Pas mijëra jetëve të shpëtuara në sallën e operacionit, Prof. Dr. Mentor Petrela ka ndarë një nga rrëfimet më prekëse të jetës së tij personale, duke pranuar se suksesi profesional ka ardhur edhe me sakrifica të mëdha në familje.
I ftuar në emisionin "Rudina", neurokirurgu i njohur tregoi se gjatë karrierës së tij ka realizuar rreth 20 mijë operacione në tru, ndërsa e cilësoi këtë organ si më kompleksin e trupit të njeriut.
"Truri i njeriut për ju që jeni jashtë është gjëja më e paprekshme dhe më e pamendueshme, për ne është materie. Ne bëjmë një formë arti, sa dikush e ka përshkruar që ne jemi me 12 sy, se kemi 10 gishta dhe 2 sy."
Duke folur për lumturinë, Prof. Petrela tha se ajo nuk është një gjendje e përhershme, por diçka që njeriu përpiqet ta ndërtojë çdo ditë.
"Që të jesh me atë pozitivizmin dhe të jesh 'i lumtur', mua më duket krejt fallco. Tjetër gjë është brenda. Ne mundohemi ta stimulojmë veten për të qenë të lumtur."
Momenti më emocionues i intervistës ishte letra që vajza e tij, Vivian, i kishte kushtuar babait. Në të, ajo shprehte mirënjohjen për sakrificat e tij dhe për mënyrën se si u përpoq të mbante familjen të bashkuar pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes.
I prekur nga fjalët e së bijës, Petrela pranoi se profesioni shpesh e ka larguar nga familja më shumë sesa do të kishte dashur.
"Me kohën që i kam dedikuar profesionit, është që u kam hyrë në hak shumë. Në këtë pikë kam shumë pengje."
Ai kujtoi edhe periudhën më të vështirë të jetës, humbjen e bashkëshortes, kur vajzat ishin ende adoleshente.
"Ishte një moment që u kris familja me humbjen e nënës, që për vajzat është shumë e rëndësishme dhe në moshën 14-15 vjeç që ishin..."
Profesori tregoi se nuk mendoi të martohej sërish, duke iu referuar edhe një shprehjeje të Oscar Wilde.
"Duke pasur parasysh dhe martesat klasike që ishin, nuk tentova martesën e dytë që thotë Oscar Wilde, shpresën mbi eksperiencën. Thashë më mirë po rri me martesën e parë që është imagjinata me inteligjencën."
Ai zbuloi se ndarja nga jeta e bashkëshortes ndikoi thellësisht edhe tek ai vetë, jo vetëm emocionalisht, por edhe fizikisht.
"Ajo vinte nga një familje me shumë tradita, me shumë taban dhe ndaj ishte dhe shumë e butë në sjellje. Me thënë të drejtën atëherë kam pasur dhe një rënie në peshë shumë, edhe fizikisht u përfshiva shumë. Kjo është fatkeqësia që ndodh në jetë me kancerin e gjirit."
Në fund të intervistës, Prof. Mentor Petrela theksoi se pavarësisht sfidave, librat dhe leximi kanë qenë shoqëruesit e tij më besnikë që nga fëmijëria, duke e ndihmuar të përballojë momentet më të vështira dhe të ndërtojë rrugëtimin e tij profesional e njerëzor.
