Enada At’Nikolla nuk krijon veshje, por ‘vesh’ mesazhe! Na lini t’jua thjeshtësojmë paksa shprehjen e mësipërme. Ndonëse me siguri shumë prej jush ja njihni, krijimtarinë, artin, grintën e origjinalitetin At’Nikollës, krijimet e saj e tejkalojnë gjithmonë infinitin e një veshje të thjeshtë për trupin, pasi në stilimet që mbajnë firmën “Enada At’Nikolla”, ka art, shpirt dhe mesazh…
Në edicionin e radhës të Miss Univers 2021 që do të mbahet më 16 Maj, në skenën gjigande të ‘Seminole Hard Rock Hotel & Casino’ në Hollywood bukuria shqiptare do të përfaqësohet nga Paula Mehmetukaj.
Njëjtë si në edicionin e kaluar, edhe këtë vit veshja që pasqyron Shqipërinë në këtë garë i është besuar stilistes Enada At’Nikolla. Përfaqësuesja e Shqipërisë në Miss Univers përveç hijeshisë çon dhe një copëz Shqipërie, përmes veshjes kombëtare krijuar nga stilistja e njohur.
Stil Viktorian, sjellë me mjeshtëri nga duart e At’Nikollës e paraqesin Paulën në këtë përfaqësim sa të brishtë, aq edhe pasionante; sa delikate aq edhe të pavarus..Një korse ngjitur pas trupit punuar me gurë dhe perla; jaka gjigande që zgjatet si kurorë pas kokës dhe një pelerinë mëndafshi me mëngë të fryra sipas stilit viktorian, e kthejnë bukuroshen shqiptare në një mbretëreshë të epokës moderne.
Kujtojmë që edhe vitin e kaluar në Miss Universe, Enada At’Nikolla krijoi veshjen kombëtare të përfaqësueses Cindy Marina. Veshje kjo që mori me qindra e mijëra komente vlerësuese nga ndjekës nga e gjithë bota.



















