Kësaj here “Bordo” do të sjellë pranë lexuesit një artist të munguar prej shumë kohësh në skenë dhe në ekran. Bëhet fjalë për Argjend Llogën, këngëtari i cili me hitin e para dy dekadave “Loti i Verbër” bëri për vete fansa në mbarë botën. Ai jeton prej 13 vitesh në Nju-Jork dhe rikthehet në Shqipëri për të realizuar dy këngë të reja. Edhe pse në gjithë vitet e emigrimit artisti nga Struga ka ardhur shpesh në Shqipëri, herë për pushime, e herë për projekte të ndryshme, këtë rikthim në muzikë ai e quan si, ‘rikthimi më i sigurt’.
Si është ndërtuar jeta juaj në Amerikë?
Fillimisht unë kam emigruar në Amerikë duke menduar për të ardhmen e fëmijëve, që ata të zhvillohen atje me të gjitha mundësitë që ai vend të ofron. Sigurisht që fillimi ka qenë i vështirë, me sakrifica, jam marrë me punë të ndryshme, derisa krijova lidhjet e mia për t’ju përkushtuar muzikës. Ky kalvar sakrificash prej emigranti ka zgjatur për pesë vite, dhe vetëm më pas m’u krijuan kushtet dhe mundësitë për t’u marrë me muzikën. Rrugën e muzikës atje e gjeta me mbështetjen e disa miqve të mi në SHBA, njëri prej të cilëve është Kujtim Fundiqi, pronar i një lokali në Bronx, Nju-Jork, vend ku prej 9 vitesh punoj si menaxher dhe këngëtar, ku shpesh ftoj artistë të ndryshëm nga Shqipëria, duke dhuruar mbrëmje të bukura për publikun shqiptar që jeton aty.
Çfarë ju bën më shumë përshtypje sa herë që riktheheni në Shqipëri?
Ndihem mirë sa herë kthehem në Shqipëri, ka nisur të vlerësohet puna e artistëve dhe jam shumë i kënaqur në këtë pikëpamje. Pikërisht kjo gjë më bën të rikthehem me shumë dëshirë në Shqipëri.
Vini shpesh në Tiranë? Çfarë është Tirana për ju?
Vij shumë shpesh, disa herë në vit. Kam miq këtu në Tiranë dhe arsyeja e ardhjes, përpos kënaqësisë, janë edhe bashkëpunimet me artistët që jetojnë këtu. E dua shumë Tiranën, Shqipërinë, e dua kulturën dhe edukatën që shoh këtu.
Në aspektin familjar ju gëzoni statusin e gjyshit. Çfarë ndjesie është?
Është një ndjesi e jashtëzakonshme. Unë jam gjysh i një mbese, që quhet Treva. Ne që jetojmë jashtë trevave tona, jemi shumë të lidhur me emrat shqiptarë, kështu që e gjithë familja ra dakord që mbesa të merrte këtë emër 100 % shqiptar.
Ju këndoni për të gjitha trevat shqiptare, ku e keni ndjerë më shumë ngrohtësinë e publikut?
Kudo ku ka shqiptarë, por në Shqipëri mund të them që jam ndjerë gjithmonë i vlerësuar, në Shqipëri e ndjej veten artist më shumë se kudo tjetër.
A keni ju një artist të preferuar nga i cili frymëzoheni?
Janë disa këngëtarë shqiptarë që i vlerësoj shumë. Është Aurela Gaçe, Eli Fara, Merita Halili, Fatmira Breçani…
Shqiptarët e diasporës janë shumë të apasionuar edhe pas televizionit shqiptar. Ju çfarë ndiqni më shumë, a keni një program të preferuar?
Po, e vërtetë! Ne i ndjekim shumë programet shqiptare. Sa herë mundemi dhe na përputhen oraret shohim TV shqip. Unë personalisht, më shumë preferoj të dëgjoj këngë shqip dhe ndjek shpesh kanalet që shfaqin muzikë shqiptare.
E keni menduar ndonjëherë të zhvendoseni përfundimisht në Strugë apo Shqipëri?
E kam menduar shpeshherë. Unë edhe ëndrrat i shoh vetëm në atdhe. Mirëpo duhet pranuar realiteti që fëmijët atje janë stabilizuar dhe po realizohen çdo ditë e më shumë, e për hir të tyre për momentin edhe ne duhet të qëndrojmë atje. Me mundësitë që na ka dhënë Amerika dhe me dashurinë që ndjejmë për vendin tonë Shqipërinë, them se do ta ndaj jetën mes dy vendeve.
Pas kaq vitesh në Amerikë, jetoni më shumë si një amerikan atje, apo i ruani me fanatizëm traditat shqiptare?
Kur kemi shkruar në fillim, shihja fëmijët që ndiqnin më shumë televizionet e huaja dhe në shtëpi nisën të flisnin më shumë anglisht. Të them të drejtën, jam prekur dhe e kam përjetuar shumë keq atë periudhë. Unë që kam kënduar gjithë jetës këngë shqip, këngë patriote, më dukej e tepërt që në shtëpinë time të flitej gjuhë e huaj. Që atëherë jua vura kusht fëmijëve, që në shtëpi do të flitej vetëm shqip, në të kundërt do t’i ktheja mbrapsht në Strugë. Madje edhe kanalet e huaja, për një farë kohe, jua ndërpreva në shtëpi. Anglishten e përdornin në shkollë, në shoqëri, në punë…s’ishte e nevojshme të flitej edhe në shtëpi anglisht.