Mira Murati është caktuar drejtoresha ekzekutive (CEO) e OpenAI. Murati ka qenë shefe e teknologjisë në OpenAI, kompanisë që krijoi ChatGPT. Bordi e vendosi CEO të përkohshme të premten pasi paraardhësi i saj, Sam Altman, njoftoi se do të largohej nga rolet e tij si CEO dhe si anëtar i bordit. Kjo tronditi botën e teknologjisë.
Bordi drejtues i OpenAI njoftoi se janë në proces kërkimi për pasardhësin e përhershëm të Altman, megjithatë deri më tani emri i Muratit është më i përshtatshmi. “Si një anëtare e ekipit udhëheqës të OpenAI për pesë vite, Mira ka luajtur një rol kyç në evolucionin e OpenAI si lider global i inteligjencës artificiale. Ajo sjell aftësi unike, kupton vlerat, operacionet dhe biznesin e kompanisë. Ajo ka udhëhequr ndërkohë funksionet e kompanisë mbi kërkimin, produktet dhe sigurinë”, tha OpenAI pasi njoftoi largimin e Altman.
Sipas OpenAI, për Mira Muratin flet puna e saj e gjatë në kompani duke e bërë mëse të kualifikuar për këtë rol derisa të gjendet një CEO i përhershëm.
Murati iu bashkua kompanisë OpenAi si kërkuese në vitin 2018, kur kompania kishte vetëm 40-50 punonjës. Shpejt ajo u ngjit në hierarkinë e kompanisë duke u bërë shefe e teknologjisë në vitin 2022. Tashmë ajo mbikëqyr ekipet që qëndrojnë pas ChatGPT-së dhe gjeneratorit të imazheve Dall-E 2.
Mediat ndërkombëtare, veçanërisht ato të fokusuara te teknologjia, janë ndalur gjatë te Mira Murati. Ajo konsiderohet si një nga personat kyç që kanë testuar strategjinë e OpenAI publikisht. Ajo siguroi zhvillimin në kohë të versioneve të ChatGPT nga ekipi inxhinerik, menaxhoi marrëdhëniet e OpenAI me Microsoft, një investitor dhe partner që përdor teknologjinë e tyre dhe luajti një rol kryesor në formësimin e politikës së inteligjencës artificiale në Uashington dhe Europë.