Personat që kanë vuajtur më gjatë prej COVID-19 – sëmundjes që e shkakton koronavirusi – kanë më shumë gjasa të përjetojnë dëmtim të organeve, ka treguar një studim i ri. Te dhenat mjekësore deshmojne se kësaj kategorie të pacientëve u rriten mundësitë tre herë më shumë që të përballen me anomali në mushkëri, tru dhe veshka.
Hulumtuesit besojnë se ekziston një lidhje me periudhën e gjatë të sëmurjes, thote REL. Ka shpresa që ky studim, i publikuar në revistën shkencore Lancet, të ndihmojë në krijimin e trajtimeve më efektive për atë që njihet si “COVID i gjatë”.
Për qëllime studimi u analizuan 259 pacientë, të cilët ishin sëmurë me koronavirus dhe më pas janë shtruar në spital. Pesë muaj pas daljes nga spitale, te dhenat kanë treguar se në organet kryesore të tyre janë vëne re dallime të dukshme, në krahasim me një grup prej 52 personash që nuk janë infektuar asnjëherë me koronavirus.
Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës. Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020. Më shumë se 6.9 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën. Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të pasuara nga India dhe Brazili.