KreuCelebrity

Loré: Dua të bëj histori me muzikën time!

Loré: Dua të bëj histori me muzikën time!

Nga Anita Aliaj

Të depërtosh në tregun muzikor, duhet thënë që nuk është fort e lehtë! Por kur talenti, dëshira bashkohen me këmbëngulje, vullnet dhe shumë punë, asgjë s’është e pamundur. I tillë duket se ka qenë edhe nisja e rrugëtimit të Lorés, e cila edhe pse dëshirën për të kënduar e ka patur që në vogëli, është dashur që të përballet me një ‘luftë’ disavjeçare me prindërit e saj për ta portretizuar këtë pasion. E pas kësaj ‘fitoreje’, asgjë tjetër nuk mund ta ndalojë artisten e re. Në një bisedë me “Bordo”, Loré me bindje shprehet se ajo nuk dorëzohet, edhe pse rrugëtimi hera-herës mund të jetë sfilitës për artistët e rinj. Ëndrra e saj më e madhe është të bëjë histori nëpërmjet artit të saj dhe t’i bëjë njerëzit të ndihen të përfaqësuar me muzikën që ajo bën. Aktualisht, Loré është duke punuar për një EP, pjesë e të cilit është edhe kënga “Funk it” që lançoi gjatë sezonit veror. Pa hezitim, këngëtarja siguron që materialet që do të sjellë janë një cikël shumë i bukur ndjesish dhe emocionesh personale.

U duk sikur ky sezon veror shënoi një bum artistik për shumë artistë, po për Loré si shkoi kjo verë?

Kjo verë ka qenë shumë voluminoze, vërtet. Për mua kjo që vera e lançimit të këngës së parë të ciklit të ri, ose ndryshe quajtur e albumit tim të parë, EP. Pjesa tjetër pas publikimit të këngës ka qenë punë e përditshme për materialet e radhës, që do të jenë shumë surprizuese.

Funk it” është kënga e parë e EP-së suaj, një këngë shumë e bukur e tejet verore, shkoi gjithçka sipas pritshmërive? Çfarë ‘feedback’ morët?

“Funk it” ka qenë materiali më “qejf” që kam punuar ndonjëherë, si nga audio, ashtu edhe nga ana vizuale me klipin. Ngjyra të viteve ‘80 të ndërthurura me një vibe pop 2023-sh, një klip super pozitiv gocash, shkoi e gjitha shumë mirë. ‘Feedback-u’ ka qenë tepër pozitiv, edhe pse ajo si këngë nuk ka vibruar në një frekuencë me të gjithë lançimet e tjera të kësaj vere. Përsëri, jam shumë e lumtur.

Emra të njohur të artit shqiptar, si Shpëtim Saraçi, Alban Kondi, çfarë do të thotë kjo për Lorén?

3 breza në një material. Të punosh me këta emra është privilegj dhe eksperiencë nga e cila mëson shumë. Çelësi qëndron te të qenurit gjithmonë student, përpara asaj që bën, dhe të kesh gjithmonë uri për të mësuar më shumë. Unë mund të them që jam një studente shumë e mirë (qesh).

Si lindi lidhja juaj me muzikën? A ka qenë një ëndërr fëmijërie, e bërë realitet?

Dëshirë e hershme, që nga koha kur këndoja me krehër në dorë. Pas një ‘lufte’ disavjeçare me prindërit për ta portretizuar si pasion, nuk kishte asgjë tjetër që mund të më ndalonte. Realitet nuk di të them nëse e kam bërë ende, kam plane shumë të mëdha në këtë drejtim.

Sa e vështirë është sot që artistët e rinj të depërtojnë në tregun muzikor si fillim, e më pas të mund të dalin në sipërfaqe?

Është gjithmonë e më e vështirë. Të gjithë ne që quhemi artistë të rinj, jemi në luftë konstante për të sjellë risi, e për të bërë një lloj revolucioni në muzikë. Ky mision do një këmbëngulje sfilitëse, gjë që hera-herës kthehet në shteruese dhe demotivuese për artistin e ri. Por unë nuk dorëzohem, dhe si rrjedhojë asnjë nuk duhet ta bëjë. Ka vend për gjëra të reja dhe ka edhe dëgjues që të presin pikërisht ty – të ndërrosh timonin e industrisë. Suksesi është vetëm një këngë larg.

Cili është vendi më i bukur që vizituat këtë verë?

Më duhet ta pranoj që këtë verë nuk kam lëvizur nga studio, edhe pse adhuroj të udhëtoj e të shkëputem nga realiteti. Mbase shtatori do të jetë muaji im i pushimeve, kushedi! Kam edhe shumë punë përpara (qesh).

Cila është ëndrra juaj më e madhe?

Ëndrra ime më e madhe është të bëj histori nëpërmjet artit tim. Ëndrra ime më e madhe është të dëgjoj njerëz të thonë se muzika ime flet për jetët e tyre, dhe se ndihen të përfaqësuar. Ëndrra ime më e madhe është të bëj një jetë ku të mos më shterojnë kurrë ëndrrat, dhe të jem e aftë t’i realizoj ato.

E tashmë që shtatori ka trokitur, cilat janë projektet tuaja? Mund të ndani diçka me ne dhe me gjithë lexuesit e “Bordo”..?

Siç thashë edhe më parë, unë sapo kam nisur lançimin e EP-së sime, një album me 5-6 materiale që do të përmbledhin një cikël ndjesish dhe emocionesh personale. Do të vijnë shumëngjyrëshe dhe eksperimentale. Jam e bindur që do t’ju pëlqejnë dhe mezi pres t’i dëgjoni me radhë të gjitha këngët ?.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF