KreuStil Jetese

Mumja 5 mijë vjeçare në Alpet Italine, ekspertët: Ishte nga Anadolli i Turqisë!

Mumja 5 mijë vjeçare në Alpet Italine, ekspertët: Ishte

Tullac, me sy të zinj dhe me lëkurë shumë të errët: analiza e gjenomit zbuloi se çfarë pamje kishte, kur ishte në jetë, njeriu i gjetur në akujt malorë “Ötzi”, i quajtur kështu sipas vendit, ku u gjet mumja, në luginën Ötztal. Sipas kësaj analize gjenetike linja stërgjyshore e njeriut, që jetoi në Alpe rreth vitit 3250 para Krishtit, rrjedh direkt nga fshatarët e parë, që erdhën në Evropë nga Lindja e Mesme para rreth 8000- 9000 vjetësh, thote DW. Kjo u bë e ditur nga një ekip studiuesish nga Gjermania, Italia dhe Austria në revistën “Cell Genomics”.

Bujq nga Lindja e Mesme

Segmentimi i gjenomit tregon se më shumë se 91 për qind e gjenomit të “Ötzit” vjen prej emigrantësh nga Anadolli. Këta bujq të hershëm erdhën nga Lindja e Mesme rreth 9000 vjet më parë dhe sollën me vete, gjene të panjohura deri atëherë në Evropë. Pjesa tjetër nëntë përqind e gjenomit rrjedh nga evropianë, që jetonin me gjueti. Kështu që ekipi i studiuesve arrin në përfundimin se “Ötzi” vinte nga një popullsi relativisht e izoluar në Alpe, e cila kishte pak kontakt me grupe të tjera evropiane.

“Nga ana gjenetike ai ka një pamje, sikur paraardhësit e tij të kishin ardhur direkt nga Anadolli”, thotë bashkëautori i studimit Johannes Krause, drejtor në Institutin Max Planck për Antropologjinë Evolucionare në Leipzig. Sipas analizës gjenetike “Ötzi” ka pasur lëkurë shumë të errët – shumë më të errët se ajo e evropianojugorëve të sotëm. Sipas autorëve ngjyra e errët e lëkurës së mumjes nuk vjen si rezultat i nxirjes nga mijëvjeçarët në akull.

Rënie flokësh ka pasur që atëherë

Edhe fakti që në kokën e mumjes nuk u gjet gati asnjë qime, nuk është shkaktuar me sa duket nga qendrimi në akull. Por “Ötzi” me sy të errët dhe flokë të zinj, ka pasur një tendencë të fortë gjenetike për rënien e flokëve, kështu që atij i kishin mbetur shumë pak flokë.

Mumja e akujve alpinë gjendet në Muzeun Arkeologjik të Tirolit të Jugut në Bolzano, i cili përmban edhe rikonstruksionin e “Ötzit” në kohën kur jetonte, me lëkurë të çelët dhe flokë të gjatë. “Ne nuk do ta ndryshojmë menjëherë rikonstruksionin”, i tha zëdhënësja e muzeut  Katharina Hersel Agjencisë Gjermane të Shtypit.

“Ndërsa predispozitat gjenetike janë qartësisht të analizueshme, ekipi hulumtues është shumë i kujdesshëm lidhur me gjasat nëse, kur dhe në çfarë mase kjo gjenetikë do të shfaqet gjatë jetës së një individi.”

Zbulimi u bë më shumë se 30 vjet më parë

“Ötzi” u zbulua në vitin 1991 në Alpet Italiane në Tisenjoch, në një zonë, ku akujt alpinë ishin shkrirë. Zbulimi i mumjes së ruajtur mirë qe një sensacion arkeologjik. Që atëherë shkencëtarët janë përpjekur përmes teknikave më moderne, të gjurmojnë jetën dhe vdekjen e tij rreth 5300 vjet më parë.

Sipas provave shkencore njeriu i akujve alpinë ishte rreth 1,60 metra i gjatë, një gjatësi mesatare për kohën e tij. Ai peshonte rreth 50 kilogramë dhe ishte rreth 45 vjeç, kur u vra nga një shigjetë. Vakti i fundit, që ka ngrënë, para se të vdiste, mund të ketë qenë mish i tharë cjapi.

Tags:

Home bordo

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF