
Aktori i njohur amerikan Danny Glover ka bërë publik një rrëfim prekës, duke zbuluar se prej disa vitesh po përballet me sëmundjen e Alzheimerit.
79-vjeçari e ndau lajmin gjatë një interviste për NBC, ku tregoi se diagnoza iu vendos pak kohë pasi mori çmimin e nderit Oscar në vitin 2022. Edhe pse pranon se kujtesa, të folurit dhe lëvizjet e tij janë ngadalësuar, Glover tha se vazhdon të jetë aktiv dhe ta jetojë jetën me optimizëm.
“Mund të jetoj me këtë. E di që, me kalimin e kohës, sëmundja do të përparojë dhe gjërat do të ndryshojnë,” u shpreh ai.
Fitues i katër çmimeve Emmy dhe një nga emrat më të njohur të kinemasë amerikane, Glover ka lënë gjurmë me rolet në filma si Lethal Weapon dhe The Color Purple, ndërsa karriera e tij përfshin mbi 170 role në film dhe televizion.
Vajza e aktorit, Mandisa Glover, tregoi se familja vendosi ta ndajë publikisht diagnozën për të ndihmuar në ndërgjegjësimin e njerëzve dhe për të luftuar paragjykimet që vazhdojnë të shoqërojnë Alzheimerin.
“Është e rëndësishme që ai ta tregojë vetë historinë e tij dhe të ketë kontroll mbi të. Tani është momenti i duhur,” tha ajo.
Në intervistë, Glover foli edhe për dashurinë e tij ndaj artit dhe angazhimin për drejtësinë sociale, duke theksuar se arti mbetet një mjet i fuqishëm për të kuptuar sfidat e kohës.
“Bota po përballet me shumë sfida. Arti na ndihmon t’i shohim ato nga një këndvështrim tjetër,” përfundoi aktori.
