Artistja ukrainase me famë botërore, Ruslana ka dhënë së fundmi një intervistë ekskluzive te “Rudina”, nga ku ka folur për luftën në Ukrainë.
Këngëtarja që përfaqësoi Ukrainën në Eurovision me “Wild Dances” në vitin 2004, shprehet se dëshira e saj e vetme është fitorja dhe liria.
“Unë dëshiroj që të gjithë ta mbështesin Ukrainën sepse kjo është luftë globale për të gjithë botën. Ne duhet të kuptojmë që sot rusët kanë marrë Çernobilin. Na duhet patjetër që të mbyllet ajri mbi Ukrainën sepse nëse do plasë centrali do jetë problematikë globale. Rusët kanë bllokuar centralin në Saporizhia dhe nuk lejon ndërhyrje aty. Unë nuk kam parë kurrë të gjithë pallatet e sheshuara. I kanë bombarduar të gjitha me armë. Jetimoret, spitalet, maternitetet. S’e kam parë këtë skenë në asnjë film të tmerrshëm”, tha artistja.
Teksa më tej Ruslana shtoi, “Mos mendoni që është lufta diku dhe po mbrohemi, ne do t’i mbrojmë të gjithë. Jemi shumë të fortë. E rëndësishme është që të kuptojmë që kemi një tokë, një jetë që duhet ta vlerësojmë dhe të bëjmë gjithçka për të. Dua vetëm të jemi të gjithë bashkë”.
Në fund të bisedës, Ruslana bëri edhe një premtim për Shqipërinë, “Mos harroni që unë ju dua shumë dhe kur të mbarojë lufta do vij te ju me ‘Wild Dances’. Ju falënderoj”.



















