Soni Malaj rikthehet në Festivalin e Këngës pas 10 vitesh mungesë dhe siç tregon vet artistja për Bordo vjen më e fortë ashtu si edhe kënga e saj. Por cilat janë emocionet paraprake të këngëtares dhe cilat janë risitë e performancës së saj në Fest ’57 i mësoni më poshtë në intervistën e dhënë ekskluzivisht për Bordo.
1- Rikthehesh në festival pas 10 vitesh mungesë, cilat janë emocionet paraprake?
Një përshëndetje për ju dhe gjithë lexuesit e Bordo. Jo vetëm unë por të gjithë konkurrentët kanë emocione. Është një garë dhe impenjimi është maksimal, si rrjedhojë edhe emocionet janë të mëdha.
2- Si është pritur kënga deri më tani, je e kënaqur me komentet që ka marrë ajo?
Po, shumë e kënaqur, e befasuar dhe ndihem shumë mirë për mbështetjen e madhe që më kanë dhënë deri tani, jo vetëm publiku por edhe të gjithë kolegët e mi, që e kanë shpërndarë këngën time.
3- Kënga është autobigrafike dhe duket që brenda saj gjejmë Sonin! A është kjo këngë nga ato që të ngre sa herë rrëzohesh?
Po, është autobiografike. Pas më shumë se dy dekadash karrierë është një rrëfim i sinqertë tek publiku im. Një mesazh jo vetëm për femrën, por për të gjithë ata që jeta i ka vënë në sfida të forta.
Kam vënë në plan të parë femrën, e pavarurur e jo domosdoshmërisht në një histori të lidhur me një mashkull, por rrugëtimin e saj si një grua e fortë, që edhe pse mund të lodhet, besimi në Zot dhe në vete janë ato që nuk e lënë të dorëzohet.
4- Çdo artist që konkurron në Festivalin e Këngës synon Eurovizionin. Mendon se do t’ja dalësh me këtë këngë? A është ky qëllimi yt?
Në radhë të parë unë duhet të paraqitem në mënyrë dinjitoze tek publiku dhe në një dimension që nuk më kanë parë më parë. Të tjerat janë zgjedhje që i bën juria dhe publiku.
5- Përveç garës me veten, cilën sheh si konkurrente të fortë në Fest ’57?
Të gjithë këngëtarët po konkurrojnë në mënyrë serioze dhe po përcjellin mesazhe të nevojshme për shoqërinë në një situatë që ndodhet Shqipëria sot. Ju uroj suksese të gjithëve
6- Çfarë të veçante do të ketë performanca e Sonit në festival?
Natën e dytë kam preferuar të mbështetem në dimensionin tim artistik siç është performanca në skenë me balerinët. Mund të zgjidhnim të duetonim me këngëtar tjetër, por preferoj t’ja dal vetëm dhe ta çoj performancën në vështirësi të tjera.