Shkencëtarët kanë krijuar modele embrionale për t’i ndihmuar të studiojnë misteret e zhvillimit të hershëm njerëzor, problemet mjekësore që ndodhin përpara lindjes dhe arsyet përse shumë shtatëzani dështojnë. Janë publikuar tashmë konkluzionet e një studimi të ri të prodhimit të modeleve embrionale nga qelizat staminale, dhe jo nga vezorja dhe sperma, thote VOA. Në pamjet e formës më të hershme të jetës duken embrionët deri në 14 ditë pas fertilizimit, të krijuar nga qeliza staminale në laboratorin e Profesor Jacob Hannas, në Rehovot të Izraelit.
Megjithëse nuk janë identikë me embrionët njerëzorë që krijohen në mitër, ato janë modele të plota, thuhet në studimin e publikuar në revistën shkencore “Nature”.
Këta embrionë nuk mund të përdoren për të krijuar bebe, por u mundësojnë shkencëtarëve që t’i hedhin një vështrim fazave fillestare të zhvillimit. Kjo nuk është e mundur të bëhet në mitër, pasi embrionët janë shumë të vështirë për t’u dalluar në brendësitë e uterusit.
Profesor Hanna thotë se të gjitha modelet përmbajnë membranat embrionale dhe ato të jashtme. Ai thotë se kjo punë kërkimore është e domosdoshme pasi nuk mund të përftohen këto qeliza në ndonjë mënyrë tjetër.
“Në fushën e qelizave staminale ka një përpjekje të madhe për të kuptuar se si i dallojmë nga organet dhe qelizat, dhe na duhet të imitojmë embrionin njerëzor që të mësojmë parimet, të cilat t’i zbatojmë tek qelizat staminale. Por kemi një pengesë të madhe për të patur qasjen tek mostrat embrionale të hershme, dmth nga dita e 7-të deri në ditën e 28-të të zhvillimit të embrionit. Është fazë shumë e hershme e shtatëzanisë dhe zakonisht gratë mund të mos e dinë se janë shtatëzana. Ka edhe shumë probleme etike dhe teknike në marrjen e këtij lloji materiali”, thotë ai.
Sipas profesorit Hanna, prodhimi i modeleve embrionale nga qelizat staminale do të bëjë të mundur edhe studimin e shumë sëmundjeve.
“Mund të prodhojmë mijëra modele embrionalë dhe t’i studiojmë. Kjo krijon një avantazh shumë të madh teknik dhe biologjik dhe rrit njohuritë që kemi për qenien tonë njerëzore, që mendoj se është diçka shumë e rëndësishme”, thotë ai.
Studimi i tij është më i fundmi në një vargan studimesh që shqyrtojnë fillesat e jetës njerëzore, në kushte laboratorike. Studime të tjera janë botuar nga shkencëtarët në Universitetin Teknik të Kalifornisë, si dhe në Universitetin e Kembrixhit në Britani. Modelet e tyre mund të përdoren jo vetëm për të prodhuar embrionë, por edhe për qeliza të ndryshme të trupit të një njeriu në moshë madhore.