
Regjisori dhe skenaristi amerikan Carl Rinsch është dënuar me dy vjet e gjysmë burg, pasi u shpall fajtor për mashtrimin e platformës Netflix me rreth 11 milionë dollarë.
Rinsch, i njohur për regjinë e filmit “47 Ronin”, u dënua nga një gjykatë federale në Nju Jork për mashtrim financiar dhe vepra të tjera penale. Sipas prokurorisë, ai i kërkoi Netflix fonde shtesë me pretendimin se do t’i përdorte për të përfunduar serialin fantastiko-shkencor “White Horse”, por paratë i transferoi në llogaritë e tij personale.
Hetimet zbuluan se një pjesë e shumës u humb në investime të pasuksesshme, ndërsa pjesa tjetër u investua në kriptomonedha dhe më pas u përdor për blerje luksoze.
Prokurorët thanë se regjisori bleu pesë automjete Rolls-Royce, një Ferrari të kuq, ora dhe veshje me vlerë qindra mijëra dollarë, si edhe dyshekë dhe tekstile luksoze me kosto të jashtëzakonshme. Po ashtu, ai përdori një pjesë të parave për të shlyer rreth 1.8 milionë dollarë borxhe të kartave të kreditit.
Gjatë seancës gjyqësore, 48-vjeçari deklaroi se veprimet e tij u ndikuan nga problemet e shëndetit mendor dhe përdorimi i medikamenteve, duke thënë se nuk kishte kuptuar plotësisht pasojat e situatës në të cilën ndodhej.
Megjithatë, gjykatësi Jed S. Rakoff vlerësoi se, edhe pse gjendja e tij shëndetësore mund të shpjegonte disa prej sjelljeve, ajo nuk e justifikonte mashtrimin e kryer ndaj Netflix.
Përveç dënimit me dy vjet e gjysmë burg, Carl Rinsch është urdhëruar të kthejë 11 milionë dollarët e përfituar në mënyrë të paligjshme. Ai pritet të nisë vuajtjen e dënimit në muajin shtator.
