Kjo ditë mund të ketë pasur shumë heronj, por falë fotos që shpërndau kryeministri Edi Rama, njëri prej tyre do të mbetet gjatë në kujtesën e shqiptarëve. Ai quhet Luan Kapaj, është zjarrfikës në Vlorë.
Se cfarë bëri saktësisht për të merituar të gjithë këtë vëmendje, këtë shefi i ekzekutivit e shpjegoi përmes këtij mesazhi në rrjetet sociale:
Postimi i Ramës:
Në ditë me diell, kjo do të titullohej thjesht, PHOTO OF THE DAY.Por sonte kjo foto kërkon shpjegim. Ky njeri i zakonshëm i këtij vendi, quhet Luan Kapaj. Zjarrfikës në Vlorë. Qysh pa gdhirë sot, Luani dhe kolegët e tij vlonjatë, ishin përballë gërmadhave. U gdhi e u ngrys dita dhe ky burrë që s’e njeh askush, nuk rreshti një sekondë, duke u përpjekur të nxjerrë nga duart e vdekjes, jetët e murosura nën pirgjet prej betoni. E kur fuqitë e tij u duk se shterrën dhe Urgjenca Kombëtare Shëndetësore, e detyroi të shtrihej mbi barelë, vlonjati i paepur refuzoi maskën e oksigjenit dhe u rikthye tek gërmadhat, në kërkim të jetëve që kërkojnë shpëtim! Luani është ende aty, tani që po flasim.Deri në frymën e fundit për frymën e fundit??#HERO!
Ndërkohë ne kemi bindjen që Luani vetë nuk mendoi se gjesti i tij do t`i sillte një moment të tillë fame. Sjellja e tij tregon qartë se pak i ka interesuar kjo pjesë, ndërsa në mendje duhet t`i ketë rrahur si cekan një ide e vetme: të ndihmonte ata që sot, kishin më shumë nevojë!



















