Pasi mblodhën veten nga humbja e papritur e shokut të tyre të gjashtë, të pestë “Friends”, nga Jennifer Aniston e deri tek Lisa Kudrow e kishin bërë me fjalë, shkruan nga një status lamtumire për të.
Asnjëri prej tyre nuk kishte reaguar pas humbjes së tij, veç një deklarate të përbashkët ku shkruanin se s`mund të flisnin për momentin.
Të gjithë shkruajtën lamtumirën e tyre ku për emërues të përbashkët kishin fjalët: familje, dhimbje dhe të qeshura.
Jennifer Aniston
"Kjo më ka dhembur thellësisht... T'i thuash lamtumirën Matty-t tonë ka qenë një valë e çmendur emocionesh që nuk i kam përjetuar kurrë më parë. Ne të gjithë përjetojmë humbje në ndonjë moment të jetës sonë. Humbjen e jetës, ose humbjen e dashurisë. Kjo dhimbje të lejon të ndjesh edhe më shumë momentet e kënaqësisë dhe mirënjohjes që e doje dikë kaq shumë. Dhe ne e donim atë shumë. Ai ishte pjesë e thellë e ADN-së sonë. Ne ishim gjithmonë të gjashtë. Kjo ishte një familje e zgjedhur që ndryshoi përgjithmonë rrugën tonë. Për Matty-n, AI DINTE dhe donte t`i bënte njerëzit të qeshnin. Siç thoshte vetë, nëse nuk dëgjonte 'të qeshura', mendonte se do të vdiste. Jeta e tij literalisht varej prej saj. Dhe vërtet ia arriti. Na bëri të gjithë të qeshnim. Dhe të qeshnim fort. Në javët e fundit, kam lexuar mesazhet tona. Duke qeshur e duke qarë, pastaj përsëri duke qeshur. Gjeta një mesazh që më dërgoi nga hiçi një ditë. Ky i thotë të gjitha. (mesazhi në foto)
Matty, të dua shumë dhe e di që tani je plotësisht në paqe dhe pa ndonjë dhimbje. Bisedoj me ty çdo ditë... ndonjëherë pothuajse mund të të dëgjoj duke thënë "mundesh të bëhesh edhe më e çmendur?" Pusho në paqe vëlla i vogël. Ti gjithmonë i ke bërë ditët e mia më të bukura".
Matt LeBlanc
"Matthew, me zemër të lënduar të jap lamtumirën. Momentet që kaluam së bashku janë sinqerisht të preferuarat e jetës sime. Ishte një nder të ndaja skenën me ty dhe të të quaja shok. Nuk do të të harroj kurrë.
Hapi krahët dhe fluturo vëlla. Më në fund je i lirë. Ma merr mendja që 20 dollarët që m'i ke borxh, do t'i mbash".
Courteney Cox
“Jam shumë mirënjohëse për çdo moment që kam pasur me ty Matty dhe më mungon çdo ditë. Kur punoni me dikë aq afër sa unë me Mattheë-n, ka mijëra momente që do të doja t'i ndaja. Tani për tani këtu është një nga të preferuarat e mia. Po them një histori të shkurtër: Chandler dhe Monica supozohet të kalonin thjesht një natë bashkë në Londër. Por për shkak të reagimit të publikut, u bë fillimi i historisë së tyre të dashurisë. Në këtë skenë, ai më pëshpëriti një fjali qesharake që unë ta thoja. Ai shpesh bënte gjëra të tilla. Ai ishte gallatë dhe i sjellshëm.”
David Schimmer
“Faleminderit për dhjetë vite të pabesueshme të qeshura dhe krijimtarie. Nuk do ta harroj kurrë kohën e patëmetë komike që kaluam. Mënyra sesi edhe një dialog të thjeshtë e shndërroje në diçka krejtësisht origjinale dhe papritur gallatë, ende më mahnit.
Dhe ti kishe zemër. Kishe një zemër me të cilën u tregove bujar dhe e
ndave me ne. Kështu ne mundëm të krijonim një familje nga gjashtë
të huaj që ishim. Kjo foto është nga një nga momentet e mia të preferuara me ty. Tani më bën të buzëqesh dhe të pikëllohem në të njëjtën kohë. Të imagjinoj atje lart, diku, me të njëjtin kostum të bardhë, duart në xhepa, duke parë përreth: A mund të ketë më shumë re aty?"
Lisa Kudrow
Faleminderit që më bëre të qesh aq shumë sa të më dhimbnin muskujt dhe dilnin lot nga sytë. Faleminderit që hape zemrën në këtë marrëdhënie gjashtëkahëshe që kërkonte kompromis. Dhe shumë “diskutime”. Faleminderit që erdhe në punë kur nuk ishe mirë dhe luaje shkëlqyer në mënyrë absolute. Faleminderit për 10 vitet më të mira që mund të ketë dikush. Faleminderit që më besove. Faleminderit për gjithçka që kam mësuar prej teje, për mirënjohjen dhe dashurinë. Faleminderit për kohën që kalova me ty, Matthew.”