Pas rreth një muaji të detyruar tê qëndrojnë të izoluar në shtëpi, si targetgrupi më i prekur nga Covid-19, pensionistët do të lejohen për pak orë të dalin për ajër të pastër.
Nesër, ditë e shtunë, pensionistët do të lejohen të dalin për ecje ose në park deri në orën 11:00 të paradites.
“Nesër pensionistët mund të dalin jashtë deri në orën 11 paradite, jo më shumë se dy veta duke ruajtur distancën”, tha Kryeministri Rama.
Gjithashtu, Rama tha se do të lejohet “lëvizja me automjet për leje shëndetësore. Autorizimi do të mbështet tek një dokument mjekësor, që drejtuesi do ta mbaj me vete”.
Policia e shtetit gjithashtu ka bërë thirrje që pensionistët duhet të respektojnë distancimin social, si dhe nuk do të lejohen të rrinë të grumbulluar.
Njoftimi i plotë i policisë së shtetit!
“Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social.Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë.”



















