Teksa blija një bluzë me motive ekzotike në një dyqan tepër të veçantë në zonën “Playa de las Americas” në Tenerife, gruaja e dyqanit, një bionde e gjatë, e hollë dhe me sy të kaltër, më pyeti nga isha. Pasi ia thashë, s’mu durua pa e pyetur se nga ishte ajo. “Nga Danimarka”, - tha. Dhe shtoi teksa pa sytë e mi të çuditur, “Më pëlqen këtu sepse ka vetëm diell. Nuk bie shi. Në dimër temperatura shkon 20 gradë Celsius. Në verë 28, maksimumi 30, por gjithmonë fryn një erë e lehtë!”, - dhe mbylli sytë me kënaqësi sikur po shijonte erën.
Tenerifet janë një parajsë në tokë! I gjen të gjitha!
Plazhet me rërë të zezë sepse ishulli është vullkanik, por edhe plazhe me rërë të bardhë, plazhe me gurë, por edhe të shtrira mbushur me çadra. Ndërtimet i kanë bërë të tilla që të duket vetja pak si në Amerikë, pak si Spanjë, pak si në Florida, pak si Greqi (nga shtëpitë e bardha me blu), aty-këtu si Afrikë, kurse palmat dhe qielli i kaltër të çojnë në Karaibe apo edhe më tutje në Honolulu!
Rastisa të shkoja në muajin mars dhe bëheshin karnavalet. Ato ndaheshin sipas grupmoshave. Një i moshuar më pyeti teksa po mbanim radhën për të blerë “bocata tortilla” (bukë me patate), “Të lutem ku të shkoj për të parë karnavalet?”. Të përqendruara në kryeqytetin e Tenerifeve, Santa Cruz de Tenerife (i cili duhet vizituar medoemos), karnavalet dhe atmosfera e krijuar të ngjanin me një miksim vendesh dhe popujsh: nga alegria përnjëherë m’u kujtua New Orleans- vendi ku tërbimi, harbimi e qejfi mbajnë vendin e parë në botë. Por mënyra se si ishin veshur (zhveshur) veçanërisht të rinjtë- më çoi në Las Vegas. Një përqendrim të rinjsh më ndërmendën hipitë si ata në vitet 60-të. Zhgënjimi që ndjeva kur ju afrova atyre ishte i madh: era e rëndë e trupave të palarë, grumbujt e plehrave, shishet e alkoolit që kishin konsumuar e vijonin ta bënin, atmosfera e amullt dhe e trazuar nën ritmin e muzikës, avujve të alkoolit; atje tutje dikush villte, dikush bënte seks, dikush kërcente; në fakt si një njeri me një jetë të thjeshtë që bëj, u ndjeva pak siç u ndje “Liza në Botën e çudirave”.
Por Tenerifet nuk janë vetëm një copë vendi hipish! Një nga ishujt Kanarie, Tenerifet njihen gjithashtu me emrin “Fat“.
Klima pranverore, peizazhet e mrekullueshme, plazhet e bukur që lagen nga dallgët e bardha të oqeanit Atlantik, qytezat e vogla njëra më interesante se tjetra, me lokale e veçanërisht restorantet me kuzhinë të mrekullueshme, ajo qetësia e kudogjendur- sjell buzëqeshje në fytyrën e gjithkujt që shkon atje.
Në Tenerife ndodhet mali më i lartë i Spanjës, Pico del Teide me lartësi 3718 metra.
Para se të nisesha pyeta në faqet e internetit se sa ditë do më duhej të eksploroja Tenerifet. E bëra pyetjen duke përfytyruar një përgjigje diku te rreth … “5 orë, deri në 2 ditë”. Një ishull i vogël ku nga jugu në veri shkon maksimumi 90 km dhe e gjithë rruga perimetrale po t’i biesh qark ishullit është rreth 180 km. Por përgjigjja ishte befasuese, “Për të parë dhe eksploruar Tenerifet duhen 8 ditë”.
Ka aq shumë atraksione!
Aq shumë vende që mund të shikosh, shkosh, ngjitesh, zbresësh, zhytesh, shijosh. Pra përpara se të shkosh atje duhet të informohesh mirë.
Ku, në Tenerife?
Në radhë të parë ku të flesh?
Zënia e hotelit të ha kohë dhe mund. Nëse aventurat me anije për të parë delfinët, zhytja nën oqean, dëshira për t’u hedhur me parashutë, për të provuar 100 lloj argëtimesh, apo jeta vibrante me zhurmë dhe lokale peshku, mishi, muzikë live, është qëllimi i shkuarjes atje, “Costa Adeje” është vendi perfekt për të zënë hotel. Edhe “Los Christianos” është shumë vibrant me jetë të gjallëruar, plazhi i të cilit me rërën e bardhë e palmat e larta të kujton Honolulunë.
Për më shumë luks, për lokale më speciale, resorte interesante, për pak aromë si në “Miami beach”, -“Playa de las Americas” është vendi perfekt. Kryeqyteti Santa Cruz de Tenerife ofron më shumë mundësi për shopping, shëtitje, vizita në qytetet përreth si San Cristobal de Laguna, apo La Orotava, që mbahet si qyteti më i bukur në Tenerife, ndoshta sepse shtrihet në këmbë të malit Teide? Këtë nuk e di, por La Ototava është i gjithë qytet shpat mali, rrugët e qytetit janë të përpjeta e tatëpjeta.
Fjalët kyçe në Tenerife:
1-Zhytja.
Një ndër aktivitetet më popullore në Tenerife! Ujërat kristal të pastër të Oqeanit Atlantik rreth Tenerifeve dhe Ishujt Kanarie janë të njohur për cilësinë dhe temperaturat e tyre të ngrohta. Ishulli është një parajsë nënujore për zhytësit me përvojë ose edhe për fillestarët. Mbi valë, ka shumë për të bërë gjithashtu - rrëshqitje në ujë, sërf, kajak ose peshkim në det të thellë.
2-Vëzhgimi i zogjve.
Ishulli është shtëpia e disa specieve të rralla për shkak të habitateve të ndryshme dhe gjeografisë së pazakontë. Një nga këta zogj është “Chaffinch Blu”, i cili njihet lehtësisht nga pendët e tij blu dhe gjendet vetëm në pyjet e ishullit. “Loro Parque“ është vendi ideal për të vëzhguar zogjtë, por edhe më tepër se aq. Bileta për një të rritur për të hyrë atje kushton 42 euro. Mbresat dhe kënaqësia, kushtojnë shumë më tepër se kaq!
3- Parku ujor numër 1.
“Siam Park” është një nga parqet ujore më të mëdha dhe më të mira në Evropë. Aq i mirë në fakt sa u vlerësua si parku ujor numër 1 në botë nga Trip Advisor në 2016 dhe 2017. Mbresëlënës, duhet parë e vizituar nga çdo moshë! Parajsa tajlandeze ndërthurur me plazhet tropikale!
4- Tubi më i madh i lavës në Evropë.
Quhet “Shpella e Erës”. Kjo shpellë llave është tubi më i madh i llavës në Evropë dhe i pesti më i madh në botë. E formuar nga rrjedhat e lavës, pjesë e malit Teide, ka një formë të rrumbullakët që krijon idenë e një tubi.
5- Plazhet me rërë të zezë dhe të bardhë.
Janë të famshme e të bujshme plazhet e Tenerifes, të njohura në mbarë botën. Ka kaq shumë plazhe, gjithsej janë 70, dhe përzgjedhja është në bazë të asaj që kërkon. Do plazh me rërë të zezë vullkanike? Ideale janë plazhet në Los Abrigos në jug, apo El Bollullo në veri, të rrethuar nga shkëmbinjtë e gjelbër dhe plantacione bananesh. Por nëse dëshiron plazh më tradicional me rërë dhe palma si në Hawai? Los Christianos- është përgjigjja. Kërkon të shikosh dallgët e oqeanit dhe “sangrian” ta pish duke kundruar nga sipër dallgët dhe fëmijët që luajnë në plazh? Costa Adeje është vendi ideal. Akoma më qetë, të qëndrosh në plazhin me çadra të hapura në rërën ngjyrë kafe? Playa de las Americas plotëson këtë dëshirë.
6- Restorante me yje Michelin.
Kuzhina është një tjetër tipar dallues e kulturës së Tenerifeve. Spanja ka 182 restorante me yje Michelin, por Tenerife ka shtatë të tillë. Të kesh mundësi ta provosh? Zgjedhje e mirë, por kujdes! Darka për këto restorante kushton mbi 100 euro për person!
7- Vëzhgimi më i mirë i yjeve në botë. (Stargazing).
Tenerife konsiderohet gjithashtu një nga vendet më të mira për të parë yjet në Evropë. Në errësirën e Oqeanit Atlantik, mali Teide i Tenerifes, maja më e lartë e Spanjës, është gjithashtu një nga vendet e pakta ku mund të shihen yjësi dhe galaktika të ndryshme për shkak të lartësisë së tij dhe pastërtisë së vendit.
8- Degustimi i verës.
Për ata që janë njohës dhe degustues të verës, Tenerife thuhet se dhuron një eksperiencë të paharrueshme. Tenerife është e njohur ndërkombëtarisht edhe për verën e saj! Arsyeja është sepse në Tenerife rriten nëntë varietete të rrushit që nuk njihen askund në Spanjë.
9- Dyqanet “Duty free”
Në Tenerife, mund ta kënaqësh veten duke blerë parfume, pije, syze dielli, të gjitha pa taksa, dhe sigurisht që joshjes për blerje nuk i shpëton askush!
Dhe mbi të gjitha në Tenerife çmimet janë relativisht të lira. Nëse ulesh në një restorant, pagesa zakonisht shkon 10-15 euro për person.
Ndërkohë që vizita në Tenerife duhet të jetë në buxhet-listën e secilit që kërkon aventura, relaks, mot të mrekullueshëm dhe diçka unike! Madje e rekomanduar edhe për familjet me fëmijë të vegjël, pasi për fëmijët ka shumë mundësi argëtimi e jo vetëm.
Ka vetëm një problem: nëse shkon një herë, dashurohesh me të dhe e dëshiron të kthehesh përsëri e përsëri…
Nuk mund ta harrosh!
Edlina Losha, mars 2025.



Si të dilni nga një marrëdhënie toksike?




Këto karbohidrate ju ndihmojnë të humbni peshë!


Receta/ Është koha për një kafe të ftohtë!


LEFKADA - Bukuroshja smerald e detit Jon!

Cila është koha më e mirë për të pirë kafe?





Pajisja me ID brenda 3 ditësh! Ja sa kushton!


Si të harrosh një ish-të dashur në 10 hapa!
