Elsa Lila u ngjit në skenën e Pallatit të Kongreseve mbrëmjen e kësaj të mërkure për të mbajtur koncertin e saj të parë recital të titulluar “Finalmente”. Për dy orë me radhë ajo këndoi pa pushim këngët aq shumë të dashura, të realizuara gjatë karrierës së saj.
Pallati i Kongreseve ishte i tejmbushur nga adhurues të muzikës së këngëtares, dhe me ëndje e nostalgji kënduan njëzëri me këngëtaren hitet e saj. Duartrokitjet dhe brohoritjet ishin të shumta dhe emocionet e përjetuara, jo vetëm nga artistja por edhe të pranishmit, ishin të papërshkrueshme.
Koncerti sikurse ishte premtuar nisi fiks në orën 21:00, dhe nisi bukur, pasi kënga e përzgjedhur për të startuar këtë mbrëmje ishte “Evita”, kënga fituese e Festivalit të 62 të Këngës.
Këngëtarja vijoi me hitet e saj, dhe moment shumë i bukur ishte kur në skenë bashkë me të u ngjit kantautori Pirro Çako, me të cilën kënduan këngën e tyre aq shumë të pëlqyer, pas 16 vitesh, “Diferenca je ti”.
Pa hezitim Elsa Lila shprehu mirënjohjen e jashtëzakonshme, për të gjithë ata me të cilët ka bashkëpunuar ndër vite. Vlen të përmendet momenti kur kujtoi regjisorin e ndjerë Gjergj Xhuvanin. “E kam në zemër, gjithmonë do ta kem”, u shpreh artistja mes emocionesh.
Minutat e fundit të koncertit, Elsa Lila zgjodhi që të sillte këngë të trevave të ndryshme shqiptare. “Qan lulja për Lulen, “Margjelo”, “Moj e bukura more” erdhën në një version ndryshe, të cilat padyshim u pëlqyen shumë..
Para se të largohej për të dhënë autografe dhe realizuar fotografi, artistja premtoi se do të rikthehet me koncerte të tjera pranë publikut shqiptar, teksa takimi i radhës me të do të jetë në "Festivalin e Këngës", ku ajo konkurron me këngën “Mars”./bordo.al



















