Reperi i njohur Eminem dhe kompania e tij diskografike, Eight Mile Style, kanë ngritur një padi kundër Meta Platforms, kompanisë mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp, në pronësi të Mark Zuckerberg, duke e akuzuar për shkelje të të drejtave të autorit.
Sipas dokumenteve ligjore të paraqitura më 30 maj dhe të siguruara nga E! News, paditësit pretendojnë se Meta ka shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme 243 këngë nga katalogu muzikor i Eminem, duke i ruajtur, riprodhuar dhe përdorur pa leje në platformat e saj.
Në padi përmenden veçanërisht funksionet ‘Original Audio’ dhe ‘Reels’, të cilat sipas tyre "nxisin përdoruesit të përdorin në mënyrë të paligjshme muzikën e reperit në videot e tyre, pa dhënë atributin e duhur apo pa marrë licencë."
Eminem kërkon kompensim financiar për dëmet e shkaktuara, duke përfshirë humbjen e fitimeve dhe zvogëlimin e vlerës së të drejtave të tij autoriale. Ai gjithashtu kërkon dëmshpërblimin maksimal ligjor prej 130 mijë eurosh për çdo këngë të shkelur në secilën nga platformat e Metës – një shumë që arrin në mbi 105 milionë euro në total.
Reperi nga Detroiti, i njohur për tekstet e tij shpeshherë personale dhe konfliktuale, ka trajtuar në muzikën e tij tema të ndjeshme si fëmijëria e vështirë dhe marrëdhëniet e tensionuara me të ëmën, Debbie Nelson, dhe ish-bashkëshorten Kim Mathers.



















