
Jack Depp, djali 24-vjeçar i Johnny Depp dhe Vanessa Paradis, po ndërton rrugën e tij në industrinë e filmit, këtë herë jo si aktor, por si regjisor.
Së fundmi, ai është fotografuar në Paris gjatë xhirimeve të projektit të tij më të ri, ku u pa duke koordinuar ekipin në set. Me një pamje të thjeshtë, kufje në vesh dhe syze dielli të varura në këmishë, Jack u shfaq i përqendruar në rolin e tij pas kamerës.
Sipas E! News, ai ka bashkëpunuar prej kohësh me regjisorin dhe skenaristin Dexter Demme, me të cilin ka realizuar tre filma të shkurtër. Njëri prej tyre, “Tug of War”, me Gina Gershon në rolin kryesor, u prezantua në Festivalin e Filmit në Beverly Hills.
Dyshja kanë bërë të ditur se tashmë janë duke zhvilluar projektin e tyre më të madh deri më sot. Në një intervistë për Director’s Notes, ata zbuluan se po shkruajnë skenarin e filmit të tyre të parë me metrazh të gjatë dhe synojnë të nisin fazën e para-prodhimit dhe xhirimet në një të ardhme të afërt.
Para se të hynte në botën e kinemasë, Jack bëri një jetë larg dritave të famës. Ai punoi në restorantin libanez L’Area në Paris, ku shërbeu si barist dhe ndihmoi edhe në kuzhinë. Pronari i restorantit, Eduard Sweek, e ka përshkruar si një të ri të përulur, punëtor dhe që nuk kërkon vëmendje publike.
Edhe vetë Johnny Depp kishte deklaruar më parë se ishte i kënaqur që djali i tij nuk kishte zgjedhur aktrimin. Megjithatë, Jack duket se ka gjetur mënyrën e tij për të hyrë në botën e filmit, duke ndjekur pasionin për kinemanë nga prapaskena dhe duke hedhur hapat e parë si regjisor.
