Pas dëshmive të anëtarëve të ekuipazhit, janë zbuluar edhe fjalët e fundit të kineastes Halyna Hutchins, e cila humbi jetën në sheshxhirim pasi u qëllua për vdekje nga aktori Alec Baldwin.
Baldwn ishte duke u përgatitur për një skenë shkëmbimi zjarri brenda një kishe dhe duke u siguruar që ekipi i kamerës të kishte këndet e duhura për tërheqjen e këmbëzës së revolverit, raporton Los Angeles Times. “Pra, mendoj se do ta heq këtë, do ta tërheq dhe do të them “Bang!”, kishte thënë ai ndërsa kapte pistoletën me këllëf, e cila supozohej të ishte e mbushur me fishekë false, por rezultoi krejt e kundërta pasi në të ndodhej një plumb i vërtetë.
Hutchins e plagosur për vdekje u pengua dhe ra në krahët e kryeelektricistit në shesh, ndërsa gjaku derdhej nga gjoksi i saj. Ndërkohë, regjisori Joel Souza, i cili thuhet se është goditur nga i njëjti raund, u rrëzua edhe ai në tokë, teksa u dëshua të thoshte, “Çfarë dreqin ishte ajo? Po më djeg!”.
Baldwin e uli armën dhe pyeti vazhdimisht:“Çfarë ndodhi?”. Ndërkohë, dikush kërkoi të thirrej një mjek menjëherë.
“Jo, nuk ishte mirë. Kjo nuk ishte aspak e mirë”, dëgjohej të thoshte Hutchins në ato momente, ndërkohë që disa nga anëtarët e ekuipazhit vrapuan furishëm drejt saj duke u përpjekur të ndalonin gjakderdhjen.
Brenda pak orësh Halyna Hutchins fatkeqësisht ndërroi jetë. Ndërkohë Baldwn dukej i dëshpëruar dhe i mërzitur teksa foli për të shtënën tragjike në fermën Bonanza Creek, që tronditi mbarë opinionin publik.



















