Në përvjetorin e 10-të të vdekjes së këngëtares Amy Winehouse familja e së ndjerës ka vendosur të shesë në ankand veshjet e saj personale.
Prindërit e artisetes janë shprehur se garderoba dhe sendet e saj personala kanë mbetur të paprekur në dhomën e saj dhe se ata e kanë tejet të vështirë t’ i shohin.
“Sendet e Amy-t kanë qenë të mbyllura për një kohë të gjatë dhe familja vendosi që të mbanim gjërat më të çmuara, personale, për veten tonë, dhe nxjerrja në ankand e të tjerave do të ndihmonte ata që kanë nevojë përmes fondacionit dhe organizatave të tjera bamirëse. Me përvjetorin e vdekjes së saj, për familjen është jashtëzakonisht prekëse të shikojë veshjet e saj të bukura të varura në dollap, kështu që ne vendosëm të nxjerrim në ankand këto veshje skenike”; u shpreh babai i Amyt gjatë një interviste për “The Mirror”.
Ankandi pritet të fillojë në muajin Nëntor dhe aty do të shfaqen një pjesë e mirë e veshjeve skenike, këpucëve, aksesorëve të këngëtares së famshme.
Shtëpia e ankandit ka thënë se të ardhurat do të shkojnë për “Amy Winehouse Foundation”, që u krijua nga prindërit e saj në vitin 2011, pasi ajo ndërroi jetë. Amy Winehouse ndërroi jetë më 23 korrik të vitit 2011, për shkak të helmimit nga alkooli, në moshën 27-vjeçare.



















