Trajneri i përfaqësueses së Republikës Demokratike të Kongos, Sébastien Desabre, përjetoi një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij menjëherë pas eliminimit të skuadrës nga Kupa e Botës 2026. Teksa po i përgjigjej pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp pas humbjes 2-1 ndaj Anglisë në fazën e 1/16-ve, ai u njoftua publikisht për ndarjen nga jeta të babait të tij.
Në fund të konferencës, zyrtari për media i përfaqësueses së RD Kongos ndërpreu aktivitetin për të dhënë lajmin e trishtë.
“Me keqardhje ju njoftojmë se trajneri ka humbur babanë e tij. Ngushëllimet tona më të sinqerta”, deklaroi ai.
Desabre, dukshëm i tronditur, u ndal për disa sekonda, tha vetëm "Faleminderit" dhe u largua nga salla e konferencës..
49-vjeçari francez kishte udhëhequr RD Kongon drejt një arritjeje historike, duke e kualifikuar për herë të parë në Kupën e Botës që nga viti 1974, kur vendi garonte me emrin Zaire.
Skuadra afrikane e nisi turneun me një barazim 1-1 ndaj Portugalisë, më pas u mposht 1-0 nga Kolumbia dhe siguroi kualifikimin në fazën me eliminim direkt falë fitores 3-1 ndaj Uzbekistanit, duke kaluar si një nga ekipet më të mira të renditura në vendin e tretë.
Në përballjen ndaj Anglisë, RD Kongo kaloi e para në avantazh me golin e Brian Cipengës dhe ishte pranë një surprize të madhe. Megjithatë, Harry Kane barazoi rezultatin me kokë dhe shënoi golin e fitores vetëm katër minuta para fundit, duke vulosur suksesin 2-1 të Anglisë dhe eliminimin e afrikanëve.
Pavarësisht eliminimit, paraqitja e RD Kongos në Botërorin 2026 u vlerësua si një nga historitë më frymëzuese të turneut, ndërsa fundi i aventurës sportive u shoqërua me një tragjedi personale për trajnerin Sébastien Desabre.
