KreuCelebrity

Intervistë/ Rita Lati: ‘Roza ma plas shpirtin, porosit ushqim në telefon!’

Intervistoi/ Aristea Kola

Fotografia/ Ermal Mulla

Aktorja e humorit Rita Lati  hapi dyert e shtëpisë së saj për Bordo.al. Në kuzhinën e saj ku  mbizotërojnë erëzat pikante,  kur gatuhet një pjatë u kushtohet një vëmendje maksimale gjithë përbërësve dhe orareve të përgatitjes dhe servirjes së ushqimit më pas. Rita rrëfen me shumë dashuri për Bordo.al se kur ka gatuar për herë të parë, kuzhinën e preferuar dhe sekretin se si të përgatitësh një pjatë të shijshme pa dështuar asnjëherë! Ajo na zbulon edhe marrëdhënien që ka e bija Roza, fansja e saj numër një në kuzhinë në lidhje me gatimin. Ju ftojmë të lexoni një intervistë plot shije të aktores së humorit Rita Lati për Bordo.al si dhe një recetë verore, specialitetin e  saj për këtë stinë të nxehtë!

Çfarë keni gatuar sot për drekë?

Sot jam për drekë nga Roza dhe do bëj një ndër recetat e saj të preferuara: fileto me kërpudha, me kurkuma,  pak pana e më shumë qumësht.

Cila është pjata juaj e preferuar?

Unë i pëlqej që të gjitha, por pjatat e fshatit i kam të preferuara. Për shembull një arapash, një byrek me nena, lakrat e egra ose hithrat, rosnicat. Këto janë të preferuarat e mia edhe të nënës e gjyshes sime. Për to kam nostalgji dhe kur nuk i bëj dot vetë, i kërkoj ku shërbehen dhe i gjej.

Kuzhina juaj e preferuar?

Unë pëlqej shumë pikantet, kështu që do të veçoja kuzhinën tajlandeze. Kur isha në Bordeaux, në Francë kam ngrënë ushqim tajlandez në karton dhe më ka pëlqyer shumë, më ka ngelur mendja. Edhe frutat e detit që nuk i preferoj, aty i kam shijuar shumë se ishin pikante.

Sa kohë kaloni në kuzhinë?

Kur më vjen Roza për drekë kaloj mjaft kohë, filloj e gatuaj sallatra, supë, gjellë. Ajo më thotë ‘Mami çfarë do më bësh për drekë?’ dhe ka raste që pasi unë kam gatuar më thotë ‘O unë kam ngrënë!’, më ndodh edhe kështu. Ndërsa për veten time i bie pak më shkurt, preferoj perimet.

Ju pëlqejnë më shumë gatimet tradicionale, apo ato moderne?

Tradicionalet i dashuroj, i adhuroj. Këto modernet janë më tepër të zbukurura, kanë një lugë kafeje ushqim në mes të pjatës. Më ka ndodhur të kem përpara pjata të tilla kur jam në diasporë, më shumë qesh kur i shikoj se sa i shijoj! Unë jam për tradicionalet!

Ju kujtohet hera e parë që keni gatuar dhe cila ishte pjata që përgatitët?

Mbaj mend që kam qenë studente dhe kam bërë speca të skuqur, me domate, qepë,  mish të grirë e shumë erëza e dafinë. Çfarë nuk i kisha hedhur brenda! Kisha bërë edhe rrëmujë, saqë mami më tha ‘Do  kisha bërë dhjetë pjata me këto përbërës!’ këtë mbaj mend, që kam bërë një rrëmujë të paparë!

Ju ka ndodhur ndonjë incident në kuzhinë? Po dështime në gatim keni patur?

Incidente nuk më ndodhin se unë jam shumë korrekte dhe e përpiktë me orarin e hapjes së furrës, me përbërësit. Nuk më ka ndodhur asnjëherë ndonjë incident në kuzhinë, madje as me sasinë e kripës në gjellë. Jam vetë shumë korrekte prandaj as ndonjë dështim nuk më ka ndodhur asnjëherë!

Erëza juaj e preferuar?

Duke qenë se unë kam shumë kontakt me Francën, ku rri ime motër kam marrë ca nga erëzat  që përdorin  atje dhe i kam në shtëpi. I kam të gjitha, curry, kurkuma, katrepise, këto i kam sipas llojeve të ndryshme, për shembull kurkuma me kanellë ose me përbërës të tjerë. I kam në shtëpi dhe ndihem mirë, i përdor kur u vjen radha sepse janë pak speciale.

Ëmbëlsira juaj e preferuar?

Më pëlqejnë po u ruhem shumë ëmbëlsirave. I dua po jam shumë e matur, i shijoj por në ditët në vazhdim marr masat dhe 2-3 ditët në vazhdim ha shumë lehtë, ha vetëm perime të ziera. Janë sakrifica që i bëj për hir të profesionit.

Çfarë note i vini vetes në kuzhinë?

Unë jam te shtata, ndoshta edhe te teta. Roza do të thoshte dhjetë direkt për mamin e vet! Çdo gjë që bën mami e dashuron. Duke parë kuzhinën rreth e rrotull ndonjëherë më duket vetja e dështuar, por po e marr veten me të mirë po i  vë një 7-8, unë e di veten!

Cili është personi që i pëlqen më shumë gatimet  e  Ritës?

Roza! Po edhe Romina, mbesa ime. Çdo të diel ne mblidhemi familjarisht, kur nuk ka kohë ja nis me vete ato që i përgatis, i merr me vete edhe në punë dhe thotë ‘Këtë ma ka bërë halla ime!’ O më bëjnë qejfin, o e shikojnë që kaloj shumë në kuzhinë se kam durim derri dhe shumë fantazi për artin e kuzhinës. Filloj i ngul pirunin, a ka zier? Dale se do edhe pak, ta ulim zjarrin! E kam mësuar nga nëna ime sa më ngadalë, aq më mirë zien ushqimi!

A ka ndonjë sekret për të bërë gatime të shijshme?

Dashuria! Kam një kimi të paparë me tenxheret e tiganët! I them edhe Rozës, kur të afrohesh te tenxherja nuk duhet të kesh energji negative, ka të bëjë shumë kimia kur e trazon për shembull qepën e do me ngadalë, si muzikë! Çdo gjë do muzikalitet, edhe në kuzhinë! Unë e kam shumë të fortë dhe mendoj se ky është sekreti të cilin ja kam transmetuar edhe Rozës.

Shpesh femrat kanë ndonjë sekret që u ka treguar nëna apo gjyshja në kuzhinë. Ju çfarë mbani mend nga gatimet, apo këshillat që ju ka dhënë mami apo gjyshja?

Unë kam ikur nga mami që 14 vjeç dhe nuk jam rritur me atë edukatën e kuzhinës, për shembull si motra ime. Edhe kur shkoja në shtëpi më thonin erdhi Rita, t’i gatuajmë se më shihnin rrallë! U diplomova, u martova dhe ndikimin e nënës nuk e kam pasur në mënyrë të drejtpërdrejtë. Ja kam marrë dorën me kalimin e viteve deri sa u bëra profesioniste, por asnjëherë nuk kam dështuar se i kushtoj një vëmendje të madhe recetave dhe kam dalë me sukses. Më vonë nëna më jepte ndonjë mendim dhe më thoshte ma ke kaluar. Kjo ishte një fitore! Ma thoshte kot, po mua më bëhej shumë qejfi e më pëlqente.

I keni mësuar vajzës suaj Rozës që të gatuajë?

Roza ma plas shpirtin, porosit ushqim në telefon! Edhe unë e bëj këtë punë kur jemi të lodhura e s’kemi fuqi të gatuajmë, por Roza e ka si rutinë këtë. Ka kohë që ka nisur t’i pëlqejë gatimi. E këshilloj dhe i them se dashuria fillon nga stomaku. Kur të krijosh familje do përgatitësh një pjatë të bukur që t’i marrësh mendjen partnerit. Që kur ishte e vogël, ndoshta 10 vjeç, kur  unë kthehesha nga koncertet e gjeja gjithmonë gati një pjatë të ngrohtë, qoftë një pjatë supë. Këtë e ka bërë gjithmonë Roza, derisa filloi e u llastua. Ajo nisur të pëlqejë të gatuajë dhe bën gjëra të mira. Perimet i ka në plan të parë, i pëlqen shumë.

A jeni kuriozë të njihni specialitetin e Ritës? Është një recetë e shijshme dhe e lehtë verore, ‘Specat Kapriçozë’. Përgatitet lehtë, është një nga të preferuarat e Ritës, por edhe të vajzës së saj Rozës. Ngjyrat e kësaj pjatë shkaktojnë emocion!

Ja si t’i përgatisni me lehtësi në shtëpitë tuaja:

Për këtë recetë ju duhen specat e kuq e të rrumbullakët si top të cilët dalin në treg vetëm në një sezon. Këta speca janë një produkt karakteristik i zonës së Boboshticës në Korçë. I lajmë, i pastrojmë zemrën dhe i hapim pak duke krijuar një hapësirë sa për t’i mbushur më pas. I vendosim në furrë të marrin një faqe.

Marrim qepën e kuqe dhe e grijmë hollë-hollë në rende. I shtojmë gorgonzola, djathë dhie dhe mocarela. Fillojmë t’i përziejmë dhe i shtojmë kësaj mase pak pana dhe qumësht, majdanoz, kopër dhe koriandër. Hedhim erëzat, piper të zi që të jetë sa më i fortë dhe piper tre- llojësh. Kësaj mase të krijuar i shtojmë kurkuma që të marrë një ngjyrë sa më të bukur.

Pas përgatitjes së masës, nxjerrim specat nga furra të cilët e kanë marrë një pjekje rreth 70%.  I mbushim me radhë me një lugë të vogël dhe i lëmë edhe pak në furrë. Mund t’u vendosim sipër gjethe majdanozi sipas dëshirës.

Në mungesë të këtij speci të kuq, për të realizuar këtë recetë mund të përdorim edhe specat e tjerë të kuq, jeshilë e të verdhë. Duhet treguar kujdes të mos i shtojmë shumë kripë, pasi njëri nga përbërësit, gorgonzola është vetë tejet i kripur. Bëni kujdes me kripën dhe piperin! Ju bëftë mirë!

 

 

 

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF