Sot, më 22 nëntor, shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dhe për herë të parë këtë vit është shpallur festë zyrtare e Shqipërisë
Kongresi i Manastirit ose Kongresi i Alfabetit ka qenë një konferencë akademike mes datave 14 nëntor deri më 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe.
Në të morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete të ndryshme, klube dhe shoqata. Në Manastir, në atë kohë, kanë marrë pjesë intelektualë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare, pasi qyteti ka qenë qendër e konsujve dhe ishte më i sigurt për mbarëvajtjen e këtij procesi të rëndësishëm kombëtar.
Sipas numrit dhe rëndësisë së pjesëmarrësve, Kongresi i Manastirit ka qenë ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar në fillimet e shekullit XX, ku si rezultat i kësaj pune më 28 Nëntor të vitit 1912 u shpall edhe pavarësia e Shqipërisë.