Kthimin e shkurtër në “Portokalli” e kishte sa për të nxjerrë mallin, sepse Eneda Tarifa paska pasur plane të tjera. Ajo do t`i bashkohet politikës, e më saktësisht skuadrës së Partisë Socialiste për zgjedhjet e 25 prillit. Eneda zhvilloi së bashku me kryebashkiakun e Tiranës, një bashkëbisedim me një grup të rinjsh të Njësisë 1 në Tiranë, ku dhe tregoi përsenë e këtij hapi. “Me zhvillimet që kanë ndodhur gjatë këtyre viteve, duke marrë parasysh që jam edhe këngëtare, artiste, por edhe nënë sigurisht, mendohem edhe për të ardhmen e vajzës sime dhe të fëmijëve të shoqeve të mia, mendoj se ky është drejtimi i duhur. Është zgjedhja e duhur që ne të vazhdojmë punët përpara dhe të jemi të sigurtë që kudo që të shkojmë, të themi: Jam nga Tirana, nga Shqipëria,” –tha ajo.
