Nga Nada Biraçi
Fotografia: Erjon Beshiri
Vendodhja: Hotel Rogner
Projektet e deritanishme televizive kanë qenë një sprovë e kaluar me sukses për regjisorin Redi Treni, ndaj sheshxhirimet e serialit “Snob” kanë qenë një mision i ri drejt një rruge krejt të panjohur, por motivuese, duke shndërruar në imazh projeksionin e skenaristes Dalina Buzi. “Snob” sjell një këndvështrim jo vetëm mbi realitetin shqiptar, por edhe konceptin regjisorial, një sfidë e madhe për Trenin në fillim të një epoke, kur serialet në Shqipëri janë kthyer në produksionet më të preferuara televizive.
Prej pak javësh ka nisur në Top Channel seriali “Snob”? Deri në ç’masë përputhet me pritshmëritë tuaja suksesi i tij? Apo i përmbysi ato në një farë mënyre?
Një vit e gjysmë më parë, kur filluam këtë projekt, dita e transmetimit dukej shumë e largët. Dukej si një projekt arkitekture që formën stafi realizues e di si do ta ketë, por çfarë ndjesie do të transmetojë, do të duket vetëm kur të jetë përfunduar. Shpirtin “Snobit” ja dhanë aktorët dhe stafi realizues. Kurse regjisori është si Gepetto që krijoi Pinokun: Asnjëherë nuk do t’i duket vepra e tij e përfunduar plotësisht.
Me ç’qëllim u realizua ky serial? Cilat janë temat dhe mesazhet që keni dashur të cekni në këtë prodhim?
Kur Dalina krijoi skenarin, kishte parasysh një zhytje në realitetin tonë të përditshëm shqiptar, por atë anën që kemi turp ta shfaqim në publik. Të vogël por të thellë, me problematika të thjeshta, por të koklavitura. Mesazhi që i qëndruam besnik nga fillimi në fund ishte “Jeta mund të ketë ngjyra dhe forma të ndryshme. Secili do gjejë masën e tij.”
Deri në çfarë mase mendoni se në “Snob” pasqyrohet realiteti shqiptar siç është?
Jeta jonë moderne në Shqipëri është një kombinim i vlerave me antivlerat. Pak nga disbalanca sociale, pak nga miti i jetës europiane, të gjithë kanë betejat e tyre për të gjetur vendin e përkatës në shoqëri. Gjithkush do gjejë ngjashmëri me veten apo dikë që njeh, brenda “Snobit”.
Cilat mendoni se janë pikat e forta të këtij seriali?
Drama që përcjell gjithë sezoni i parë është padiskutim një nga pikat më të forta. Gjuha e përdorur ndihmon në vërtetësinë e aktoreve të rinj apo të afirmuar. Standartet europiane të produksionit garantojnë kualitetin e asaj që po i servirim publikut.
Parimi i parë i Hollywood është ‘fundi i lumtur’. Redi Treni preferon të jetë regjisori i ‘fundeve të lumtura’ apo ai realisti?
Qëllimi i punëve të mia është të transmetojë emocionin që duhet. Çdo skenë analizohet që të ketë kiminë e duhur mes aktorëve, duke kërkuar gjithmonë besueshmërinë. Fundi i lumtur (apo sidoqoftë ai), drama apo realiteti duhet të vijnë natyrshëm. Përplasjet, konfliktet, ato që thuhen verbalisht apo edhe ato që thuhen pa u thënë, duhet të vijnë dhe përcjellin natyrshmëri dhe të lënë gjurmë tek shikuesi. Unë fokusohem tek transmetimi i secilës ndjenjë siç e meriton të shihet nga publiku.
Sa është e mundur që të arrihet në një prodhim shqiptar ekselenca artistike dhe teknike me skenar, regji, aktrim, montazh, efekte speciale, kolonë zanore?
Për mua, gjeniun nuk e bën vendi, por këmbëngulja dhe kërkimi për perfeksionizëm. Mund të jemi një vend i vogël, që ka vend për të gjithë artistët që punojnë këtu, por nëse krahasimi i çdo artisti është puna personale me perfeksionizmin, limitimet nuk ekzistojnë. Ky prodhim është prova. Së bashku me Ols Abazin dhe Dalina Buzin, punuam me profesionistë që ishin të fokusuar tek perfeksioni: skenografen Desantila Lika, stilistin Altin Lala, drejtorin e fotografisë Latif Hasolli, përgjegjësen e muzikës Klodeta Buzi, detajistët Edrini, Amela, Klajdi, Luani, Alerdi, Olsi. Asnjëri prej tyre nuk do t’i trembej profesionalisht asnjë standardi global.
Ju prej vitesh jeni regjisor në ekranin e vogël me produksione të mëdha, çfarë emocionesh e ndan TV nga seriali?
Kinostudio, tempulli kinematografik, ka qenë vendi i parë që im atë Niko Treni, më ka çuar për dore. Arsyeja pse u bëra regjisor. Televizioni ishte puna ime e parë, është spontan dhe i papritur, është një dëshmitar okular. Regjia televizive është një zanat, ndersa regjia e filmit është një profesion. Filmi është më i shtruar, ke kohën për të përgatitur çdo rrethanë, drejt objektivit final. Televizioni është dreka e përditshme. Seriali është, ajo darka e sofistikuar ceremoniale, e planifikuar mirë në çdo detaj, që bëhet rrallë, por që lë shenjë emocionale.
Natyrisht, ju keni punuar me shumë shkrimtarë, dramaturgë apo skenaristë. Çfarë duhet të dijë një skenarist ose një dramaturg për të punuar me një regjisor? Si krijohet kjo marrëdhënie?
Ky kombinim është si një martesë që duhet të ketë dashuri. Nëse krijuesi i historisë dhe regjisori nuk kanë kimi me njëri – tjetrin, rruga do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Çdo artist është besnik në stilin e tij dhe nuk është shumë e thjeshtë të gjesh partnerë të ngjashëm për duet. Nëse ndodh, çdo bashkëpunim është një përmirësim konstant për të gjithë.
Paralelisht me Snob në ekranet shqiptare po shfaqen edhe disa seriale të tjera. A i keni parë? I komentoni me stafin tuaj?
Nuk mund të jemi të kënaqur mjaftueshëm që më në fund ka prodhime të mira, paralele, vendase që madje konkurrojnë për audiencë në të njëjtën hapësirë televizive. Patjetër që i shohim dhe i komentojmë por, si i thonë “i zoti e di më mirë se kushdo tjetër, se ku i pikon çatia”.
Filmi, seriali për të cilin ke pritur gjithë jetën për ta realizuar a është bërë? Nëse jo cili është ai?
Mendoj që kjo është një pyetje, përgjigjen e së cilës mund ta kthej kur karrierën time ta shoh teksa e kthej kokën pas, për momentin mundem të shoh vetëm përpara. Si regjisor më pëlqen të eksperimentoj me zhanret e ndryshme kinematografike. Të bëj Dramën, Aksionin, Komedinë, Romancën, Thrillerin, kur t’i kem prekur të gjitha do të jem në gjendje të shoh pas.



















