50 vjec dhe në dukje, në formë mjaft të mirë fizike, ish bashkëshorti i Eva Longorias, Tyler Christopher, u nda papritur nga jeta duke shokuar fansat e tij. Aktori i njohur i serialit ”General Hospital” ndërroi jetë nga një atak kardiak në apartamentin e tij në Los Angeles.
Christopher dhe ylli i “Shtëpiake të dëshpëruara” kanë qenë të martuar nga viti 2002 deri në 2004. “Tyler ishte një njeri vërtet i talentuar, i cili ndriçonte ekranin në çdo skenë dhe kënaqte fansat e tij me rolet e tij”, shkroi kolegu i tij Maurice Benard në rrjetet sociale. Ai shtoi gjithashtu se Christopher ishte treguar i sinqertë gjatë gjithë jetës së tij për problemet me depresionin, alkoolin dhe çrregullimin bipolar nga i cili vuante.
Tyler Christopher dikur rrëfeu në një podcast se humbi pulsin tre herë për shkak të konsumimit të alkoolit. “Askush nuk e di këtë. Tri herë kam humbur pulsin dhe është dashur të më rikthejnë në jetë. Dy nga këto herë ka qenë për shkak të abuzimit me alkoolin”, pati rrëfyer ai.
Gjithashtu për shkak të konsumimit të alkoolit, Tyler u arrestua dy herë në tre vitet e fundit. Gjashtë muaj më parë, ai u shoqërua nga forcat e rendit pasi ra në gjumë i dehur në dyshemenë e aeroportit të Los Angeles.



















