, me një skenë spektakolare thurur me kilometra fije, si një homazh për artizanët tanë. Ishin mbi 1200 artistë që u ngjitën në skenë, ndërkohë që publiku ishte aq i shumtë në numër, saqë Gjirokastra nuk mund t’i mbante dot dhe u akomoduan edhe në Sarandë, Përmet e Delvinë. Një punë e bërë me shumë pasion nga një skuadër e madhe njerëzish, që arritën të ngrenë dhe të mbajnë në këmbë një edicion historik. Për mua do të mbetet patjetër i pashlyeshëm çdo përqafim me artistë e banorë të Gjirokastrës, falënderimet dhe uratat që kam marrë që këtë festival e kthyem me madhështinë që meriton folklori ynë. Por ishte edhe një moment për t’iu rikthyer ca momenteve të fëmijërisë, siç ishte të rimerrja gjilpërën për të qëndisur apo të ndieja erën e kafes që piqej në qebap. Aty kuptoje se ca ndjesi nuk humbasin kurrë, thjesht përgjumen.

Ministria juaj në dukje ngjan si një dikaster “i peshave të lehta”, por në rrjetën e kulturës ka artin në të gjitha format, teatër, kinema, letërsi apo trashëgimi, duke e kthyer në “pesha të rënda”, cilat janë prioritetet?

Thonë se bukuria qëndron në sytë e shikuesit, por, natyrisht, nuk dua të mendoj se pas shikimit tuaj për Ministrinë e Kulturës qëndron hija e “rëndë” e një dikasteri të “peshave të lehta”. Sapo keni hapur kutinë e Pandorës dhe do të duhet të rrimë bashkë shumë gjatë. Sa orë kemi në dispozicion?! Përtej shakasë, kultura është një nga ato dimensione pa të cilën vetë qenia njerëzore do të ishte ende në erën paraneolitike. Kultura është pasqyra e asaj që ne jemi, ndaj edhe kemi punuar fort që ajo të shkojë kudo dhe te kushdo. I lënë pas dore për dekada, nisëm punën për ringritjen e imazhit të institucioneve tona dhe krijimit të kushteve dinjitoze për artistët dhe publikun. Nisi me Teatrin e Operës dhe Baletit, për të vijuar me Galerinë e Arteve, Teatrin Kombëtar, Sallën e Koncerteve në Universitetin e Arteve, Qendrën Kombëtare Kulturore për Fëmijë, Aneksin e Bibliotekës Kombëtare, Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun “Besa”, ish-Piramidën… Vetë ish-Kinostudio që po shndërrohet në një park arti, ndërsa programi madhor “Art në Hapësirat Publike” po prek nyja në gjithë Shqipërinë… Për të vijuar me projektet e rijetësimit të monumenteve të kulturës përmes disa programeve, si ai EU4Culture dhe Bonusi i Rijetësimit. Të gjitha këto, e shumë më tepër se kaq nuk janë “pesha” të lehta apo jo?!

Ju përgëzoj për nismat që mbështesin trashëgiminë, cilat janë planet që përfshijnë këtë sektor në listën e UNESCO-s apo institucione të ngjashme?

Xhubleta në UNESCO ishte patjetër lajmi i vitit që lamë pas. Një gëzim i bukur, që na ka nxitur adrenalinën që të mos mbetemi këtu, po ta pasurojmë atë listë, sepse Shqipëria dhe shqiptarët kanë shumë ç’t’i tregojnë botës. Mund t’ju zbuloj se ndër dosjet e hartuara në bashkëpunim me partnerin tonë AADF, që do të shqyrtohen nga UNESCO janë, Kcimi i Tropojës, Transumanca, Këndimi me lahutë i këngëve të kreshnikëve dhe fototeka e pasur e “Marubit”. Ky është pa dyshim publiciteti më i mirë që mund t’i bëhet Shqipërisë.

Pas shumë debatesh për teatrin, duket se së fundmi kemi një fytyrë të skenës teatrale, shumë shfaqje, aktorë me projekte konkrete… Po për aktorët dhe regjisorët e rinj, cilat janë mundësitë që ofrohen?

Teksa po punohet për ngritjen e një teatri të ri kombëtar, që do t’i kthejë dinjitetin artistëve dhe vetë artit të fjalës, dy institucionet tona, Teatri Kombëtar dhe ai Eksperimental “Kujtim Spahivogli” vijojnë me kalendarin e tyre të shfaqjeve, që këtë vit u shtrinë edhe gjatë sezonit të verës. Jemi përpjekur t’i japim teatrit sa më shumë frymëmarrje, duke mbështetur jo vetëm skenën e pavarur, por edhe regjisorët e rinj. Është kthyer në traditë tashmë Fondi i Teatrit për të Rinj, ku çdo element i veprave realizohet nga artistët e rinj jo vetëm në Tiranë, por kudo në Shqipëri ku ka skena teatrore.

Po për sa i takon letërsisë, ku është fokusi i Ministrisë së Kulturës?

Ka një institucion të dedikuar për krijimtarinë letrare e studimore, që është Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, e cila tashmë është kthyer në shtëpinë e çdo shkrimtari, përkthyesi, studiuesi të letërsisë e patjetër botuesi. Një qendër që çon përpara politikat e Ministrisë së Kulturës për nxitjen e krijimtarisë dhe leximit, përmes fondeve, çmimeve dhe fushatave. Ndërkohë që një nga ngjarjet më të mëdha për Shqipërinë ka qenë pa dyshim pjesëmarrja si “i ftuar nderi” në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Torino 2023, ku vendi ynë u paraqit në një mënyrë spektakolare me një pavijon-instalacion, si një homazh kushtuar veprës së shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare dhe një program me mbi 40 aktivitete, me dhjetëra shkrimtarë e të ftuar.

Vitet e drejtimit të Ministrisë së Kulturës nga ju do të mbahen mend edhe për koncertet e artistëve të mëdhenj në Tiranë, po çfarë ju bën më shumë krenare?

Kjo që thoni ju është e pashmangshme, edhe pse do të thosha se nuk është tërësisht e vërtetë dhe e pranueshme për mua, pasi nuk besoj se më qepët si i vetmi kostum në trup. Ardhja e Placido Domingo-s, Rita Orës, Dua Lipës, Enrique Iglesias-it, Ricky Martin-it e ka futur Shqipërinë në rrjedhën normale të jetës kulturore që ka çdo metropol europian, por ajo që më bën më shumë krenare nuk janë fishekzjarrët e një nate, por puna e përditshme për të qenë pranë njerëzve: për të rimëkëmbur monumentet e kulturës, për të restauruar dhe rijetësuar banesat, që sot janë kthyer në biznese të suksesshme familjare dhe presin e përcjellin mijëra vizitorë e turistë; për të ndihmuar çdo të ri e të re që ashtu si unë kanë zgjedhur të kthehen ose ta shohin të ardhmen e tyre ngushtësisht me Shqipërinë.

Tani që në agjendën tuaj të përditshme kryefjala janë politikat kulturore, a gjeni kohë për arkitekturën?

Frymën e arkitektes e kam përcjellë dhe lidhur ngushtësisht me shumë punë që po çojmë përpara në Ministrinë e Kulturës. Shtimi i numrit të kantiereve për krijimin e hapësirave të reja kulturore apo edhe i nismave që lidhen me restaurimin dhe rijetësimin e trashëgimisë kulturore, ndoshta, janë ndikuar e nxitur edhe nga profesioni. Ndërkohë që besoj se edhe ju i keni ndjekur konkurset ndërkombëtare, që kemi zhvilluar për projektet arkitekturore të qendrës së vizitorëve në Butrint, Muzeun Hebraik në Vlorë, muzeun “Besa” në Tiranë, pa lënë mënjanë dhe pjesëmarrjen në juri ndërkombëtare për projekte madhore me karakter kulturor apo sportiv. Kështu që nuk i kam lënë vetes kohë të më marrë malli për arkitekturën, për aq kohë sa ajo është pjesë e përditshmërisë.

Elva, mama me kohë të plotë apo me kohë të pjesshme, sa kohë kaloni me vajzën tuaj dhe familjen?

Një mama nuk mund të jetë kurrë me kohë të pjesshme, sepse edhe kur nuk është fizikisht me mendje është gjithnjë pranë fëmijëve. Kemi një raport shumë të veçantë dhe ndonjëherë ia lejoj që të “ndryshojmë” rolet. Pavarësisht orëve të gjata në zyrë apo kantiere, përpiqem që të rikuperoj, duke shfrytëzuar çdo moment të mundshëm për të qëndruar me vajzën time, për të ndarë aktivitetet dhe shqetësimet e ditës, për t’u marrë me detyrat e shkollës apo për të bërë gjërat që ajo ka më shumë pasion, siç janë aktivitetet në natyrë, ecjet e gjata, ngjitjet, por edhe realizimin e handcrafte-ve, që nxisin fantazinë dhe kreativitetin.

Jam shumë kurioz të di, a gatuan një ministre? Nëse po, çfarë?

Po, patjetër. Gatimi, por edhe të mbledhurit bashkë rreth një tavoline të madhe me familjarë apo miq, është një nga ato rituale që më ndihmojnë për “rikarikim” energjish. Edhe më herët ishin të shpeshta rastet kur ftoja miq e të afërt për të provuar një recetë të re, që mund të ishte një eksperiment apo një recetë gjysheje e sjellë në formë “moderne”. Por çka adhuroj të gatuaj janë ëmbëlsirat. Aty derdh gjithë fantazinë time. Ndoshta sepse ëmbëlsirat në vetvete asociohen me festën, me gëzimin.

Di që keni një raport të veçantë me Italinë, çfarë ju mungon më shumë?

Italia është atdheu im i dytë. Kam kaluar 16 vite të mrekullueshme, që kanë ndikuar në formimin tim si njeri dhe si profesioniste. Kështu që një pjesë Italie e kam marrë me vete, por më duhet ta pranoj që më mungon në veçanti Firenze; çlodhja dhe mbushja me energji që më jepnin ecjet thjesht buzë lumit ose soditjet e gjata ulur mbi urë, por mbi të gjitha miqtë e veçantë, me të cilët kaloja ato momente.

Që nga momenti që jeni bërë ministre, çfarë keni sakrifikuar në stilin e jetesës?

Më shumë orë në zyrë, më pak udhëtime si një turiste e thjeshtë, duke shijuar rrugicat e qyteteve me zhurmën dhe aromat karakteristike; një stil më i përmbajtur në veshje, më pak aktivitet fizik dhe orë të kaluara me shoqërinë.

Çfarë muzike dëgjoni kur jeni vetëm?

Muzika vazhdon të jetë një konstante e qëndrueshme në jetën time, që nuk e kam “sakrifikuar” për hir të detyrës, dhe që më pëlqen ta shijoj vetëm dhe në shoqëri. Jam e hapur ndaj zhanreve të reja, dëgjoj shumë lounge chill, dance electronic, sidomos gjatë ecjeve nga liqeni apo në palestër, nuk mungon asnjëherë në playlistë Oceansvs Orientalis, pa harruar Dua Lipën që e këndoj bashkë me vajzën time. Por nuk mund ta mohoj që shpesh ndihem nostalgjike edhe për muzikën e mirë, që dëgjonim në vitet e gjimnazit. Muzikë rock me zë të lartë. ?

Hera e fundit kur keni pirë një gotë me shoqet e gjimnazit apo fëmijërisë?

Një nga traditat më të mira që kemi ruajtur, pavarësisht karrierave, është takimi me shokët e gjimnazit. Vazhdoj të mbaj lidhje të ngushta me ta, madje disa syresh janë edhe pjesë e politikës aktive shqiptare apo artit. Dhe, me gjithë ngarkesat e së përditshmes, e gjejmë kohën për të pirë një gotë së bashku dhe për të kujtuar kohën kur ishim të shpenguar. Kushti i vetëm është që të mos flasim për punën. Hera më e fundit që jemi takuar ka qenë në muajin korrik.

Për çfarë do të donit të mbaheshit mend në fund, si Elva ministre apo Elva arkitekte?

Posti i ministrit është fare i përkohshëm. Shumë kanë qenë e do të vijnë pas meje. Ndërsa si arkitekt do të duhej të jesh një Gaudi, Lloyd apo Hadid që të kujtohesh si i tillë. Nëse me “fund” nënkuptojmë largimin nga kjo botë, do të doja të kujtohesha thjesht si një njeri i mirë, dhe për raportet dhe kujtimet personale që kam lënë te njerëzit. Kjo është ajo që lëmë vërtet pas dhe që, nuk e di, ndoshta e marrim dhe me vete diku, përtej…

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF