Këngëtarja e njohur, Anita Bitri, 18 vite më parë ndërroi jetë bashkë me vajzën dhe të ëmën në SHBA, si pasojë e bllokimit të paqëllimshëm të tubit të shkarkimit të monoksidit të karbonit.
Së fundmi vëllai i këngëtares ka dhënë një intervistë në “ABC e Mëngjesit”, ku ka folur për motrën e tij të ndjerë, “Anita kishte lindur bashkë me talentin në muzikë dhe letërsi. Ajo nuk ishte vetëm shkrimtare, por edhe violiniste. E dashuronte këngën, nuk ishte vetëm këngëtare, por edhe muzikante e kompletuar se kishte mbaruar violinën. Ishte shumë e ëmbël dhe me një mirësi të pafund, me një të qeshur shpirtërore. Kështu e mbaj mend unë motrën time”.
Më tej, Arbeni ka treguar si qëndron e vërteta e vdekjes së artistes, çfarë ndodhi realisht dhe të gjitha konspiracionet që u aluduan asokohe.
“Ishte e rëndë, kur tre krijesat më të dashura të familjes ikin nga ky rruzull dhe bëhen engjëj. Isha në Itali në Modena dhe nuk e besoja. Të nesërmen pas shumë përpjekjesh e morëm vesh lajmin dhe ikëm në Amerikë. Do të kujtojë atë pritjen madhështore që i bënë artistët si Frederik Ndoci. Që bënë gjithë atë përcjellje dhe ndihmuan për të dërguar trupat në Shqipëri.
Nuk ka asnjë lloj konsipiracioni, ishte një tragjedi. Prandaj u vendos edhe ligji për monoksidi i karbonit. Shtëpia e Anitës nuk e kishte këtë prandaj ndodhi. Zoti Blumber, mbas tragjedisë Bitri vendosi menjëherë ligjin për monoksidin e karbonit. Të gjitha konspiracionet erdhën nga Vlora. Unë jam marr me këtë çështje tre vjet. Ishte injoranca që solli këtë tragjedi”, u shpreh ai.