
Që nga momenti qw pandemia filloi, kemi mësuar më shumë rreth virusit, se kush rrezikohet më shumë, se si duhen trajtuar pacientët e COVID-it dhe se si funksionon virusi. Studiuesit po mësojnë gjithashtu se si virusi manipulon sistemin imunitar të trupit dhe se si i shmang mekanizmat e tij mbrojtëse.
Kur një virus depërton në trupin e njeriut, sistemi imunitar fillon menjëherë ta sulmojë, por Covid-19 duket se ka aftësinë t’i shmanget sistemit tonë imunitar.
Michaela Gack, drejtuse nw qendrën kërkimore në Klinikën Cleveland në Florida, krahason sistemin imunitar me sistemin e alarmit të shtëpisë që arrin ta çaktivizojë grabitësi. “Në thelb, në këtë rast virusi COVID-19, çaktivizon sistemin e alarmit në shtëpi dhe kështu mund të replikohet lirisht në trupin e njeriut dhe të përhapet”, thotë ajo.
Zonja Gack thotë se kjo ndodh pothuajse menjëherë pas infektimit. “Një tjetër tipar kryesor i këtij virusi është se ai mund t’i shpëtojë reagimit imunitar të njeriut … Kjo transmetueshmëri e lartë e virusit, e kombinuar me aftësinë që të shmangë reagimin e antitrupave, e bën situatën me të vërtetë alarmante”, thotë zonja Gack.
Ajo që e bën virusin edhe më shqetësues është varianti i tij më ngjitës dhe më serioz Delta, i cili po përhapet me shpejtësi në të gjithë botën. Delta është bërë varianti dominues në Shtetet e Bashkuara. Në laborator, ekipi i zonjës Gack po studion teknikën e evazionit të COVID-19, për të cilën ajo thotë se duket se është unike. Ajo thotë se teknika ofron të dhëna për të prodhuar ilaçet që do ta luftojnë virusin. Nëse kanë sukses, ata mund të gjejnë mënyra të reja për të trajtuar pacientët me COVID-19 si dhe të infektuarit me lloje të tjera coronavirusësh.



















