KreuStil Jetese

Fotoja e arrestimit të Donald Trumpit, hyn në historinë amerikane!

Fotoja e arrestimit të Donald Trumpit,  hyn në historinë

Fotografia e ish-presidentit Donald Trump si i arrestuar në një burg të Atlantës të enjten, njëkohësisht krijoi dhe dokumentoi një ngjarje të pashembullt në jetën amerikane si hera e parë që kjo ndodh në historinë e vendit. , thotë per Voa-n Marty Kaplan, profesor në Shkollën e Komunikimit Annenberg të Universitetit të Kalifornisë Jugore.

Në foto, zoti Trump, i vrenjtur, sheh direkt në kamera para një sfondi të butë ngjyrë gri. Ai ka veshur një kostum blu, këmishë të bardhë dhe kravatë të kuqe, me shpatulla brenda objektivit të fotografisë, kokën e anuar pak nga kamera. Logoja e sherifit është shtuar në mënyrë dixhitale mbi shpatullën e tij të djathtë.

Disa nga 18 të pandehurit e tjerë të çështjes së Xhorxhias, buzëqeshnin në fotot e arrestimit, por jo zoti Trump. Vështrimi i tij është sfidues, sikur po sheh në sy një kundërshtar armiqësor.

“Nuk është një ndjesi e mirë, veçanërisht kur nuk ke bërë asgjë të keqe”, tha ai më vonë për televizionin amerikan Fox News për këtë moment të kapur nga objektivi i kamerës.

Përballja e ish-presidentit Trump me akuza është bërë diçka e zakonshme në vitin 2023 për amerikanët që e kanë parë atë të dalë përpara një gjyqtari në një sallë gjyqi në Nju Jork ose panë skica nga brenda gjykatave federale në Miami dhe Uashington, ku kamerat nuk lejohen.

Kësaj radhe është ndryshe.

Siç tha gazetari Anderson Cooper në televizionin CNN: “Ish presidenti i Shteteve të Bashkuara ka një numër identifikues që u jepet të burgosurve”. Numri është: P01135809. Por, deri para çështjes në shtetin Xhorxhia, aktpadia e tij të katërt këtë vit, ai kishte mundur të shmangte një foto gjatë arrestimit, të cilës i nënshtrohen miliona të tjerë të akuzuar para tij.

Pavarësisht se zoti Trump, si të gjithë amerikanët, është i pafajshëm derisa të provohet fajësia në gjykatë; fotografia e arrestimit dhe gjithçka që ajo nënkupton, ka një ngarkesë shtesë emocionale dhe kulturore.

Fotografia e arrestimit është pjesë e rëndësishme e sistemit të drejtësisë penale. Ajo është një simbol i lirisë së humbur. Ajo përkujton përgjithmonë një nga ditët më të këqija të jetës së një personi. Veçanërisht për një person që është lindur në një familje të pasur, kjo fotografi as që mendohet se mund të të ndodhë në jetë, sidomos kur është fjala për një person që publikisht dihet se pëlqen të ketë kontrollin mbi situatat e jetës, që është shumë i vëmendshëm ndaj imazhit të tij dhe që u bë figura më e fuqishme në botë.

“Aktpadi” është një fjalë që nuk përcjell ngarkesë emocionale. Fjalët janë të zbehta përballë fotografive”, tha Marty Kaplan, që dikur ishte këshilltar i ish-nënpresidentit Walter Mondale që shkruante fjalimet e tij, si edhe skenarist i Hollivudit. “Fotografia e arrestimit është një zhanër më vehte. Është si një paradë e turpit”.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF