Në Kosovë është shënuar viktima e 16 nga koronavirusi dhe bëhet fjalë për një grua shtatzënë. Këtë lajm e ka konfirmuar dhe drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj.
Gruaja 40- vjeçare ndodhej në javën e 28-të të shtatzënisë dhe fatkeqësisht as foshnja nuk ka mbijetuar. E ndjera ishte shtruar në Klinikën Infektive më 15 prill.
Ditën e sotme Klinika Infektive e QKUK-së, ka konfirmuar lajmin e vdekjes së gruas.
“Klinika Infektive e QKUK-së njofton se gjatë orëve të para të datës 21. 04. 2020 në Mjekimin Intensiv të kësaj klinike ka ndërruar jetë pacientja V.P. me vendbanim në Gjakovë (1980) e diagnostikuar me Covid-19. E ndjera ishte shtatzënë dhe po trajtohej në mjekimin intensive të klinikës që prej datës 15 prill 2020”, bëhet me dije në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Kosova deri më tani numëron 598 raste të konfirmuara me koronavirus dhe 16 viktima.



















