KreuInterior

Ekskluzive/ Brenda mendjes së bukur të arkitektes Matilda Pando

Ekskluzive/ Brenda mendjes së bukur të arkitektes Matilda Pando

Nga Ilda Lumani

Fotografia: Elvis Sula

“Një njeri i veshur bukur, dhe rrugën e arredon bukur, edhe qytetin”, kjo shprehje e huazuar i shkon më së miri Matilda Pandos. Më kishte rënë në sy imazhi i saj, stili interesant, përpara se ta njihja personalisht dhe të dija profesionin e saj. Sot, teksa të dyja ndjekim rrugën e njëra-tjetrës më shumë dashamirësi, mendoj, se personazhe si ajo i japin vlerë jo vetëm kryeqytetit! Arkitektja e pandalur, sfidante dhe e palodhur për të rifilluar, edhe pse me një eksperiencë të gjatë, është nga ato mendje të bukura, me të cilat ke qejf të bisedosh, të ndash mendime, e ta dëgjosh kur flet… Ju lexues do të më besoni 100 %, kur të lexoni këtë intervistë kaq të veçantë. – Në fakt, gjithmonë kam menduar se arkitektët kanë një mënyrë të shprehuri unike, një miks mes artit, letërsisë, fjalorit të pasur dhe atij profesional, që e bën ligjërimin e tyre shumë tërheqës. Në këtë buqetë personazhesh përzgjedhur për 8 Marsin, Matilda është model frymëzimi për këdo, e veçanërisht për brezin e ri!

Si nis një ditë e Matildës, si është rutina juaj?

Një ditë e imja nis thjeshtë, dhe me punë. Punët organizative të fillimit të ditës, në studio dhe jashtë saj, prioritetet, ekzigjencat. Por me qetësi. Ato çfarë përpiqem gjatë rutinës sime në punë, mbeten fokusi dhe thjeshtësia. Dhe shoh që kjo gjë, më rrethon dhe prej atyre me të cilët punoj. Një arkitekt duhet të ruaj së pari veten, dhe të ndërtoj një mjedis rreth vetes që i jep qetësi, e rëndësishme kjo, për atë që ai bën.

Matilda, u bënë vite tashmë në profesionin e arkitektes. Si ka qenë rrugëtimi juaj, së fundmi në këtë profesion, si dhe sfidat në drejtimin e studios së projektimit?

Po në fakt, jam stërvitur shumë vite, duke ecur në këtë profesion. Kur unë kam filluar studimet në arkitekturë, ka qenë ndryshe mënyra si ne shihnim arkitekturën, banesën dhe zhvillimin e qyteteve, kjo dhe në pamundësi të mjeteve të komunikimit dhe ai kontekst që ishte. Megjithëse fati më drejtoi të kisha tutor të parë, një ndër arkitektët më të mirë në mjedisin tonë, ish-drejtuesin e Institutit të Projektimit, Z. Kolaneci. Dhe më pas Z. Mara, i cili punonte ndërmjet Kanadasë dhe Shqipërisë, të cilëve iu jam mirënjohëse. Së fundmi, pas një eksperience po aq të rëndësishme në Bashkinë e Tiranës, mora iniciativën, të drejtoja dy studio projektimi: njëra prej tyre jetëgjatë 10 vite, në bashkëdrejtim. Vendosëm të vijojmë të pavarura, dhe më tej, themelova zyrën time të projektimit, të cilën e ndjek aktualisht. E sjell këtë për të thënë, se vështirësia e të qenit në majë të suksesit në ato momente, u zëvendësua nga lehtësia e të qenit, përsëri fillestare në një biznes të ri (le ta quajmë). “Matt Architect&Associates” është një studio 3-vjeçare sot, me eksperiencën time prej më tepër se 20 vite në projektim, por më e rëndësishme bashkë me një ekip kolegësh dhe profesionistësh, jo thjesht të talentuar, por të kulturuar. Asnjëherë gjërat nuk janë aq të lehta dhe të natyrshme. Ndoshta në fillim mundet të duken të tilla, me një sasi të shëndetshme naiviteti, por në të njëjtën kohë, atëherë kur mendon se je i përgatitur dhe i qetë, vjen një peshë përgjegjësie. Realiteti shpaloset dhe bilanci çekuilibrohet. Arkitektura nuk është e lirë nga çdo luftë. Do të ishte në të kundërt një standard idealist. Pas çdo projekti të mirë, fshihet një ajsberg përpjekjesh, edhe pse, pjesa e dukshme është e mbushur me besim dhe histori suksesi. Aty janë, orë të gjata në punë dhe izolim, studim, konsulta të vazhdueshme, ndonjëherë dhe shumë stres apo konflikte të brendshme. Lufta e përditshme për të drejtuar një studio, akti balancues i të qenit “një matës i cilësisë”, kundrejt çdo klienti i cili investon, gjithëpërfshirja, instikti për të mbrojtur atë që ti je, por dhe të socializohesh në të njëjtën kohë, është përherë sfidë me një realitet, i cili është kinetik, vibrant dhe shumë i shpejtë. Ajo në fakt që na përfaqëson si fitimtar pas kësaj, është konsistenca dhe ëndrrat.

Ekskluzive/ Brenda mendjes së bukur të arkitektes Matilda Pando

Si e sheh ti sot arkitekturën, si profesion dhe proces?

Sfiduese! Disa njerëz nuk janë mësuar, me një mjedis ku pritet përsosmëri. Shumë në profesionin tonë kanë patur përvoja shumë të ndryshme. Pra, ata që e nuk kanë pika të mjaftueshme për t'u lidhur, përfundojnë me zgjidhje shumë lineare, pa një perspektivë të gjerë për problemin. Dhe problemi në arkitekturë është shumë dimensional. Dhe do të thosha se është profesioni, me impaktin më të rëndësishëm social dhe publik. Sa më mirë të kuptojmë përvojën njerëzore, sfidat dhe problemet e banesës dhe të qyteteve, si dhe konceptin e “qëndrueshmërisë”, aq më i mirë do të jetë një projekt. Ëndrra për ajër e dritë, ndryshoi koncepte në arkitekturë me rrymën e modernizimit, në fillim të shek. XX. Ndërsa sot, në fokus të arkitekturës ndërkombëtare, mbetet koncepti i “qëndrueshmërisë”, e cila lidhet jo vetëm me formën dhe design-in, por me ndryshimet klimatike, projekte të integruara të reduktimit e konsumit të energjisë, mbrojtja e mjedisit, inovacioni… etj..

Pra, “qëndrueshmëria” është një tjetër dimension i shtuar sot në projektim.

Dua t’ju sjell këtu një shembull se sa eksperimentale dhe shkencore është arkitektura sot në botë. Në një intervistë që ndiqja nga Louis Becker: shprehej se ishin duke projektuar një kopsht për fëmijë, dhe duke ndjekur eksperiencën e mëparshme, kuptuan dhe pse kishin përdorur materiale absorbuese për zhurmën, zhurma ishte e padurueshme. Duke testuar çdo element, mësuan se niveli i zhurmës reduktohet, duke punuar me dritë të dedikuar - intensitet shumë më të ulët të dritës. Arritën në përfundimin se kur hapësira ndriçohet ndryshe, zëri ynë natyrshëm bie dhe zbret. Kjo vlen jo vetëm për kopshtet, por edhe për shkollat, universitetet dhe mjediset e punës. Në profesionin e arkitektit, nuk mund të lidhen pikat vetëm, duke parë përpara. Mund të lidhen, duke parë më së shumti mbrapa. Në çdo gjë që ndërtojmë, pak e nga pak.  Dhe duhet të besojmë se duke e dashur këtë profesion, pikat do të lidhen në të ardhmen dhe perspektiva do të përfundojë në një pikë të vetme, që do të jesh ti vetë.

Pozicioni si drejtuese e shoqatave të arkitektëve shqiptarë, çfarë kënaqësie të ka dhënë? Po sfidat, cilat janë?

Dhe kjo është një sfidë tjetër. Është një pozicion i përkohshëm ‘honorific’, por shumë i rëndësishëm. Kjo është një përgjegjësi tjetër e shtuar. Një vlerësim shumë i rëndësishëm nga kolegët e mi arkitektë, dhe uroj të meritoj vlerësimin e tyre. Punon për profesionin, në dimensionin e zhvillimit në një terren dhe standarde europiane, të ndërkombëtarizuara, e lidhur kjo me kushtet në procesin e integrimit të vendit tonë. Është një proces që kërkon jo vetëm frymë e vizion, por dhe formalizëm. Një përpjekje për të ndihmuar në grup, sepse ne jemi një grup në drejtimin e kësaj shoqate, si dhe në anëtarësi, në aspektin profesional, kulturor dhe social. Stili është tregues për këdo. Ju keni dalluar gjithmonë për look-un, flokët e veçantë dhe veshjet me shije.

Sa shumë investohesh ti në fakt, për të qenë gjithmonë e veçantë?

Më vjen mirë që erdhi një moment dhe shkëputje nga pyetjet serioze. Doja të përmendja këtu vetëm një shprehje që ma ka thënë një mike e imja, para shumë vitesh. Dhe e gjej kontestuale me pyetjen. “Një njeri i veshur bukur, dhe rrugën e arredon bukur, edhe qytetin”. Nuk është qëllimi im të bëj më të bukur qytetin, me shfaqjen time në rrugë. Dhe nuk mendoj se e arrij, por doja të thosha se estetika është një tipar që lind me ne, nuk kultivohet lehtësisht. Nuk është qëllim në vetvete, thjesht e ke brenda vetes dhe e mbart si të tillë, mbase dhe e ushqen në një formë të pavullnetshme. Më pëlqen dhe pak imperfeksion, do të shtoja.

Cili është bari, restoranti në Tiranë, ku ti shkon të shijosh ambientin, më shumë sesa ushqimin? (Se jo gjithmonë janë në sintoni këto dy elemente!)

Po, e drejtë! Po sikur nuk lejohet publiciteti…dhe për më tepër, do të dinë ku të më gjejnë. Mendoj përveç shijes, koha që kalon në një bar apo restorant, duhet të konsiderohet si eksperiencë cilësore, ose si një kohë dhe ajo cilësore. Unë në fakt, jam e kujdesshme për të zgjedhur vendin, por nëse jam në një restorant të mrekullueshëm, pa njerëzit që do të doja të kisha pranë meje, nuk do të shijoja asgjë aty.

Çfarë këshille ju jep të gjithë të rinjve, që aspirojnë fushën e arkitekturës?

Të mos mjaftohen. Të jetojnë në mjedise, që nuk ushqejnë ndjenjën e ngopjes. Truri nuk arrin dot të njoh diferencën, ndërmjet realitetit dhe iluzionit. Ndaj mbajini këmbët të lidhura me realitetin, dhe kokën zhyteni mes librave. Kush hyn në këtë rrugëtim, duhet të punoj shumë për ta pastruar mendimin e tij, për ta bërë atë të thjeshtë, dhe të jetoj pa nevojën për vanitet. Dhe në fund ja vlen, sepse sapo të arrish atje, në atë pikën fundore të perspektivës që bashkohen të gjitha paralelet e jetës, dhe e mëson në arkitekturë…mund të lëvizësh malet.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF