Një grua e zhdukur gjashtë dekada më parë është gjetur “e gjallë dhe e padëmtuar” gati 63 vjet pasi u zhduk pa lënë gjurmë. Në korrik të vitit 1962, Audrey Backeberg la pas një bashkëshort dhe dy fëmijë në një shtëpi ku thuhet se ajo kishte vuajtur shumë abuzime. Tani, gruaja 82-vjeçare amerikane është gjetur jashtë shtetit të Wisconsin. Në një deklaratë, Sherifi i Qarkut Sauk, Chip Meister, tha, sipas BBC, se zhdukja e zonjës Backeberg "ishte sipas zgjedhjes së saj dhe nuk ishte rezultat i ndonjë aktiviteti kriminal apo sjellje të dyshimtë".
Sipas organizatës jofitimprurëse të Wisconsin Missing Persons Advocacy, pak ditë para zhdukjes së saj, Backeberg, bëri një kallëzim penal kundër bashkëshortit të saj, me të cilin ishte martuar në moshën 15-vjeçare, duke pretenduar se ai e kishte rrahur dhe kërcënuar se do ta vriste. Ditën që u zhduk, ai doli nga shtëpia për të marrë rrogën nga fabrika e leshit ku punonte. Gruaja shoqërohej nga dadoja e çiftit, e cila ishte vetëm 14 vjeç. Adoleshentja i tha policisë se ajo dhe zonja Backeberg më pas shkuan me autostop në Madison, kryeqyteti i shtetit të Wisconsin, dhe prej andej ata morën një autobus për në Indianapolis, Indiana, rreth 300 milje larg.
Me pas dado u bë nervoze dhe donte të kthehej në shtëpi, por Backeberg refuzoi dhe u pa për herë të fundit duke dalë nga stacioni i autobusit. Të afërmit këmbëngulën se nëna e re nuk do t'i braktiste kurrë fëmijët e saj, ndërsa bashkëshorti i saj po i nënshtrohej një analize poligrafike.
Si u gjet Audrey Backeberg
Sipas Zyrës së Sherifit të Qarkut Sauk, hetuesit kanë ndjekur disa pista ndër vite, por ato nuk kishin çuar në një rezultat konkret derisa, në fillim të këtij viti, dosja e vjetër u ri-analizua në detaje. Detektivi që zgjidhi çështjen, Isaac Hanson, i tha stacionit lokal të lajmeve ËISN se një llogari e Ancestry.com që i përkiste motrës së saj ishte çelësi për të gjetur adresën e gruas së zhdukur. Ai ka folur me disa dëshmitarë dhe ka analizuar të gjitha provat në dosjen e lëndës.
Duke përdorur raportet e disponueshme të regjistrimit, detektivi ishte në gjendje të zbulonte adresën e tij. Detektivi Hanson tha se ai kontaktoi sherifët lokalë në zonën ku Audrey Backeberg tani jeton dhe ishte në gjendje të fliste me të në telefon për 45 minuta. "Ajo dukej e lumtur dhe e sigurtë në vendimin e saj. Nuk është penduar aspak" tha detektivi për WISN. Detektivi deklaroi se biseda me Audrey Backeberg nuk do të bëhej publike, por sugjeroi se largimi i saj mund të kishte lidhje me problemet e saj martesore.