Sipas një artikulli të fundit nga Monitor, punonjësit shqiptarë kanë orët e punës më të gjata në Europë, së bashku me vende të tjera të rajonit.
Sipas Eurostat, një europian punoi mesatarisht 37.5 orë në javë në vitin 2022, ose 6.2 orë më pak (pothuajse një ditë pune), sesa një shqiptar.
Pas shqiptarëve, më gjatë punojnë serbët me 43.3 orë. Për Maqedoninë e Veriut, të dhënat e fundit të disponueshme janë për vitin 2020, ku mesatarja ishte 40.9 orë.
Sipas Eurostat, në vitin 2022, java e zakonshme e punës për personat e moshës 20-64 vjeç në BE ishte mesatarisht 37.5 orë.
Më shumë punë, por më pak para
Të dhëna të tjera tregojnë se ndonëse kanë orët më të zgjatura të punës, punonjësit shqiptarë kanë pagat më të ulëta në Europë. Shqipëria kishte pagën më të ulët mesatare në rajon në vitin 2022, me rreth 520 euro secila (bruto), sipas të dhënave nga institutet statistikore përkatëse.
Serbia është shteti që po “fiton” në garën rajonale të pagave, që për vitin 2022 ishte mesatarisht 880 euro, ndërsa në dhjetor 2022, kërceu afër nivelit prej 1000 eurosh bruto (983 euro), sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave i Serbisë.
Në Maqedoninë e Veriut, paga mesatare ishte 832 euro në fund të 2022, në Mal të Zi 900 euro, në Bosnjë 934 euro.
Ndërsa në shtetet e tjera të Europës, paga mesatare janë mbi një mijë euro në muaj.