Më kërkesë të prokurorisë, policia vuri sot ne pranga edukatoren e kopshtit privat ‘Stinët’, Majlinda Dehima, e cila dhunoi një vajzë 3-vjeçare. Edukatorja është arrestuar pasi akuzohet për veprën penale 'keqtrajtim i të miturit'. Sipas prokurorisë kjo kërkesë u bë pas marrjes në dorëzim ditën e sotme të procesverbalit për keqyrjen e pamjeve filmike (usb) si dhe pas aktit të ekspertimit mjeko-ligjor.
Dehima, 48-vjeçe, e cila në pamjet e publikuara, dyshohet se është autore e thyerjes së këmbës së vajzës, para hetuesve ka mohuar gjithçka. Ndërkohë me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë në çerdhe, kopështe e shkolla private, policia thotë se ka nisur kontrollet në terren për të verifikuar ligjshmërinë e ushtrimit të aktivitetit nga operatorët ekonomik privat.
Zyrtarë dhe punonjës të Komisariatit nr.1 në Policinë e Tiranës, pranuan sakaq se kanë neglizhuar hetimet për dhunën ndaj vajzës 3-vjeçare të cilës iu thye këmba në kopshtin privat. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ka marrë në pyetje Ylli Çakon, shef seksioni i krimeve, Ergys Brahimajn, specialist seksioni i krimeve, Rustem Dervishin, shef i krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës. Ata pranuan se kanë neglizhuar çështjen e skandalit të thyerjes së këmbës së 3-vjeçares në ambientet e kopshtit “Stinët”.
Gjatë sqarimeve para agjentëve të AMP-së, ata theksuan se kishin ndër mend të shihnin pamjet e kamerave të sigurisë në ditët në vijim, për të kuptuar çfarë kishte ndodhur dhe si ishte thyer këmba e vajzës së mitur në atë mënyrë. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore i ka referuar Prokurorisë së Tiranës dosjen ndaj 2 policëve, Ylli Çakon, shef i seksionit të krimeve dhe Bledar Rushitin, SPZ i zonës për akuzën “shpërdorim detyre”. Hetuesit kanë dyshime se efektivët nuk kanë verifikuar sipas ligjit edhe dokumentacionet e kopshtit, siç rezultoi më vonë i palicensuar nga ministria e Arsimit. Ata po vijojnë hetimet për të parë nëse efektivët e akuzuar kanë përfituar ryshfet. Kopshti “Stinët” tashmë është mbyllur.