KreuBusull

“Albanian Montreal Press” feston 5-vjetorin e krijimit!

Portali informativ “Albanian Montreal Press” këtë fundjavë festoi 5-vjetorin e krijimit të tij, në provincën e Quebec në Kanada.

Botuesja e AMPress, Blerina Ruka, organizoi eventin e së shtunës, ku bëri bashkë mjaft personalitete shqiptare, bashkatdhetarë dhe të ftuar nga Toronto dhe Montreali në galerinë e njohur të artit Ambigu në Montreal.

Me rastin e këtij 5-vjetori, të ftuarit patën mundësi të prekin nga afër botimin special, gazetën e Albanian Montreal Press, që u shtyp në mënyrë të posaçme për këtë takim të veçantë. Në gazetën prej 12 faqesh u prezantuan 10 shqiptarë që kanë bërë emër në komunitetin tonë të përqendruar në Kanada, por jo vetëm.

Nëse 3 vite më herët, me po të njëjtën logo AMPress prezantoi një botim “Shqiptari i Montrealit“, ku në fokus ishin shqiptarët e Quebec, këtë herë gjeografia e përbërjes së gazetës solli në vëmendje veprimtarë të komunitetit edhe në provinca të tjera të Kanadasë, si Ontario, British Columbia, Calgary etj.

Pjesë e këtij eventi special ishte profesor Ramazan Këllezi, koreografi i vetëm shqiptar, një emër i arti e i skenës, i njohur në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare. Së fundmi ai u nderua nga ish-presidenti i Republikës me medaljen për “Merita të veçanta civile“ si dhe “Ambasador i Kombit“ nga Samiti i dytë i Diasporës.

Eventit të së shtunës iu bashkua edhe aktivisti shqiptar me banim në Toronto, Nador Bakalli, i cili shpjegoi për pjesëmarrësit rëndësinë e votës së diasporës në marrjen e vendimeve në politikëbërje në vendlindje.

Në këtë 5-vjetor të “AMPress” nuk kishte si të mungonte performanca e këngëtares Xhoi Bejko, e cila absolutisht elektrizoi të ftuarit me këngë të përzgjedhura nga repertori i saj.

Ansambli “Shqiponjat e vogla“, të ftuar për herë të parë në Montreal, i dhanë gjithë hijeshinë dhe rrëmbyen vëmendjen e të ftuarve me të gjitha vallet shqiptare, atë të Librazhit, të Tropojës, të Shupalit, vallet e Tiranës etj. Me kostumografi të kuruar, me dëshirën për të transmetuar ndër breza folklor dhe krenari, të gjithë djemtë dhe vajzat e ansamblit ftuan të gjithë pjesëmarrësit në një dasmë tipike shqiptare.

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF