KreuBusull

Lumnije Kqiku, një doktoreshë nderi në Graz të Austrisë!

Lumnije Kqiku, një doktoreshë nderi në Graz të

Doktoreshë Lumnije Kqiku është padyshim një model suksesi, që falë studimit dhe punës së palodhur ndër vite ka arritur majat. Pasioni dhe synimi jetësor i doktoreshës ka qenë që një ditë të ishte një mjeke e veshur në të bardha, që rrezaton dritë e dashuri, paqe e harmoni kudo, ëndërr e cila jo vetëm u realizua por shkoi përtej kësaj, pasi të shumta janë arritjet që ka shënuar, në shumë prej të cilave është dekoruar edhe me çmime. Në këtë intervistë për revistën “Bordo”, doktoreshëLumnije Kqikundan eksperiencën e saj, duke dhënë këshilla të vyera për të gjithë lexuesit…

Doktoreshë Lumnije, për të gjithë ata që nuk e dinë, cilat janë momentalisht angazhimet tuaja profesionale?

Angazhimet e mia profesionale janë të shumta dhe në interes të shoqërisë të vendit ku jetoj dhe të vendit amë Kosovës e Shqipërisë, ku jap kontribut të gjithanshëm në avancimin dhe vetëdijesimin e shumë ekspertëve dhe gjeneratave që duan të përfitojnë njohuri ndërkombëtare në fushën e mjekësisë. Kuptohet angazhimi im primar mbetet në Klinikën Universitare të Gracit dhe detyrat e mia si mjeke, pedagoge, profesoreshë, dhe udhëheqëse e traumës dentare klinike.

Mjekësia në përgjithësi dhe stomatologjia në veçanti kanë qenë një ëndërr fëmijërie e bërë realitet apo dashuria për to ka ardhur rrugës?

Rruga ime nuk ishte e lehtë dhe pa sfida për të ardhur deri te kulmi i suksesit tim. Kuptohet pasioni im dhe synimi jetësor ishte një mjeke veshur në të bardha, që rrezaton dritë e dashuri, paqe e harmoni kudo në botë. Stomatologjia është profesion i zemrës dhe i shpirtit dhe për këtë drejtim kam sakrifikuar e shpenzuar shumë, dhe mendoj që gjithçka ia ka vlejtur.

Sa e vështirë është të bëhesh një doktoreshë e zonja dhe e suksesshme?

Një pyetje që ngërthen në vete qindra përgjigje e dilema. Sigurisht që të jesh e zonja në këtë profesion të duhet edhe pak sakrificë në familje, pak sakrificë në dëshirat e tua personale dhe pak shmangie nga jeta e luksit. Doktoreshë të jesh do të thotë t`i ndihmosh njerëzit dhe kur kjo të besohet ty është bukur, privilegj dhe përgjegjësi.

Si do ta përkufizonit gjithë rrugëtimin tuaj profesional? Dhe nëse do të duhet të zgjidhje, kujt do t’ia dedikoje suksesin?

Një rrugëtim me një tunel me dritë të hapur. Asnjëherë s’kam dashur pengesa dhe asnjëherë s’i kam marrë për bazë dilemat dhe dyshimet. Kam rrezatuar pozitivitet, kam treguar dije dhe njohuri bazike për ta përfunduar suksesshëm gjithë rrugëtimin tim profesional e jetësor.

Suksesin ia dedikoj familjes sime të mrekullueshme, dy prindërve të mi, sidomos babait tim të ndjerë, i cili u nda nga kjo botë para disa muajve.

Ai, së bashku me nënën, ishte njeriu që më dha forcë, shtytje e motiv për punë. Normalisht është edhe bashkëshorti dhe 3 fëmijët që për mua janë yje që më bëjnë dritë kudo.

Keni qenë hulumtuese e lartë shkencore në Fakultetin e Stomatologjisë në Universitetin e Zagrebit, si dhe në Universitetin Mjekësor të Tübingen-it, Gjermani; Si kanë qenë këto eksperienca për ju?

Në fakt këto dy evente shkencore dhe hulumtuese për mua ishin një përvojë fort e mirë sepse kam mësuar shumë, kam takuar njerëz të zotë e me dije akademike dhe kuptohet që këto shkëmbime janë fort të prirura për rezultate afatgjata.

Çfarë këshille do t’i jepje një studenti që është në hapat e para të karrierës?

E thjeshtë fare. Beso në vetën tënde, duaje dhe respektoje çdo sekondë të jetës, merr përgjegjësi dhe rehatohu shpirtërisht në profesionin që e ke zgjedhur. Mos humb kohë nga gjërat periferike, puno saktë, vepro drejtë dhe bëhu pjesë e çdo zhvillimi që ka të bëjë me ty dhe të ardhmen tënde.

Keni një mesazh për lexuesit e revistës “Bordo”?

Mesazhi im për lexuesit tuaj ka të bëjë me dëshirën që shqiptarët kudo që janë të hapin sytë dhe të punojnë për shtetin, për kombin e aspiratat tona të ditura. Çdo shqiptar duhet të jetë i denjë për përfaqësim dinjitoz kudo në botë sepse vetëm kështu mund të mposhtim propagandën e ashpër të armikut dhe të kundërshtarëve të tjerë.

Faleminderit nga zemra revistës “Bordo” për mundësinë që të flas e shkruaj për karrierën time.

Për punën dhe veprimtarinë tuaj keni marrë shumë çmime; së fundi jeni nderuar nga qyteti i Grazit në Austri me një çmim të jashtëzakonshëm “Personalitet nderi me medalje të artë” për arritje të mëdha profesionale. Çka do të thotë ky çmim për ju?

Në karrierën time akademike jam nderuar me shumë çmime e mirënjohje, por do të veçoja: Mirënjohjen për arritjet shkencore në karrierë dhe prezantim të Kosovës jashtë nga Drejtoria e Kulturës së Gjilanit sepse jam lindur në Gjilan. Pastaj nga shoqata e stomatologëve në Austri për disertacionin më të mirë në vitin 2005, dhe po ashtu pata nderin të nderohem me çmimin ‘Udhëheqja përmes Shembullit’ nga Kolegji i Kirurgëve të Kosovës në Kongresin e Dytë Klinik, të mbajtur në Prishtinë në shtator 2022, dhënë nga ish-ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Prof. Dr. Rifat Latifi, çmim i cili i dedikohet veçanërisht mjekëve shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, të cilët kanë kontribuar dhe kontribuojnë për mjekësinë në Kosovë.

Çmimi i fundit që u nderova nga qyteti i Grazit të Austrisë për arritjet shkencore “Personalitet nderi me medalje të artë”, është çmim që më nderoi jo vetëm mua, por të gjithëve ne si popull. Në këtë manifestim të ndarjes së çmimit të pranishëm ishin pothuajse gjithë qeveria e qytetit, si dhe vetë kryebashkiakja e Gracit Elke Kahr, e cila me këtë rast ka theksuar: “Mirënjohja është gjëja më e thjeshtë për t’ju thënë faleminderit”. Më e rëndësishmja është se çmimi që më është dhënë nga një vend ku nuk kam lindur dhe ku ndarjet e çmimeve janë shumë të rralla, dhe të veçanta, nga personalitete me kredibilitet të lartë. Por edhe këtë arritje, e kam fituar në sajë të punës, angazhimit tim të madh që e kam bërë ndër vite, si eksperte dhe si studiuese në fushën e mjekësisë dhe jo vetëm.

Tags:

Home Busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF