Fillimet janë të vështira për të gjithë, por dikush të gjendet pranë e të ndihmon, atë njeri do ta kujtosh përjetë. Për Mariza Ikonomin, një prej këtyre njerëzve ka qenë Françesk Radi, me të cilin këndoi “Telefonatë Zemrash”. E ftuar në emisionin “Historia ime”, Mariza nuk i mbajti dot lotët kur videoja u shfaq në ekran. “E kam shumë të vështirë të dëgjoj këtë këngë. Edhe pse më fal emocione, nuk mundem të mos prekem. Edhe nga profesori… unë vazhdoj të mendoj që ai është akoma, edhe pse ka ndërruar jetë. Është e pabesueshme ende për mua, që ai tashmë është në një jetë tjetër. Ka qenë shumë afër meje në karrierën time si artiste. Më ka ndihmuar, më ka mbështetur. Gjithmonë takoheshim dhe flisnim për problemet e muzikës. Çdo gjë të re që unë bëja ia tregoja. I pari që ia tregoja ishte profesori dhe gjithmonë e dija që nuk do merrja atë rezultat që prisja, sepse dihet që familja, mami, më thoshin ti je më e mira. Profesori t’i thoshte gjërat ashtu siç ishin dhe ndonjëherë ishte dhe i sertë dhe shumë kërkues dhe unë i vlerësoja kritikat e tij. Sot dhe kësaj dite më mungojnë kritikat e tij, sepse mungojnë artistë që të thonë mendimet e sinqerta. Ishte krijuar një raport i bukur, profesional-miqësor saqë vështirë ta thyesh, ” tha ajo.
Kantautori i njohur ndërroi jetë prillin e vitit 2017 pas një hemoragjie cerebrale.



















