
Nga Nada Biraçi
I njohur për pasionin që ka për eksplorimin e botës, këtë verë gazetari Arjan Konomi realizoi një ndër udhëtimet më të rralla të jetës së tij. Dëshira për një aventurë nordike e çoi Konomin në skajin më verior të Tokës, në Svalbard. Postimet e tij në Instagram zgjuan jo pak kërshërinë tonë, për të mësuar më shumë rreth ‘Mbretërisë së Ariut Polar’, ndaj Arjan Konomi u tregua tejet i gatshëm për të ndarë me lexuesit e “Bordo”, ditarin e atij udhëtimi.
Arjan, duke ju ndjekur nga rrjeti social Instagram kemi parë që keni bërë një udhëtim shumë të veçantë këtë verë, duke shkuar deri në skajin më verior të Tokës…Pse zgjodhët pikërisht Svalbard?
Udhëtimi ka qenë dhe është pasioni im i jetës që në moshën 20-vjeçare, edhe pse atëherë jo me shumë para me vete, madje ndonjëherë nisesha edhe vetëm me një çantë në krah drejt një aventure të panjohur. Ky pasion për udhëtimet apo për eksplorimin e botës, me siguri ka nisur nga fakti që nëna ime ka qenë mësuese gjeografie dhe kur isha fëmijë luaja me hartat gjeografike, dhe kjo ishte loja e preferuar e fëmijërisë. Këtë verë zgjodha të bëja pushime atipike verore, duke shkuar pikërisht në Svalbard në Arqipelagu Spitsbergen, që është pika më veriore e Tokës, pasi ky arqipelag më ngjallte fantazi për pozicionin gjeografik në të cilën ndodhet. Mendoni pak, merrni një glob në dorë dhe çoni gishtin në skajin më verior duke thënë ‘këtu dua të shkoj’, është vërtetë emocionuese. Svalbard është pika e Globit më e afërt me Polin e Veriut e banuar nga njerëzit. Dielli ndriçon 24 orë gjatë 6 muajve, që është ditë e vazhdueshme. Më 21 qershor solstici i verës që në Shqipëri është dita më e gjatë e vitit, atje dielli bën një trajektore minimale në qiell. Pra qëndron thuajse në të njëjtin pozicion. Ndërkohë që në anën tjetër të Globit, në Polin e Jugut janë 6 muaj natë. Në Polin e Veriut atë periudhë që e vizitova unë, dielli qëndron në një pikë të vetme dhe nuk lëviz. Sa më afër tij të jesh, aq më pak dallohet lëvizja nga Toka..
Me siguri kishit lexuar më parë rreth atij destinacioni, por a kishte diçka për të cilën nuk ishit përgatitur?
Nuk e mendoja që nga frika e ariut polar, nuk lejohej të dilje jashtë vetëm. Pra ishte pothuajse e pamundur të lëvizje i vetëm atje pa patur një guidë apo njerëz të armatosur. I gjithë qyteti ishte pajisur me tabela që të lajmëronin, të keni kujdes nga ariu polar sepse vërtetë që ishte i rrezikshëm. Çdokush që dilte në rrugë ishte i pajisur me armë (të gjithë kishin leje të mbanin armë), sepse frika nga ndonjë sulm i mundshëm të ariut polar ishte e madhe. Edhe pse është një kafshë shumë e mbrojtur për shkak se futet te specie e rralla, nëse ndokush mund të ndihej ndonjëherë në rrezik për jetën lejohej ta qëllonte me armë.
Siç e thatë edhe ju, Svalbard njihet si ‘Mbretëria e Ariut Polar’. I patë nga afër?
Do të doja, por kush guxon ta bëjë atë (qesh). Është kafshë shumë rrezikshme, sulmojnë gjithmonë dhe cilësohet si kafsha më e rrezikshme në botë. Munda t’i shoh me anije nga një lloj distance.
Cila ishte eksperienca më e veçantë që përjetuat në atë udhëtim?
Ishte vizita e Pyramiden, qytetit fantazmë. I vetmi në botë i këtij lloji. Them i vetmi, sepse prej vitit 1996 në atë qytet nuk ka banuar asnjë njeri, e megjithatë ndërtesat për shkak të temperaturave të ulëta janë ruajtur në mënyrë perfekte.
Ky territor është administruar nga Rusia qysh ne kohën e Bashkimit Sovjetik. Ka patur afro 1500 banorë që merreshin me minierat e qymyrit, por pas aksidentit ajror ku avioni me specialistë dhe punëtorë rusë, bashkë me familjet e tyre u përplas në malet mbi aeroport në vitin 1996, rusët e braktisën këtë qytet totalisht. Vetëm pas afro 10 vitesh janë kthyer disa persona, që jetojnë aty dhe numri i tyre është vetëm 7. Ndërsa gjatë verës numri rritet në 11 apo 13 veta, të cilët bëjnë giuda për turistët. Në Pyramiden nuk është dëmtuar asnjë ndërtesë, pasi temperaturat polare që arrijnë deri në -40 gradë, nuk lejojnë amortizimin e ndërtesave. Është llogaritur që edhe pas 500 vitesh, ky qytet do të mbetet në gjendjen që është. Një eksperiencë tjetër e paharrueshme është edhe vizita në Kasafortën Globale të Ruajtjes së Farave. Kjo kasafortë është e fshehur rreth 120 metra e thellë në tokë, më saktësisht e vendosur në një mal në arkipelagun norvegjez të Svalbard, në Arktik. Kjo dhomë është e blinduar dhe është e përgatitur të përballojë shpërthimet bërthamore, shpërthimet vullkanike, tërmetet dhe fatkeqësitë e tjera, natyrore dhe njerëzore. Një tjetër objektiv i Kasafortës së Farave është të ruajë sa më shumë të jetë e mundur nga materiali gjenetik unik në botë.
Mund të ndani me ne zakone apo rite të çuditshme me të cilat u hasët atje?
Ishte zakon që kur futeshe në restorante, hotele apo në çdo ndërtesë tjetër të hiqeshin këpucët. Kjo sepse aty toka ka një farë lagështire dhe bimësia, myshqet apo edhe balta ka krijuar këtë zakon që ata tashmë e kanë mënyrë jetese. Dukej diçka shumë familjare dhe e ngrohtë, dhe mua më pëlqente ai zakon. Sa i përket banorëve aty që janë rreth 1000 veta, më bënte shumë përshtypje lidhja e ngushtë që ata kishin me borën, natyrën e madje edhe me ariun polar.
Akullnajat e Polit të Veriut janë një ndër spektaklet e natyrës. Si ishte kjo t’i shihje nga afër?
Oqeani Arktik, ose si njihet ndryshe Oqeani i Ngrirë i Veriut, në qendër të tij ndodhet Poli i Veriut në paralelin 90 gradë, që është një pikë e vetme në ujë. Poli i Veriut pra është në ujin e ngrirë të akullnajave. Akullnajat janë një nga karakteristikat e kësaj zone, të krijuara nga ngrirja e dëborës para 20 mijë vitesh, nga të cilat shkëputen male akulli, të njohura si Ajsbergë. Temperaturat maksimale tani në verë shkojnë në 2 gradë, por vitet e fundit janë shënuar edhe më të larta për shkak të ngrohjes globale. Akullnajat në Polin e Veriut janë krijuar 20 000 vjet më parë, gjatë Epokës Akullnajore dhe kanë mbetur ende sot si dëshmi e historisë së planetit Tokë. Po janë një nga spektaklet e natyrës më të bukur të Rruzullit Tokësor, të cilat rrezikojnë të zhduken prej ngrohjes globale, duke vënë në rrezik edhe faunën polare.
Kush duhet ta vizitojë me patjetër Svalbard dhe për cilët persona nuk është ai destinacion?
Për vetë nga vendosja gjeografike, ai destinacion është për ata që duan aventura dhe janë kuriozë, pasi nuk është destinacion pushimi dhe relaksi. Është për persona që kanë shumë energji për të ndjekur dhe përballuar ekskursionet e vështira. Nuk është për ata persona që duan kushte dhe komoditet.
Ndonjëherë në udhëtime apo destinacione që zgjedhim të vizitojmë, na ndodh edhe të zhgënjehemi. Patët ju ndonjë rast të tillë në këtë udhëtim?
Jo aspak! I vetmi ‘zhgënjim’ ishte që doja të lëvizja me motor akulli, por ky aktivitet nuk bëhej që periudhën e verës.
Çmimet si ishin në Polin e Veriut?
Si një vend që nuk i përket askujt, pra është territor asnjanës, edhe pse është administruar në vite në bazë të një traktati ndërkombëtar nga Norvegjia dhe Rusia, Svalbard është ‘tax free’. Që do të thotë se duke qenë se s’ka taksa çmimet ishin shumë më të lira se vendet e tjera skandinave.
Gatimet, gastronomia, kulinaria shpesh tërheqin turistët. Ç’mund të thoni për Polin e Veriut?
Për mua nuk është gastronomia ndonjë atraksion turistik, po atje ka shumë salmon që mua më pëlqen.
Ju njiheni për pasionin që keni në eksplorimin e botës. Cili është udhëtimi më mbresëlënës që keni bërë?
Çdo udhëtim është interesant. Japoninë do ta veçoja, sepse është një vend që në çdo pikëpamje nuk ka lidhje me asnjë vend tjetër të botës. Mentaliteti, funksioni i shtetit, rregulli, argëtimi, komunikimi, pastërtia, kujdesi për natyrën e shumë detaje të tjera e bëjnë Japoninë një destinacion perfekt.
Jemi në nisje të sezonit të ri televiziv. Pas eksperiencës në “Përputhen”, do ta shohim në ekran Arjan Konomin?
Pse jo, unë kam shumë dëshirë. Me “Përputhen” ruaj kujtime të bukura dhe uroj të ketë gjithmonë suksesin që ka patur, por është një cikël i mbyllur. Nëse do të kem oferta që do t’i konsideroja, do të ishte kënaqësi të isha sërish në ekran.



















