Divorci mes Joe Jonas dhe Sophie Turner dhe lufta për kujdestarinë e dy vajzave të tyre mesa duket do të jetë beteja më e ashpër në muajt e ardhshëm. “Do të jetë një betejë e gjatë gjyqësore”, thotë për “Page Six”, avokati i famshëm i Nju-Jorkut, Aaron Richard Golub, i cili ka punuar me personazhe të famshëm duke përfshirë Gisele Bündchen, Martin Scorsese dhe Brooke Shield.
Golub nuk është i përfshirë në çështjen e Jonas dhe Turner, por thotë se gjërat mund të bëhen më të ndërlikuara tani që çështja përfshin tre juridiksione të veçanta dhe dy sisteme të ndryshme ligjore.
Jonas fillimisht paraqiti kërkesën për divorc në Florida në fillim të këtij muaji, ndërsa Turner ngriti një padi në Nju-Jork të enjten. Turner thuhet gjithashtu se po planifikon të ngrejë një padi të veçantë në MB.
Avokati i divorcit Val Kleyman nga firma ligjore Kleyman Domestic Relations, i cili gjithashtu nuk është i përfshirë në këtë rast, i bën jehonë mendimit të Golub. “Do të jetë e ndërlikuar sepse në fund njëra nga palët [Turner ose Jonas] do të duhet të dorëzohet në vendin ku do të jetojnë fëmijët ose gjykata do të duhet të marrë një vendim”, thotë ai për “Page Six”.
Aktorja ngriti një padi në një gjykatë në Manhattan duke kërkuar “kthimin e menjëhershëm” të dy vajzave të tyre, Willa, 3 vjeçe dhe vajzës së tyre 1-vjeçare, emri i së cilës nuk është bërë i ditur, në vendin e saj, Angli.
Në dosje pretendohet se Jonas, refuzoi t’i jepte pasaportat e fëmijëve në mënyrë që ata të mos mund të largoheshin nga SHBA.