Armina Mevlani dhe Shkëlzen Berisha kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë mbrëmjen e kësaj të diele.
Gjatë dasmës madhështore, siç e do tradita nuk munguan disa fjalë zemre nga prindërit e çiftit, nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe gazetari Arben Mevlani.
Babi i Arminës, Arben Mevlani, teksa i uroi jetë të lumtur çiftit, tha, “Që do bëja një krushk e dija, po se do më bënte Armina krushk me Sali Berishën, këtë s’e dija”.
Ndërkohë në hapje të dasmës një fjalim u mbajt edhe nga ish-kryeministri Sali Berisha, i cili me një gotë verë në duar tha, “Arben dhe Mimoza, të dashur Armina dhe Shkëlzen, në dasma nuk duhen fjalime, ndaj dua të them vetëm dy fjalë. Nga zemra uroj Arminën dhe Shkëlzenin që kurorëzojnë dashurinë e tyre disa vjeçare sonte në këtë ceremoni, me miqtë dhe të afërmit e tyre”.
Ndër të tjera Berisha u shpreh se, “Merita më e madhe e Shkëlzenit është se arriti të pushtojë zemrën e Arminës”.



















